E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria premton rritje progresive të rrogave dhe pensioneve

25/01/2011  Mblidhet Komiteti i Planifikimit të Strategjive për të diskutuar për buxhetin afatmesëm

Objektivi: Këtë 3-vjeçar Shqipëria të ngjitet me më shumë se dy vende të BE-së

Rritja progresive e rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë është objektivi që parashikohet për t’u realizuar nga qeveria shqiptare përmes planit të buxhetit afatmesëm. Gjatë mbledhjes së Komitetit të Planifikimit të Strategjive kryeministri Berisha parashtroi objektivat e qeverisë së tij, ku në veçanti theksoi bërjen të pamundur që 800 mijë familje me rroga dhe pensione nga shteti të kenë rritje të përvitshme të të ardhurave të tyre personale. “Ne kemi shpallur si objektiv që këtë 3-vjeçar të kalojmë më shumë se dy vende të Bashkimit Evropian për sa u përket rrogave dhe pensioneve. Kjo është e domosdoshme dhe është një politikë konstante. Ne këtë e kemi realizuar çdo vit dhe do ta realizojmë. Ne kemi shpallur se viti 2012 do të jetë viti pa të mjerë në Republikën e Shqipërisë. Së shpejti ne sjellim një ligj të ri në Parlament”, - theksoi Berisha në fjalën e tij. Për sa i takon sistemit shëndetësor, buxheti afatmesëm, sipas kreut të qeverisë, garanton një transformim cilësor të shërbimit shëndetësor. Kryeministri prezantoi vendosmërinë e qeverisë për të instaluar brenda këtij viti mekanizmin e ri financiar në sistemin shëndetësor. Ndërsa në fushën e sigurimeve shëndetësore ai tha se do të realizohet kostifikimin për gjithçka dhe çdo gjë që ka të bëjë me shërbimin shëndetësor ndaj qytetarëve shqiptarë. Shkollimi i fëmijëve është një tjetër objektiv që do të mbështetet nga qeveria në buxhetin afatmesëm. “Ata janë e ardhmja. Ashtu si do t’i shkollojmë ata sot, do të jetojmë ne të gjithë nesër. Kjo është e ardhmja, që një bllokmen i shndërruar në puçist kërkon t’ua djegë me bomba molotov. Ne do të bëjmë gjithçka që me mekanizimin e ri financiar që do të instalojmë në sistemin e arsimit të lartë të mund të ndjekim dhe mbështesim cilësinë. Unë ju garantoj se në çdo hallkë të arsimit tonë, tani që kemi arritur parametrat më të shkëlqyer sasiorë, ne do të rendim me vendosmëri dhe pasion të papërmbajtur drejt cilësisë dhe vetëm cilësisë”, - tha Berisha. Kreu i qeverisë, duke bërë një përmbledhje të prioriteteve deklaroi se i gjithë buxheti, të gjitha burimet financiare do të jenë në funksion të synimit që Shqipëria në vitin 2017 të jetë vend i zhvilluar. “Shqipëria i ka të gjitha potencialet, por shfrytëzimi i tyre kërkon infrastrukturë, kërkon rrugë, energji, ujë. Asnjë nga këto, përveç rrugëve, nuk i mungojnë. Dhe rrugët ne po i ndërtojmë. Ne po ndërtojmë rrugë, dhe po i ndërtojmë me filozofinë më të drejtë. Ne ndoshta jemi nga më të paktat vende në botë që projektin e infrastrukturës po e bazojmë në konstanten “kohë”. Kursejmë kohën, më të çmueshmen për njeriun. Ndaj po bëjmë dhe do të shpenzime të mëdha që koha e shqiptarëve për të ardhur në Tiranë të jetë së paku 2 herë më e shkurtër sesa ajo që është sot. Ne besojmë se njeriu me kohën e vetë mund të bëjë më të mirën, më të çmuarën”, - vijoi ai. Në këtë kontekst, ai përmendi edhe përmirësimin e infrastrukturës rurale. “Ne kurrë ndonjëherë nuk do të mund të flasim për një Shqipëri vend të zhvilluar pa nxjerrë tërësisht fshatin tonë nga infrastruktura e tij mesjetare. Unë ju them se askush nuk duhet të çuditet se në 91 komunat që akoma nuk i kemi lidhur me akset kombëtare, të cilat kur erdhëm në pushtet ishin rreth 260, të gjithë ata qytetarë udhëtojnë me rrugë, disa prej tyre të mesjetës. Se njerëzit kanë udhëtuar në të gjitha kohërat me kuaj, me mushka dhe kur ka qenë e mundur dhe me qerre. Pra, akoma i kemi në këtë stad, por ne jemi të vendosur që çdo fshati të këtij vendi t’i japim infrastrukturën që kanë lagjet e qytetit”, - tha më tej ai.

Berisha për Ramën

“Një gjë është e sigurt: ky buxhet mbështet fuqishëm këtë turravrap të Shqipërisë që një njeri për hir të karriges së tij kërkon ta djegë, kërkon ta ndalë; që një njeri ka kërcyer nga gëzimi për vrasjet që ndodhën. Dua t’u them shqiptarëve se çfarë u tha ai atyre me të cilët rrinte në bunkerin e Fidelit. U tha se ‘tani me vrasjet fituam’. Absolutisht. Po të ishte burrë, ai u dilte në ballë me flamur. Por shqiptarët e panë se cili ishte flamurtari.”

Tarifat

“Qytetarët shqiptarë i rëndon tarifa e operatorëve celularë. Ministri i Novacionit Pollo ka ndërmarrë një takim me operatorët dhe e ndërmori pasi konsulentë ndërkombëtare faktojnë ekzistencën e tarifave të papranueshme. Unë i ftoj operatorët të arsyetojnë. Sikundër, garantoj shqiptarët se Kryeministri i vendit do të përdorë të gjitha mjetet ligjor për të mbrojtur interesat e tyre. Nuk mund të ketë asnjë lëkundje për këtë çështje”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›