E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruli: Çmimi i energjisë, shteti do të mbrojë konsumatorin



Sipas ministrit, do gjenden metodat për të mos lejuar rritjen e çmimit dhe pas privatizimit të OSSH-së

Shtrëngimi i duarve mes ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës dhe drejtuesve të kompanisë çeke, që ka blerë OSSH-në, solli shumë pikëpyetje tek konsumatori shqiptar, duke nisur me më të rëndësishmen, çmimin e energjisë. Por ministri Genc Ruli ka nxituar t’i japë përgjigje kësaj vetëm një ditë pas marrëveshjes, duke sqaruar se s’do të ketë rritje të çmimit të energjisë në mënyrë të menjëhershme dhe as në mënyrë abuzive, pasi shteti do të ndërhyjë për të mbrojtur konsumatorin shqiptar.

Ndërkohë qeveria pranon se privatizimi i Operatorit të Shpërndarjes sjell edhe disa rreziqe për të ardhmen, që burojnë nga monopoli i privatit, por edhe pushteti i tij financiar për të ndikuar tek institucionet që do të kenë kompetencat për të vendosur çmimet e energjisë. “Rreziku ekziston edhe në vendet më të zhvilluara, por më shumë se një panik, duhet marrë si një përgjegjësi për të hartuar politika të kujdesshme”, - u shpreh Ruli.

Megjithatë, Ruli thekson se edhe pas privatizimit, qeveria do të ketë disa mekanizma për të mbrojtur qytetarët. Ndërkohë ai bën të ditur se arritja e parë dhe kryesore që do të ndihet menjëherë është se do të kemi energji të vazhdueshme. “Fakti që ne kemi prodhimin, na jep instrumente të ndikojmë në tregun e energjisë, si në furnizim ashtu dhe në tarifa”, - tha ministri. Ai shtoi se “shteti në finale nuk i humbet të gjithë instrumentet për të ndikuar në tregun e energjisë elektrike apo në çmimin e energjisë elektrike, në kuptimin se shteti në periudha të caktuara për arsye ekonomike, apo sociale, mund të vendosë të mos ketë rritje të menjëhershme apo shumë të lartë të energjisë elektrike”. Kreu i Energjetikës, sqaroi dhe pikën që kishte të bënte me borxhet e OSSH-së dhe uljen e vlerës së saj në vitin 2008. Sipas tij, vlera e Operatorit të Shpërndarjes, krahasuar me 2007, ra jo për shkak të keqmenaxhimit, por nga rritja e çmimit të energjisë në tregun botëror. Në këtë pikë, sipas Rulit, transferimi i 60 milionë eurove borxhe nga OSSH tek KESH është një veprim i imponuar nga vetë kushtet e tenderit, të përcaktuara që në vitin 2007. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht tre kompanitë energjetike, OSSH, OST dhe KESH kanë një borxh total prej 150 milionë euro, nga të cilat shpërndarja ka vetëm një pjesë të vogël.

Më tej, ai shpjegoi gjithashtu se investitori çek krahas çmimit prej 102 milionë euro të blerjes së 76 për qind të aksioneve, do të shlyejë edhe borxhet e OSSH deri më 1 janar 2008, kur u hap edhe gara për këtë privatizim. Ndërkohë që debia e krijuar gjatë vitit të kaluar prej rreth 65 milionë euro, për shkak të importit të energjisë, do t’i kalojë KESH-it. “Këtë kusht e kemi pasur në dokumentet e tenderit, për shkak të blerjeve më të mëdha se planifikimi që bëmë në 2008, dhe çmimet e larta që ka pasur tregu ndërkombëtar i energjisë”, - tha Ruli, duke sqaruar se gjatë kësaj periudhe janë blerë mbi 2 miliardë kv orë energji gjatë këtij viti, për shkak të thatësirës që zgjati deri në nëntor. Ministri i Energjetikës, Ruli, ka shtuar se kompania CEZ ka marrë përsipër uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve, sipas objektivave të vendosura nga qeveria shqiptare. Për këtë arsye, investitori ka planifikuar të investojnë rreth 250 milionë euro në rrjetin elektrik të shpërndarjes gjatë 5 viteve të ardhshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›