Qeveria ngriti piramidën e universitetit Kristal
—-Nga Mentor Kikia—-
Tiranë- Njoftimet më të fundit nga prokuroria bëjnë të ditur se hetimet në shkollën e lartë Kristal e kanë zgjeruar rrezen e veprimit, duke mos u fokusuar vetëm tek rasti Bossi. Hetuesit po kërkojnë informacione për dyshimet mbi diplomimin fiktiv të shumë shtetasve shqiptarë.
Në fakt, në këtë rast nuk mendoj se ne duhet të kënaqemi me ndëshkimin e ndonjë biznesmeni apo ndonjë pedagogu sharlatan. Ajo që ne duhet të shpresojmë të ndodhë, është që ky skandal që mori vëmendje mediatike në Shqipëri për shkak të rastit Bossi, të shërbejë si precedent që autoritetet e arsimit të ndërhyjnë për të ndrequr jo universitetin Kristal, por tërë sistetimin piramidal universitar jo publik. Me pak fjalë, për të pastruar sistemin nga mashtruesit dhe për të lënë në këmbë institucionet që janë vërtet serioze.
Me gjithë skepticizmin për prodhimin e ndonjë rezultati real nga ky hetim, unë bëj pjesë tek njerëzit, që mendojnë se sërish duhet të luftojmë kundër deformimit të sistemit arsimor, të shkruajnë pareshtur për maskaradën ku është zhytur arsimi, veçanërisht ai i lartë shqiptar. Pasi, unë mendoj se nuk ka dëm më të madh që mund ti bëhet një vendi sesa shkatërrimi i arsimit. Nuk ka vjedhje më të rëndë sesa ajo në arsim. Të mbushësh shoqërinë me diploma dhe grada shkencore të rreme, është më keq sesa të vjedhësh thesarin e shtetit apo hedhësh tonelata me para nga qielli e të shkatërrosh sistemin financiar të një vendi.
Rasti Bossi
Universiteti Kristal nuk është një rast sporadik. Edhe pse gazetat dhe mediat shqiptare janë kapur pas rastit Bossi dhe shumica e gazetave po e mbulojnë këtë cështje vetëm duke përkthyer se çfarë shkruajnë gazetat italiane, përmasat këtij skandali janë shumë të mëdha. Dhe, më shumë se fakti se si janë diplomuar studentët aty, këtë skandal e zmadhon implikimi i zyrtarëve të lartë të arsimit shqiptar. Eshtë pakashumë e njëjta skemë si me kompanitë piramidale që u shembën në 1997. Kur ujërat e zeza plasën dhe dolën rrugëve, ne mësuam sesi ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë kishin patur futur duart deri në bërryla në finacat e këtyre kompanive, të cilat sa më shumë zhyteshin as më shumë paguan rryshfete për të mbijetuar.
Historia e një krimi arsimor
Përtej abuzimit me emrin Universitet, Kristali dhe 95% e universiteteve private, nuk janë universitete. Ata janë Intitucion i Arsimit të Lartë, kështu janë licensuar. Por në vijim ne do t’i referohemi si universitet, meqë kështu është mësuar tashmë edhe lexuesi.
Universiteti Kristal u licensua nga qeveria në Dhjetor 2005. Pak muaj pasi kishte ardhur në pushtet Partia Demokratike, Kristal e mori licensën dhe bëri edhe regjistrimin e parë zyrtar të studentëve në tri degë: Farmaci, Stomatologji dhe Juridik.
Duke qenë se ishte viti i parë u licensimit, regjistrimet kanë vazhduar deri në Mars 2006. Në këtë muaj, regjistrimet u mbyllën. Por, edhe pse regjistrimet ishin mbyllur, në regjistrat e universitetit vazhdonin të futeshin studentë të rinj, deri edhe një muaj para provimeve. Sipërmarrësit kanë kërkuar që në muajin Maj të regjistroheshin dhjetra studentë të rinj për tu futur në provim në sezonin e Qershorit. Dhe në degën Juridik, nga 85 studentë që ishin regjistruar në hapjen e sezonit shkollor, janë paraqitur në provime 271 studentë.
