E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i vërtetë kinez

Të obsesionuar me suksesin, amerikanët duhet të shohin Olimpiadën e Pekinit si një metaforë për një pyetje më të madhe dhe brengosëse. A do ta tejkalojë Kina SHBA si ekonomia më e madhe e botës? Hej, mos u brengosni më. Do t’ia kalojë, sigurisht.

Ekonomia e Kinës tani është vetëm sa një e katërta e ekonomisë 14 trilionë dollarëshe e Amerikës, por, nëse i marrim parasysh nivelet e rritjes në të dy shtetet, fuqia e Kinës do t’ia tejkalojë Amerikës në vitet 2020, parashikon Goldman Sachs. Por ky është shqetësimi gabuar. Një Kinë më e pasur nuk e bën Amerikën më të varfër.

Në fakt, ngaqë ka shumë më shumë kinezë sesa amerikanë, standardet mesatare të jetesës në Kinë mund të mbesin pas tonave pafundësisht. Nga parashikimet e Goldmanit, të ardhurat mesatare amerikane do të mbesin dyfishi i të ardhurave kineze në vitin 2050.

Kërcënimi i vërtetë nga Kina gjendet gjetkë. Dhe është fakti se Kina do ta destabilizojë ekonominë botërore. Do të çrregullojë tregun, të ushqejë pabarazitë e mëdha financiare dhe të ndezë garën grindavece për materiale bazë. Simptomat e jostabilitetit tashmë kanë dalë në sipërfaqe dhe, nëse përkeqësohen, gjithkush, përfshirë edhe kinezët, mund të vuajnë. Kina tani po “sfidon disa nga parimet fondamentale të sistemit ekzistues (global)”, - thotë ekonomisti C. Fred Bergsten nga instituti “Peterson”. Kjo nuk është çështje e vogël.

Transferimi i teknologjive përtej kufijve dhe aftësive menaxhuese në rritje kontribuuan në lulëzimin e rritjes ekonomike më të madhe në histori. Standardet e të jetuarit, të matura me të ardhurat për frymë, janë ngritur në kupë që nga viti 1950: 10 herë më shumë në Japoni, 16 herë në Korenë Jugore, katër herë në Francë dhe tri herë në SHBA. E posaçërisht, këto rritje ndodhën pa ndonjë konflikt serioz politik. Me përjashtimin e naftës, tregtia botërore u zgjerua në qetësi. Burimet kryesore të mosmarrëveshjeve globale kanë qenë ideologjitë, nacionalizmi, religjioni dhe konflikti etnik.

Ekonomia tani mund t’i bashkohet kësaj liste, sepse po lëviz baraspesha e fuqisë. SHBA ka qenë arkitekti kryesor i rendit të vjetër dhe Kina është fuqia në ngritje e rendit të ri. Qasjet e tyre dallojnë dramatikisht. Ekonomikisht dominuese pas Luftës së Dytë Botërore, SHBA definoi interesat e saj si promovuese e prosperitetit të aleatëve të saj. Qëllimet ishin të luftohej komunizmi dhe parandalimi i një tjetër Depresioni të Madh. Shtetet do të bënin koncesione të njëllojshme tregtare. Ato nuk do të manipulonin valutat e tyre që të marrin përparësi. Materialet bazike do të ishin të gatshme në çmime jo-diskriminuese. Këto norma kryesisht u respektuan, edhe pse disa shtete i shpërfillën (Japonia me vite manipuloi valutën e vet).

Qëllimet politike të Kinës dallojnë. Rritja e lartë ekonomike dhe krijimi i vendeve të punës kanë për qëllim të ngrenë standardet e jetesës dhe të mbulojnë migrimin e madh rural në qytetet që po rriten.

Ekonomisti Donald Straszheim nga Roth Capital Partners thotë se derdhjet nëpër qytete janë rreth 17 milionë njerëz në vit. Ashtu si thotë ai, Kina e sheh rritjen ekonomike të udhëhequr nga eksporti si magnet për investime të huaja, të cilat sjellin teknologjinë moderne dhe aftësitë menaxheriale. Lulëzimi konsiderohet të jetë thelbësor për mirëmbajtjen e rendit publik dhe monopolin politik të Partisë Komuniste.

Në fillim, Kina ndoqi ambiciet e saj përbrenda kornizës ekzistuese globale. Në fakt, SHBA përkrahu anëtarësimin e Kinës në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001. Por, gjersa shkon e bëhet më e pasur, Kina vazhdimisht po shpërfill normat e vjetra, - thotë Bergsten. Ajo ndjek një politikë tregtare grabitqare duke e mbajtur valutën e vet, renmibin, në nivele artificialisht të ulëta. Kjo stimulon rritjen që udhëhiqet nga eksporti. Nga viti 2000 në 2007, bilanci pozitiv i tashëm i Kinës, një matje e gjerë e rrjedhjes së tregtisë, u rrit nga 1.7 të produktit bruto shtëpiak në 11.1 për qind. Humbësit më të mëdhenj nuk janë prodhuesit e SHBA, por shtetet në zhvillim e sipër, eksportet me fuqi intensive punëtore të së cilës janë më të dëmtuarat.

Tani Kina kërkon të sigurojë furnizimet e materialeve bazike: naftës, gazit natyral, bakrit. Nëse shtetet e tjera vuajnë, e çfarë pastaj? Edhe Kina edhe SHBA janë të interesuara vetëm për vetveten. Por SHBA në ekonominë lulëzuese globale ka parë një mënyrë për të zgjeruar fuqinë e saj, gjersa Kina e sheh ekonominë globale, tregjet e garantuara për eksportet dhe materialet bazike të saj, si mënyrë për të promovuar stabilitet në shtëpi.

Politikat vazhdimisht gjenden në një kurs konfliktuoz. Valuta e nënvlerësuar e Kinës dhe tepricat masive të tregtisë kanë prodhuar 1.8 trilionë dollarë në rezerva të huaja të shkëmbimit (Kina në efekt mbledh valutat, të cilat i fiton gjatë tregtisë). Së bashku me përparësinë e eksportit artificial, Kina ka paratë e gatshme për të blerë pjesë të mëdha në firma amerikane dhe të huaja. Ashtu si u parashikua, kjo ka ndezur kundërplasje politike në SHBA dhe gjetkë.

Remnibi i vrazhdë ka kontribuuar në rritjen e euros kundër dollarit, duke e kërcënuar Evropën me rënie. Kina ka nënçmuar marrëveshjet botërore tregtare dhe oreksi i saj për materialet bazike e bën që të përkrahë regjime armiqësore (Irani, Sudani).

Ekonomia botërore ballafaqohet me kërcënime të tjera: ndërprerje katastrofale të naftës; lëvizje përçarëse të parave. Por shizmi kinez-amerikan vë një dilemë për presidentin e ardhshëm. Nëse s’bëjmë asgjë, nacionalizmi ekonomik i Kinës mund të dobësojë ekonominë botërore, por, nëse vendosim të bëhemi më nacionalistë vetë ne, edhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë. Globalizimi do të thotë ndërvarshmëri; shtetet e mëdha e shpërfillin këtë sipas qejfit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›