Doris Lessing, për të tretën herë në shqip
Vjen për të tretën herë në shqip. Nobelistja Doris Lessing përballet me lexuesin shqiptar me një tjetër roman, për të cilin thuhet se ndikimi i dashurisë dhe rrënimi me detaje më të hollësishme nuk shihet më shumë se këtu. Një libër tërësisht bindës, aq energjik dhe mendim-provokues si asgjë e shkruar më parë prej saj”. Nën titullin “Vera para errësirës”, shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, pas romanit “Fëmija i pestë” dhe “Sërish dashuri”, sjell një tjetër krijim të nobelistes angleze. Ky roman i ri për publikun shqiptar ka dalë në qarkullim prej pak ditësh. Ai sjell historinë e Kate Braun. Ndërkohë që fillon stina e verës, gruaja tërheqëse, inteligjente, pesëdhjetë e pesë vjeçe, e martuar dhe e lumtur, me një shtëpi në Londrën urbane dhe me tre fëmijë të rritur, nuk ka ndonjë arsye të pranojë se mund të ndryshojë diçka në jetën e saj. Por kur vera mbaron, gruaja që dikur ishte brenda saj, e cila ka jetuar pas mbulesës mbrojtëse të joshjes e shqetësimit femëror, nuk ekziston më. “Vera para errësirës” është një ekskursion brilant në shtrëngesën e tmerrshme të kohës që pason largimin e frikshëm të moshës së rinisë. Udhëtimi i gruas nga Londra në Turqi e Spanjë, nga bashkëshorti tek i dashuri, nga qetësia te marrëzia, nëpër shtegun e një pavarësie të brishtë e kurajoze, do t’i japë tjetër domethënie hapit të saj. Në krijimet e nobelistes angleze është i njohur fakti që personazhet e saj femra përpiqen të jetojnë po aq të lira sa edhe burrat. Për gati gjysmë shekulli, Doris Lessing analizoi thellësisht dhe me kurajë shumë çështje: rrethanat femërore, kolonializmin, komunizmin, mëmësinë, madje edhe rolin e saj në raport me këtë të fundit ajo e trajtoi pa kurrfarë mëshire. Pavarësisht faktit se ajo u përzje shumë në kauzën feministe, ajo nuk u bë nga detyra “feministe”. Në vitin 2007, Akademia Suedeze i akordoi çmimin “Nobel” për letërsinë autores britanike Doris Lessing, me motivacionin “për përvojën epike femërore, e cila me skepticizëm, pasion e fuqi përfytyruese ia ka nënshtruar këtë qytetërim të ndarë shqyrtimit”.
#