Qeveria nxjerr në shitje edhe katër hidrocentrale
Katër hidrocentralet e para që do të kalojnë nga shteti te privati janë: Ulëza, Shkopeti, Bistrica 1 dhe Bistrica 2.Një projektligj, i cili ka mbërritur dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë dhe që do të diskutohet sot, zbardh edhe detajet lidhur me procesin. Fillimisht, hidrocentralet synohet që të ndahen nga kapitali dhe administrimi i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, duke funksionuar kështu si shoqëria anonime me kapital 100 për qind shtetëror dhe nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë. Hapi i dytë është privatizimi. Lidhur me këtë të fundit janë lënë të hapura dy mënyra: e para, ajo e shitjes përfundimtare dhe e dyta, ajo e koncesionit. Ministrisë së Ekonomisë i lind detyra e kontraktimit të një konsulenti të huaj që do të kujdeset për konsulencën gjatë procesit të privatizimit. Projektligji përfshin gjithsej pesë hidrocentrale, të cilat do të ndahen nga kapitali i KESH. Përveç Ulëz-Shkopetit dhe Bistrica1 dhe 2, një tjetër hidrocentral që do t’i ndahet këtij kapitali është ai Tiranës (Lanabregas), por ky i fundit nuk pritet që të privatizohet herët. Në projektligjin e saj, Ministria e Ekonomisë miraton edhe formulën se si do të bëhet privatizimi. “Struktura e formulës së privatizimit të aksioneve të kapitalit të këtyre shoqërive, në rastin e transferimit të së drejtës së pronësisë të jetë: jo më pak se 51 për qind e aksioneve të kapitalit u ofrohen investitorëve strategjikë nëpërmjet shitjes me tender të hapur ndërkombëtar. Madhësia e kësaj pakete, përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, thuhet në projektligj. Ndërkaq, përcaktohet edhe përfitimi që shkon për ish-pronarët. Kjo kategori, me legjislacionin shqiptar, është e para që merr përftimin në rastet e privatizimeve të kompanive shtetërore. Për ish-pronarët është përcaktuar që secilit t’i ofrohen aksione të shoqërisë sipas vlerës së truallit të përfshirë në kapitalin këtyre shoqërive. Një tjetër kategori që mund të përfitojë nga privatizimi i këtyre shoqërive, që do të kalojnë si shoqëri anonime, janë edhe punonjësit që kanë punuar pranë tyre. Projektligji sanksionon se ata mund të përfitojnë aksione në bazë të bonove të privatizimit që iu janë dhënë nga shteti. Pas shprehjes së interesit nga gjithë kategoritë e mësipërme, formula e privatizimit përcakton se në rast se kanë mbetur ende aksione të pashitura, atëherë investitori strategjik gëzon të drejtën që të bëjë i pari blerjen e tyre, ndërsa në rastin e kundërt, kur ky investitor nuk shpreh interes për aksionet e mbetura, shteti i transferon me ofertë publike ose me ankand publik për shitje. Lidhur me detajet teknike të hidrocentraleve, projektligji cilëson se të pesta këto hidrocentrale përbejnë 6 për qind të fuqisë totale të instaluar që administrohet nga KESH-i. Fuqia totale e instaluar e Ulëz-Shkopetit, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 dhe hidrocentralit Tiranë(Lanabregas), është në total 82 MWh. Gjatë 2010-s sipas të dhënave të KESH-t, Ulëza dhe Shkopeti kanë prodhuar përkatësisht mbi 137 mijë MWh energji i pari dhe mbi 110 mijë MWh energji i dyti. Argumentimi i privatizimit të katër hidrocentraleve në projektligj bëhet me rritjen e eficencës së punës në to.
6 per qind
të fuqisë totale të instaluar, që administrohet nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, përbëjnë hidrocentralet që do të shkëputen nga kapitali i përgjithshëm i kësaj korporate
82 megavat/ore
Është fuqia totale e instaluar e pesë hidrocentraleve duke filluar nga Ulës-Shkopet, tek Bistrica 1 dhe Bistrica 2, si dhe hidrocentrali i tretë Tirana, (Lanabregas)
Bilancet e HEC-ve
Të pestë hidrocentralet që do të kalojnë si shoqëri anonime fillimisht, dhe më pas katër prej tyre do të privatizohen, vlerësohen se kanë bilance pozitive, pra dalin me fitim. Projektligji saktëson se pavarësisht këtij veprimi, rezultati financiar i KESH-t nuk preket nga ky privatizim. “Duke qenë të vetëm me bilance pozitive nëpërmjet privatizimit vlera e tyre ekonomike do të rritet”, thuhet në projektligj.
Berisha: Do privatizojmë gjithçka
Vetëm digat e mëdha, spitalet, shkollat dhe parqet kombëtare do të mbeten pronë e shtetit, asetet e tjera do të privatizohen. Kryeministri i vendit e ritheksoi edhe një herë këtë çështje në mbledhjen e fundit të qeverisë, plotë një javë më parë, duke e konsideruar si një proces jetik për vendin. Për Kryeministrin privatizimi do të ulë korrupsionin, një problem ky që haset në institucionet publike. Por, në kohën që theksohet se digat, spitalet dhe shkollat nuk do të privatizohen, kjo vlen për digat e mëdha të hidrocentraleve, ndërsa për HEC-t e vegjël, qeveria ka vendosur të privatizojë një pjesë prej tyre. Duke zbatuar këtë proces, kreu i ekzekutivit ka theksuar nga ana tjetër se do të ulet niveli i fondeve që shkojnë për rroga dhe që i paguan buxheti, këto para do të orientohen drejt infrastrukturës dhe përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve, duke investuar në spitale e shkolla. “Privatizimi përbën një nga proceset më themelore të një ekonomie të lirisë së tregut, ndaj dhe ne, duhet të procedojmë me vendosmërinë më të madhe, duhet të shpejtohen të gjitha procedurat e vënies në përdorim të tokës publike nga komunat. Duhet të inkurajohet dhe të nxitet, pasi kërkesat janë jo të pakta dhe mundësitë janë shumë të mëdha për t’u shfrytëzuar”, ka theksuar Berisha.
NERTILA MAHO