Saliani: Hapjen e kutive nuk e ndalon ligji

Intervista/ Eridjan Saliani, një prej avokatëve që mbrojtën ankimimet e PS-së, shprehet se vendimet e kolegjit ishin politike
Z. Saliani keni qenë një prej avokatëve që keni përfaqësuar Partinë Socialiste në shqyrtimin e ankesave të saj në Kolegjin Zgjedhor dhe pikërisht ankesën që kishte për objekt kontestimin e vendimit të KQZ-së për qarkun e Shkodrës. Ashtu si edhe gjithë kërkesat e këtij lloji të paraqitura pranë kësaj gjykate u rrëzuan.
Si do ta vlerësonit këtë gjykim, pasi shpesh herë gjatë këtyre kohëve një vendimmarrje e tillë është konsideruar nga opozita edhe si e ndikuar politikisht?
Vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor është evidente se ka qenë e ndikuar politikisht dhe janë pikërisht këto vendime që kanë gjeneruar krizën politike aktuale, për të cilën bën fjalë edhe rezoluta e fundit e Asamblesë së Këshillit të Europës.
Nga pikëpamja e pastër profesionale (ligjore) nga leximi i vendimeve në fjalë është e dukshme që nuk është zhvilluar një gjykim sipas parimeve të së drejtës procedurale civile dhe garancive pa ekuivokë që jep Kodi Zgjedhor, në nenin 136/3, "Me kërkesën e dy anëtarëve të saj KQZ-ja është e detyruar të marrë provat e kërkuara nga dy anëtarët e KQZ-së... KQZ-ja nuk mund të refuzojë kërkesën e dy anëtarëve për të marrë provat".
Shkelja e kësaj dispozite të Kodit Zgjedhor nga KQZ-ja është anashkaluar qëllimisht nga Kolegji Zgjedhor me qëllim për të mos bërë një hetim gjyqësor, duke dhënë një vendim pa prova pa shqyrtim të tyre, duke shpikur teorinë se duhen prova për të kërkuar vetë provat, teori e cila nuk përdoret në asnjë gjykim të drejt dhe ligjor në asnjë vend europian.
Duket se gjykata luan në vendimin e saj me interpretimin që i bënë termit "vota të caktuara", të cilat sipas saj mund të jenë vetëm votat e kontestuara dhe jo votat e një qarku të tërë. Për këtë arsye, ajo vlerëson se vendimi KQZ-së për të mos marrë parasysh kërkesën e dy anëtarëve të KQZ për të rivlerësuar dhe rinumëruar votat e disa kutive të këtij qarku është i drejtë.
Keni ju një koment për këtë çështje?
Ligjvënësi ka përcaktuar mjaft qartë se çfarë kuptohet me votë të kontestuar dhe ka përcaktuar rrugët që ndjek vlerësimi i saj. Në qoftë se do kishte pasur parasysh se votë e kontestuar është baras me votë të caktuar si arsyeton Gjykata në vendimin e saj, atëherë ligjvënësi nuk do të kishte vendosur fare termin votë e caktuar, por do përcaktonte se rinumërohen dhe/ose rivlerësohen votat e kontestuara.
Kjo do ta kufizonte shumë objektin e hetimit dhe gjykimit duke kryer vetëm një lloj "operacioni" që i lejohet votës së kontestuar ku ajo vetëm mund të rivlerësohet nga e vlefshme në të pavlefshme dhe anasjelltas duke humbur kuptimin dhe vlerën e "operacionit" të rinumërimit që i nënshtrohen të gjitha llojet e votave si të vlefshme, të pavlefshme dhe ato të kontestuara në qendra të caktuara votimi apo ZAZ të caktuara, duke marrë në këtë moment cilësinë si vota të caktuara.
Për rastin konkret që i përket Qarkut Shkodër është kërkuar në kërkesë dhe rinumërimi votave ku pretendohet se po të rinumërohen votat e vlefshme në këtë qark do kemi një rezultat krejt të ndryshëm nga ajo që njohim sot.
Ndërkohë, në debatin politik që ka përfshirë klasën politike shqiptare është theksuar nga mazhoranca se kutitë nuk mund të hapen në komisionin hetimor që kërkohet të ngrihet, sepse për këtë ka një vendim gjykate.
Sipas jush, sa i drejtë është një arsyetim i tillë?
Kësaj i thonë të fshihesh pas gishtit. Kushtetuta e ka përcaktuar mjaft qartë në nenin 77 të saj se kur mund të ngrihet një komision hetimor dhe si mund të funksionojë duke e sqaruar dhe më tej në vendimin nr. 18 dt 14.5.2003 të Gjykatës Kushtetuese tagrat e një komisioni hetimor.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese përcaktohet se nuk mund të hetohet dhe më pas të gjykohet ajo çka është hetuar dhe gjykuar me vendim të gjykatës. Pa dashur të përsëris, nuk jemi përballë këtij rasti, pasi siç sqarova më sipër, Kolegji Zgjedhor nuk ka hetuar mbi fletët e votimit dhe më pas në bazë të bindjes të krijuar nga provat të jepte një vendim, duke u mbështetur në vullnetin e tyre të brendshëm.
Por, ka ndodhur krejt e kundërta, siç shihet dhe nga arsyetimi i vendimit të Gjykatës për Shkodrën, gjykata nuk e ka shqyrtuar fare në themel çështjen, por ka kërkuar prova që ta shqyrtojë duke mos lejuar marrjen e tyre.
Thënë me thjesht nuk ka ndodhur "operacion" rinumërim dhe rivlerësim i votave që të ishim përballë gjësë së gjykuar.
Në qoftë se do të ngrihet komisioni hetimor parlamentar ka gjithë të drejtën ligjore që përderisa nuk ka asnjë ndalim në ligj për sa i përket transparencës së zgjedhjeve të bëjë transparente numrin e votave për çdo subjekt nëpërmjet një operacioni rinumërim dhe rivlerësim të votave, pa e prekur vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk ka vendosur që gjithmonë dhe në asnjë mënyrë të mos hapen kutitë.
Kolegji e ka pasur të panevojshëm hetimin dhe me pas rinumërimin dhe rivlerësimin e votës për të arsyetuar dhe vendosur në lidhje me kërkesat e Partisë Socialiste. Kurse hetimi parlamentar ka të drejtë të hetojë çka nuk është hetuar dhe gjykuar.