E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha me zyrtarin e SHBA, vlerësohet roli i Shqipërisë

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon. Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha takoi dje Jason Hyland, Drejtor për Evropën Qendrore dhe Jugore në Departamentin amerikan të Shtetit, i cili shoqërohej në këtë takim nga ambasadori amerikan, John Uithers. Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme, “ministri Basha dhe zyrtari i lartë amerikan vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe bashkëpunimin e ngushtë si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në atë shumëpalësh. Z. Hyland vlerësoi rolin dhe kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë për stabilitetin, paqen dhe prosperitetin në rajonin e Ballkanit”. Ministri Basha falenderoi Hyland për mbështetjen e vazhdueshme dhe të fuqishme që SHBA i ka dhënë vendit tonë për anëtarësimin në NATO, i cili pritet të kurorëzohet në prill të këtij viti në Samitin e Strasburg-Kiehl. Në vazhdim, ministri Basha bëri një prezantim të reformave dhe zhvillimeve në Shqipëri dhe veçanërisht të ecurisë së reformës elektorale. “Bashkëpunimi rajonal, zhvillimet në Kosovë, si dhe perspektiva euroatlantike e vendeve të rajonit, u diskutuan gjerësisht nga bashkëbiseduesit, të cilët theksuan se ndajnë qëndrime dhe vlerësime të njëjta. Me këtë rast, ministri Basha siguroi edhe një herë z. Hyland për vendosmërinë e palëkundur të Shqipërisë dhe Qeverisë shqiptare për të qenë një faktor stabiliteti, moderimi dhe paqeje në rajon e më gjerë”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›