Qeveria nis sulmin frontal ndaj prokurorisë
Raporti i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë për punën e Prokurorisë së Përgjithshme ka mbërritur në Kuvend dhe pritet që të diskutohet së shpejti. Ina Ramës do i bëhet një gjyq i ashpër nga mazhoranca. Disa gazeta aludojnë se ky është preludi i një nisme për shkarkimin e saj. Të tjera shkruajnë se kur të lërë mandatin, Ina Rama do të procedohet penalisht. Në thelb të raportit të përgatitur nga Eduard Halimi është fakti se prokuroria nuk ka bashkëpunuar për të zbardhur ngjarjet e ndryshme, duke shkelur Kushtetutën. Raporti thekson se hetimet paraprake janë zgjatur përtej afateve ligjore. Raporti vijon më tej duke thënë se prokuroria nuk mbron të dhënat personale dhe fshehtësinë e komunikimit. Në rastin e shkurtimit të dënimit, prokurorët kanë shkelur disa herë ligjin, duke kërkuar reduktim të dënimit tej minimumit të përcaktuar me ligj. Raporti i Halimit thekson se në të paktën 16 çështje janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut. Në fund të raportit thuhet se janë plot 59 prokurorë me shkelje.