E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, katër provimet tashmë do të jenë të detyrueshme

25/01/2011   Pranimet në universitete, gara e konkurrimit do të vijojë nëpërmjet 10 preferencave

Procesi i korrigjimit do të jetë manual dhe jo kompjuterik, ndryshe nga sa u mendua

Gara e pranimeve në universitete për vitin e ardhshëm akademik do të përfshijë në konkurrim rreth 38 mijë nxënës që mbarojnë gjatë këtij viti shkollën e mesme. Megjithatë, ndryshe nga matura e një viti më parë, gjimnazistët do të përballen me një sërë ndryshimesh, të cilat forcojnë më tej kriteret e pranimeve në universitete. Konkretisht, për të vijuar procesin e konkurrimit secili kandidat do të duhet të marrë të katër provimet e maturës, duke përfshirë këtu dy lëndët me zgjedhje dhe dy lëndët e detyruara. Por vetëm pas marrjes së notës kaluese në të katër provimet maturanti do të mund të pajiset me diplomën e maturës. Kjo e fundit kushtëzon edhe shlyerjen e detyrimeve me shkollën e mesme. Katër provimet tashmë do të jenë të detyrueshme, në të kundërt maturanti nuk e ka mbyllur ciklin e studimeve parauniversitare. "Nuk ka ndryshime në thelb, po thjesht në mënyrën e konceptimit të saj. Nëse vjet kemi pasur dhënien e dy provimeve detyruese dhe më pas kemi dy provime që janë me zgjedhje dhe që përcaktojnë shkallën e kandidatëve që do vazhdojnë studimet e larta. Sivjet është taksative që do të jenë katër provime, pasi në fund maturanti nuk do të pajiset me dëftesë, por do të pajiset me diplomë", - ka deklaruar gjatë ditës së djeshme zëvendësministrja e Arsimit Nora Malaj. Një rëndësi e veçantë këtë vit do ti kushtohet edhe procesit të vlerësimit. Malaj shpjegon se procesi i korrigjimit të testeve do të jetë i njëjtë, manual pavarësisht ideve që kanë hedhur drejtuesit e arsimit të lartë, që ai mund të ishte kompjuterik. "Sistemi i vlerësimit do të jetë po ai që ka qenë duke u nisur nga notat përkatëse, po përsëri gjithë procedura do të hartohet me barkode, do sekretohet, do të korrigjohet nga dy persona dhe më pas i treti do të bëjë atë që quhet niveli më i lartë të vlerësueshmërisë së tyre",- shton më tej Malaj. Ndërkohë procesi i aplikimeve për shkollat e larta do të konfirmohet me plotësimin brenda afateve të përcaktuara të dy formularëve A-1 Dhe A-2. Në të parin do të listohen dy lëndët me zgjedhje që maturanti do të japë provim, ndërsa në formularin e dytë edhe për këtë vit do të listohen 10 preferencat nga më e pëlqyera te më pak e preferuara ku kandidati do të vijojë studimet e larta.

Plotësimi i formularëve

Plotësimi i formularit A-1 do të jetë kushti kryesor për të zyrtarizuar pjesëmarrjen për pranimet në universitete gjatë vitit akademik 2011-2012. Plotësimi i këtij formulari, ku maturantët e rinj dhe ata të vjetër do të caktojnë dy lëndët me zgjedhje, do të nisë në fund të muajit shkurt. Sipas ekspertëve hartues të maturës, ky formular nuk pritet të ketë asnjë ndryshim krahasuar me atë që është përdorur një vit më parë. Ndërkohë fazat kohore të plotësimit do të jenë të ndryshme. Njëkohësisht edhe formulari i preferencave që do të plotësohet gjatë muajit korrik do të jetë po në të njëjta standarde. Kjo do të thotë se në të do të listohen të gjitha degët që do të ofrojnë universitet, ndërsa nxënësi duhet të rendisë vetëm dhjetë prej tyre.

Nënshkruhet marrëveshja

Jo më publike të dhënat personale të nxënësve e studentëve

Për të mbrojtur të dhënat personale të nxënësve, studentëve dhe mësuesve, Ministria e Arsimit ka nënshkruar gjatë ditës së djeshme një marrëveshje bashkëpunimi me institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Në funksion të kësaj marrëveshjeje kreu i Ministrisë së Arsimit Myqerem Tafaj ka pohuar se po insistohet që edhe në shkollat e larta të mos shpallen më rezultate me emër dhe mbiemër, por vetëm numrat e identitetit ose matrikulimit. Në këto kushte, të dhënat personale të secilit student do të jenë më të sigurta. "Është shumë e rëndësishëm firmosja e kësaj aktmarrëveshjeje, pikërisht angazhimi më pas në projekte të përbashkëta, ku do të jenë të ingranuar në të jo vetëm personeli arsimor, por dhe prindërit, në mënyrë që të ketë një informacion më të qartë, një ndërgjegjësim më të mirë të gjithë këtyre aktorëve", - ka pohuar drejtoresha e këtij institucioni Floresha Pogaçe. Ruajtja e të dhënave personale është zbatuar te matura shtetërore, duke filluar nga viti i shkuar, me qëllim për të shmangur abuzimet me testet. Aktualisht sistemi ynë arsimor përfshin rreth 850 mijë fëmijë të kopshteve, nxënës, studentë, mësues, pedagogë dhe kërkues shkencorë dhe, si i tillë, është sistemi që në gjithë veprimtarinë e tij duhet të kujdeset në mënyrë të veçantë për mbrojtjen e të dhënave personale. Ministri Tafaj garantoi komisioneren për gatishmërinë e interesin maksimal për ta thelluar këtë bashkëpunim në të gjitha format, në mënyrë që të garantohet në çdo aspekt mbrojtja e të dhënave personale.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›