Regjistrimi i studentëve në mënyrë fiktive nis dhe shndërrohet në një binzes më vehte. Në Shtator 2006, rektoratit i kërkohet që të regjistrohen direkt në vit të dytë rreth 800 studentë në fakultetin e drejtësisë, duke paguar në dorë paratë e vitit të parë. Ishte koha kur administrata shtetërore po transfuzohej nga ndërrimi i pushtetit politik dhe në Shqipëri shpertheu epidemia e juridikut. Për të siguruar vendet e punës, ata që nuk kishin fare diplomë, kishin rastin e mirë të merrnin më në fund dëshminë e shkollimit që nuk e kishin bërë kurrë, ndërsa ata që duhej të bënin karrierë, menduan që diplomës ekzistuese ti shtonin një për drejtësi. Rektori i asaj kohe i universitetit refuzoi regjistrimin e studentëve direkt në vitin e dytë dhe u largua, dha dorëheqjen, duke mos shkelur mbi parimet e moralit të pedagogut. Vendin e tij e zë zoti Maringlen Spiro, i cili është edhe rektori që ka fimosur diplomën e studentit italian Renzo Bossi.
Rektori i dorëhequr nuk ishte mjaftuar me dorëheqjen, por kishte vendosur ta denonconte realitetin që po instalohej në një universitet të ri, pra regjistrimin e studentëve në mënyrë fiktive, direkt në vitin e dytë. Ish- ministri i arsimit Genc Pollo vihet në mëyrë sistematike në dijeni për atë që po ndodhte në një universitet privat. Por në vend të reagimeve institucionale nga ana e Ministrisë së Arsimit, administratorët e universitetit informoheshin mbi denoncimet.
Nga Ministria e Arsimit, denoncimet zhvendosen në Kryeministri, tek këshilltari i kryeministrit për Arsimin Myqerem Tafaj. Por në vend të masave, Ministria e Arsimit licenson hapjen e tre fakulteteve të reja në këtë universitet. Kristal nis të shndërrohet në perandori, duke hapur filiale anekënd Shqipërisë. Brenda një viti mbinë në pjesën më të madhe të qyteteve filiale universitare. Ndërkohë, një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë, detyron të gjithë personelin sanitar të spitaleve, ambulancave dhe qendrave shëndetësore në tërë vendin(infermire, mami) të cilat ishin me shkollë të mesme infermierie të mbaruar në Tiranë ose Vlorë. Në të kundërt ato do të humbisnin vendet e punës. Dhe të gjithë u urdhëruan në mënyrë informale nga drejtuesit e Shëndetësisë në rrethe që të diplomoheshin pikërisht tek Kristal, i cili kishte hapur ndërkohë filiale (apartamente) edhe në qytete që kishin vetëm një shkollë te mesme. Të gjithë paguan nga 3 mije euro dhe u rikthyen në punë. Dhjetra miliona euro iu morën me përdhunë shtresës më të varfër të administratës, duke u dhënë nga një copë karton që as vetë shteti nuk e njeh. Dhe kjo në marrëveshje mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë.
Regjistrimet vazhdojnë.
Mburoja
Duke ditur se herët a vonë telashet do të vinin, Kristal kishte menduar si ti dilte të keqes përpara. Dhe për këtë nuk ka rrugë më të mirë sesa korruptimi. Por që të mos quhet korrupsion, zyrtarët u blenë në mënyrë tjetër. Ata u punësuan! Zyrtarë të arsimit, të qeverisë, prokurorë e gjykatës, kushdo që mund të duhet në ditë të keqe u regjistruan si pedagogë.
Dhe sot, edhe gati një muaj pas plasjes së skandalit, Ministria e Arsimit nuk ka marrë as edhe një masë, edhe pse pezullimi i licences do të ishte më e pakta. Edhe pse diplomat e Kristalit janë shndërruar në barcoleta ndërkombëtare dhe mediat në mbarë Italinë po tallen publikisht me shkollën tonë, Ministria e Arsimit e Republikës së Shqipërisë, nuk ka bërë as edhe një deklaratë, as zëdhënësi dhe asnjë titullar.
