E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria në ikje nxiton të shesë edhe pronat e fundit në bregdet, privatizohet dhe konvikti i Gjuhëve të Huaja në Tiranë

dokuQeveria në ikje e Sali Berishës është duke nxituar të shesë edhe ato pak prona publike që kanë mbetur. Bëhet fjalë për prona në bregdet, ku përfshihen reparte ushtarake e objekte turistike, godina publike etj. Në këto operacione janë përfshirë Ministria e Ekonomisë dhe si zakonisht, Ministria e Mbrojtjes. Në krye të këtyre shitjeve, sipas deputeti socialist, Erion Braçe, që ka denoncuar këtë fakt, qendron Drejtori i Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë.

Po konsumohet grabitja e fundit!! Sapo u vura në dijeni se Ministria e Ekonomisë po përfundon operacionin e fundit të grabitjes dhe tjetërsimit të pronës publike tek njerëzit politikë të regjimit, klientela e tyre politike dhe e biznesit!! Kjo nuk falet më.

Po shiten duke shkelur çdo ligj e rregull, prona publike nën administrim të bashkive, komunave, ministrive, duke perfshirë edhe Ministrinë e Mbrojtjes. Po shiten prona në bregdet- duke përfshirë reparte ushtarake e objekte turistike, godina publike gjithfarësh- duke përfshirë edhe ato me funksione të rëndësishme publike në arsim e gjetke.

Në krye të operacionit qëndron Drejtori i Privatizimit në Ministrinë e Ekonomisë, një tjetër njeri me mbiemër politik. Sapo mbylla një bisedë telefonike me të në cilesinë e deputetit të Divjakës, zonë ku po kryehet njëri prej privatizimeve e për më tepër, pa miratimin e Bashkisë, e cila është pronarja e objekteve që po shet qeveria e Sali Berishës!!

I bëra të qarte se, çdo gjë është e paligjshme, e turpshme dhe ai personalisht do të përgjigjet deri më një, shprehet deputeti socialist.

Top Channel ndërkohë, raporton se se ministri në ikje i Ekonomisë, Florion Mima ka firmosur të enjten privatizimin e disa pronave njëherësh, që nisin me konviktin e Shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja. Një proces i shumëdebatuar, që ka nisur kohë më parë kur një biznes privat në fushën e arsimit i kërkoi Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Ekonomisë marrjen e kësaj prone me qira.

Në atë kohë Qeveria e pranoi menjehërë kërkesën dhe nisi procedurat për për t’ia kaluar konviktin privatit, por presioni i madh nga opozita dhe vetë universiteti publik e detyroi atë ta pezullojë procesin. Kjo siç duket vetëm përkohësisht, pasi tashmë që është në ditët e fundit në detyrë, Qeveria e ka finalizuar atë që nisi një vit më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga burime konfidenciale, ndërsa zyrtarisht Ministria e Ekonomisë nuk jep asnjë përgjigje. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se veç Konviktit të Gjuhëve të Huaja, Ministria ka firmosur privatizimin edhe të kabinave të plazhit në Divjakë, që u denoncua nga Braçe, nën argumentin se privati që i ka patur me qera, ka plotësuar kushtin e investimit.

Javët e fundit kanë shënuar një bum shitjesh dhe ankandesh të pronave publike, që ka përfshirë gati të gjitha ministritë dhe ministrat në ikje. Para pak ditësh ‘Albpetrol’, kompania që është po në varësi të Ministrisë së Ekonomisë shiti përmes një ankandi edhe naftën që nuk e ka në gjendje, por pret ta marrë në të ardhmen.

Në ikje e sipër, qeveria e Berishës ka shitur dhe dhënë me koncensione prona dhe objekte të rëndësishme, duke nisur që nga godina e SHQUP, të cilën ia dha PD-së. Ndërsa godinën e kësaj të fundit ia fali Bashës.

Mazhoranca e re, e cila ka denoncuar një sërë vendimesh të fundit të Berishës, por edhe vendimet e mëparshme, ka bërë të qartë se do të zhbëjë çdo koncension të dyshimtë dhe në shkelje me ligjin nga ana e qeverisë në ikje./b.l

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›