Ministri Basha, drekë me Nanon
adi shkembi
Ish-kreu i PS-së, Fatos Nano, rikthehet sërish në qendër të lëvizjeve politike. Pas replikave në distancë me deputetin dhe ish-ministrin e tij, Fatmir Xhafaj, Nano ka drekuar dje me ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Për më shumë se një orë Nano dhe Basha janë parë të bisedojnë kokë më kokë në restorantin “Princ Park” në periferi të Tiranës. Por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të bëjë të ditur detaje nga biseda. Burime pranë ish-kryeministrit socialist konfirmuan dje takimin e pazakontë para zgjedhjeve. Burimet theksuan se roli i Nanos në zgjedhjet e ardhshme të 28 qershorit ka qenë një prej temave të bisedës me kreun e diplomacisë shqiptare. Katër muaj para zgjedhjeve të 28 qershorit mbetet ende enigmë qëndrimi i Nanos, një rikthim i të cilit në politikën aktive mendohet se do të ndryshojë ekuilibrat e politikës, sidomos atop brenda së majtës. Pas një kohe të gjatë heshtjeje dhe mungese në shfaqjet në publik, ish-kryetari i PS-së u rishfaq pak ditë më parë. Ai replikoi në distancë me deputetin Fatmir Xhafaj lidhur me realitetin e ri të krijuar në Partinë Socialiste pas marrjes së drejtimit të saj nga Edi Rama. Sekretari socialist për çështjet ligjore, Fatmir Xhafaj, gjatë një interviste televizive tha se, Fatos Nano është faktor historik në PS, por duhet njohur realiteti i ri që tashmë ekziston në këtë parti. “Fatos Nano është deputet i PS-së. Është një faktor i rëndësishëm në PS për shkak të historisë së tij dhe PS-së, por është edhe një realitet brenda PS-së, i cili nuk ka nevojë për negocim, ka nevojë thjesht për kontribut; dhe nuk ka arsye pse të mos ndodhë kështu”, u shpreh Xhafaj. Nga ana tjetër i menjëhershëm ishte reagimi ish-kryeministrit, që kërkon të mos spekulohet me emrin e tij në bazën socialiste. “Njeriu i fundit që mund të bënte një deklaratë të tillë nga PS-ja është Xhafaj, dhe ai që më pak nga të gjithë të tjerët e kupton këtë realitet është Xhafaj”, u shpreh Nano. “Natyrisht që spekulime të tilla do të ketë dhe asnjë nga tipa si ky s’do të munden të mbledhë vota në emër të Fatos Nanos, edhe në të ardhmen”, theksoi më tej ish-kreu i PS-së. Ish-kryeministri dhe rival historik i kreut aktual të qeverisë Berisha, rezultoi efikas në verën e vitit 2007, kur i dha Partisë Demokratike gjashtë vota për të zgjedhur nënkryetarin e saj, Bamir Topi, President të vendit. Në momentet kur më shumë se kurrë vendi po i drejtohej zgjedhjeve të parakohshme dhe konsensusi mes PD-së e PS-së dukej thuajse i pamundur, gjashtë deputetë përkrahës të Nanos shkuan në Parlament në kundërshtim me vullnetin politik të PS-së dhe votuan për kreun aktual të shtetit. Rishfaqja e Nanos në momente të tilla nuk bëhet për herë të parë. Një dalje e tij publike në krah të kryeministrit Berisha në fillim të vitit 2007, bëri që PS-ja të ulej në tryezën e bisedimeve të iniciuar nga Presidenti i asaj kohe, Alfred Moisiu dhe të pranonte marrëveshjen për dokumentet që do të përdoreshin në zgjedhjet lokale.