Shuhet koreografi Aliaj, ndahet nga jeta pas aksidentit
Tiranë- Aksidenti i 7 Marsit qe fatal për koreografin Agron Aliaj i cili këtë të enjte ndërroi jetë në spital pasi nuk mundi dot t’i mbijetonte dëmtimeve të shtyllës kurrizore, pavarësisht trajtimit intensiv që ju nënshtua në Pavionin e Neurokirurgjisë pas aksidentit dhe më pas në një prej spitaleve private në vend.
Përgjatë këtyre 2 muajve, gjendja e tij shëndetësore ka qenë e lëkundshme dhe pavarësisht ndërhyrjeve kirurgjikale, nuk ka mundur dot të tejkalojë dëmtimet e kolonës vertebrale, dëmtime të cilat i morën edhe jetën.
Në momentin e aksidentit, koreografi 79-vjeçar po dilte nga provat e shfaqjes së fundit që do të vinte në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit, skenë në të cilën shkoi 50 vite të jetës së tij, ishte “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, një shfaqje e cila u realizua nga trupa e baletit edhe në nder të koreografit i cili nuk mundi dot të qe në premierë.
Gjatë karrierës së tij mëse 50-vjeçare, Agron Aliaj ka vënë në skenë dhjetra shfaqje baleti, kryevepra të baletit botëror por edhe shqiptar. Me koreografi të tij, kanë parë dritën e skenës balete si “Zhizel”, “Arrëthyesit”, “Romeo dhe Zhuljeta” apo “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Homazhet në nder të koreografit të pazëvendësueshëm do të mbahen në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit, një godinë ku shkoi vite të të tëra të jetës së tij, aty ku gjenden veprat e një jete të koreografit Agron Aliaj.