E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Tensionet ndëretnike në rajon tendenca antishqiptare

TIRANË- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nëpërmjet një deklarate për mediat shpreh shqetësimin në lidhje me zhvillimet e fundit në rajon, dhe sidomos në Maqedoni.

Përmes një deklarate për mediat, PDIU thekson se tensionet ndëretnike po tregojnë një tendencë antishqiptare, si në Maqedoni, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi.

“Sjellja brutale e autoriteteve maqedonase ndaj shqiptarëve të arrestuar për çështjen e Smilkovcit tregon qartazi prapavijën politike që qeveria Gruevski tenton t’i japi vrasjes së pesë të rinjve maqedonas përpara pak javësh. Aq më tepër, dënimi i protestave demokratike të shqiptarëve për të ndaluar incidentet e montuara nga autoritetet maqedonase tregon se qeveria Gruevski nuk po vepron në të mirë të Maqedonisë, por vetëm në të mirë të etnisë maqedonase. Qeveria Gruevski po tenton që të mbulojë dështimin e radhës për integrimin e Maqedonisë në NATO gjatë Samitit të Çikagos, duke shfryrë urrejtje ndaj shqiptarëve. Partitë politike në Maqedoni duhet të kenë një zë unik në këtë drejtim dhe të lënë mënjanë gjatë kësaj periudhe tendencat e tyre për lojra mikropolitike. ”,- thuhet në deklaratën e PDIU.

PDIU i bën thirrje qeverisë së Shqipërisë, qeverisë së Kosovës dhe të gjitha forcave politike që përfaqësojnë shqiptarët në Ballkan që të jenë të kujdesshëm ndaj rritjes së nacionalizmit sllav në Ballkan. "Sot, më shumë se kurrë, duhet të kemi një zë",- thekson PDIU.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›