E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përfundon rikonstruksioni i çerdhes nr. 26

13/03/2009  Bashkia e Tiranës

Edukimi i fëmijëve të njësisë bashkiake nr. 3 tashmë do të zhvillohet në ambiente të përshtatshme, pasi godina e çerdhes nr. 26 është rikonstruktuar me një fond prej 22 800 000 lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës. Kapaciteti i çerdhes mundëson akomodimin e 80 fëmijëve, të cilët do të përfitojnë një shërbim cilësor, pasi është shtuar dhe kujdesi i veçantë social. Kështu, në funksion të përmirësimit të shërbimit edukativ dhe psikosocial në godinën e rikonstruktuar janë krijuar dhomat e veçanta për mjekun, punonjësin social, sallat për trajnimin e prindërve dhe lojërave për fëmijët. Ndërkohë çerdhja është pajisur me lojëra dhe mjete didaktike për realizimin e procesit edukativ. Po ashtu në këtë çerdhe është instaluar sistemi qendror i ngrohjes dhe pajisja me radiatorë në të gjithë ambientet. I pranishëm në ceremoninë e përurimit, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Edi Rama i ka kërkuar edhe një herë tjetër qeverisë vënien në dispozicion të pronave dhe të aseteve publike dhe kthimin e tyre në funksion të qytetarëve dhe komunitetit. “Besoj se është rasti i duhur për t’i bërë apel Kryeministrit dhe qeverisë që të mos bëjnë as demagogji dhe as propagandë vulgare duke akuzuar Bashkinë e Tiranës për të na vënë në dispozicion hapësirat që kemi kërkuar që në vitin 2005 dhe pastaj përsëri në vitin 2007, për të ndërtuar edhe katër shkolla të reja, tri kopshte, tri çerdhe dhe pesë qendra sociale, pa llogaritur këtu edhe një sërë parqesh për fëmijët në të gjithë kryeqytetin. Janë asete publike, janë prona publike, të cilat duhet t’i jepen bashkisë, sepse është e vetmja bashki në botë që sot nuk disponon asnjë pronë për ta kthyer në funksion të shërbimeve sociale për fëmijët, për nxënësit, për familjet, për komunitetet”, - ka deklaruar Rama. Ndërkohë është theksuar se në muajt e ardhshëm do të jenë zona të tjera në kryeqytet që do të përfitojnë nga rikonstruksione të institucioneve që synojnë edukimin e fëmijëve të moshave të ndryshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›