Donadoni, gati rinovimi me dy vjet i kontratës
Edhe pse ndërmjet Roberto Donadonit dhe Federatës Italiane nuk ekziston dashuria, "bashkëjetesa" ndërmjet palëve duket e destinuar të vazhdojë. Pas shumë pasigurish dhe polemikash, tekniku i kombëtares "axurre" dhe presidenti i FIGC, Xhankarlo Abete, gjetën marrëveshjen për rinovimin edhe për dy vjet të kontratës. "Po"-ja ka ardhur falë klauzolës "së largimit", që do t‘u garantonte të dyja palëve prishjen e kontratës në rast pakënaqësish. Historia e marrëveshjes është e njohur: pas sinjaleve të trajnerit, i cili kërkonte një kontratë të re përpara fillimit të Evropianit, presidenti i federatës, Abete, i kishte ofruar Donadonit një propozim, që lidhej me renditjen e Italisë mes katër skuadrave të para. Një lloj kontrate në bazë të rendimentit, që nuk u pëlqye nga kreu i kombëtares italiane, i cili me krenari kishte zgjedhur të vazhdonte punën deri në mbylljen e Euro 2008. Për të sheshuar kontradiktat ka shërbyer oferta e re e FIGC, e artikuluar në këtë mënyrë: trajnerit do t‘i ofrohet rinovimi i kontratës edhe për dy vjet, deri në Botërorin 2010 dhe do t‘i garantohet një rritje e ndjeshme e rrogës, që nga 1.4 milionë euro në sezon do të jetë 2 milionë euro. Megjithatë, si federata ashtu edhe vetë Donadoni mund të vendosin të ndërpresin përpara kohe marrëdhënien. Në këtë rast, FIGC (ose trajneri) do të paguajnë shumën e gjashtë muajve pune, e barabartë me afro 1 milion euro. Kjo zgjidhje besohet se ka marrë "bekimin" e trajnerit dhe hedhja e firmës duket çështje ditësh. Kjo, edhe sepse askush nuk dëshiron që kampionët e botës të paraqiten në Evropian mes problemeve, por që ata të jenë të përqendruar të trofeu më i rëndësishëm në kontinent për përfaqësuese.