Shqipëri-Itali memorandum për mjedisin, prioritet menaxhimi i ekosistemit
Gjatë kësaj vizite, pala italiane ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë në planin e menaxhimit të ekosistemit të liqenit të Shkodrës dhe të lumit të Bunës, si dhe përsa i përket parkut rajonal të Alpeve me Malin e Zi dhe Kosovën. Në këto takime është diskutuar edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe në fushën e mjedisit.
Dollapi : Sdo ketë më probleme me ujin e pijshëm, furnizim i rregullt 24 orë
Këtë verë qytetarët e Tiranës do të kenë furnizim më të mirë me ujë të pijshëm. Sipas Drejtorit të Ujësjellësit Sahit Dollapi qytetarët do të kenë rregullisht tre herë në ditë furnizim por në sasi më të bollshme, pasi përveç investimeve që po kryhen në depo, janë shtuar 200 litër ujë në sekondë që është siguruar nga prerja e lidhjeve të paligjshme. Banorëve të cilët furnizoheshin deri më tani nëpërmjet lidhjeve të paligjshme pa pasur kontratë me ujësjellësin e Tiranës i përkasin zonës së ish Uzinës së Autotraktorëve, të cilët pasi të kenë lidhur kontrata të rregullta do të furnizohen nga depo e Tiranës nëpërmjet një linje transmetimi ekzistues.
Nis trajtimi i specialistëve për 40 fëmijë autikë, tani edhe shërbim në familje
Një ditë pas lançimit të nismës për hartimin e strategjisë kombëtare për autizmin, fondacioni i "Fëmijëve shqiptare", ka filluar trajnimin e specialisteve të qendrës "Fluturo për jetën" me metodat më bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve autik. Projekti është një bashkëpunim i fondacionit "Fëmijët shqiptar", i njohur për mbështetjen e fëmijëve autik, me asistencën profesionale nga "Autizëm speaks", në Nju Jork, dhe është i financuar nga fondacioni "Vodafone Albania". "Është një program i cili do ti japë jo vetëm qendrës Fluturo për jetën më shumë mundësi për të punuar me fëmijët dhe prindërit e fëmijëve autike, por është edhe një moment i rëndësishëm në tërësi për vendin, sepse bëhet fjalë për ngritjen e një ekipi njerëzish që do jenë të pajisur tani e më mbrapa me instrumente bashkëkohore të trajtimit të fëmijëve ", thotë Ariel Çomo, anëtar i bordit të fondacionit "Fëmijët shqiptare". "Kjo që ne sot fillojmë dhe do të zgjasë për muaj, do të vendosë një gur të qëndrueshëm për ti ardhur në ndihmë këtij komuniteti. Ky është vetëm një nga 16 projekte të reja që ne kemi shpallur", tha Albi Greva, përfaqësues i fondacionit "Vodafone Albania". Fondacioni "Fëmijët shqiptare" do të sjellë në Shqipëri modelin standard të trajtimit të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik, si dhe do të realizojë ndërtimin e infrastrukturës, për trajnimin e specialistëve. Në qendrën "Fluturo për jetën" trajtohen rreth 40 fëmijë autike, ndërkohë dhe shumë të tjerë në distancë, në banesat e tyre nëpërmjet specialistëve.