Qeveria nuk do nënshkruajë më marrëveshje me FMN për varfërinë
Tiranë-Shqipëria nuk do të nënshkruajë më marrëveshje për zbutjen e varfërisë me FMN pas 18 vjetësh. Marrëveshja aplikohet me vendet e varfra të botës. Marrëveshja aktuale mbyllet në janar të vitit 2009 dhe autoritetet në Tiranë nuk kanë qenë dakord me zyrtarët e FMN për ta rinovuar këtë tip marrëveshjeje, thonë burime të BBC në Tiranë.
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se qeveria është shumë krenare që mundësoi përfundimin me sukses të një marrëveshjeje e cila pati objektiva gjithnjë e më të avancuara.
“Përfundimi me sukses i kësaj marrëveshjeje padyshim që përbën një arritje për institucionet e shtetit shqiptar. Në të ardhmen do të bashkëpunojme ngushtë me FMN, sigurisht jo në marrëveshjet e tipit të deritanishëm, por në marrëveshje të përshtatshme për Shqipërinë,”deklaroi ministri i financave, Bode.
FMN e ka asistuar Shqipërinë që në vitin 1991 për të lehtësuar kalimin nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut të lirë.
Sidomos që prej vitit 1997, qeveritë ne Shqipëri janë konsideruar si “nxënës të zellshëm” të FMN.
Autoriteti i Fondit ka qenë thuajse i padiskutueshëm në hartimin e politikave fiskale përgjatë dy dekadave të fundit. /BBC/