E Diel, 1 Nëntor 2026

Nen skaner organizatoret dhe pjesemarresit ne proteste, prokuroria therret Doshin e Sterkajn

25/01/2011  Prokuroria: Hetim gjithëpërfshirës për demonstratën e 21 janarit. Sekuestrohen pamjet filmike

Në skaner organizatorët “de juro” dhe “de fakto” që sulmuan godinën e Këshillit të Ministrave

TIRANE-Prokuroria e Tiranës pritet të shtrijë hetimet edhe tek eksponentët e Partisë Socialiste, të cilët organizuan dhe drejtuan turmën e njerëzve drejt mureve të godinës së Kryeministrisë. Hetimi i nisur prej akuzës kryeqytetase lidhur me zbardhjen e demonstratës së 21 janarit, do të detyrojë dhe drejtuesit e saj që të japin shpjegime para prokurorëve të Tiranës. Këta të fundit pritet që gjatë ditëve në vazhdim të dërgojnë fletë-thirrje në drejtim të personave që e udhëhiqnin demonstratën në terren. Lidhur me këtë çështje aktualisht grupi i hetimit është duke administruar, të gjitha pamjet filmike, të kamerave të Kryeministrisë, të policisë, por dhe të televizioneve që kanë transmetuar përgjatë pasdites së 21 janarit. “Të gjitha pamjet filmike, por edhe informacionet e servirura nga policia, do administrohen në dosje, ku më pas pritet analizimi i tyre”,-thanë burimet pranë akuzës së Tiranës. Ato shtuan se hetimi i kësaj ngjarjeje do jetë gjithë përfshirës dhe se do fillojë kryerjen e procedurave penale tek organizatorët “de juro”, por dhe “de fakto” të demonstratës së dhunshme të opozitës shqiptare. Ndërkohë për sa i përket firmosjes së 6-të urdhër-arresteve, Prokuroria sqaron se ato kanë dalë nga pamjet filmike dhe nga dëshmitë paraprake të plagosurve dhe dëshmitarëve okularë. “Nuk janë arrest në flagrancë, pasi në këtë moment do të kishim një procesverbal arresti nga oficerët e Policisë Gjyqësore. Urdhrat janë firmosur në orët e para duke u gdhirë dita e shtunë. Urdhrat e ndalimit nuk kanë asnjë afat kohor, mund të ekzekutohen në çdo moment. Më pas personat që do të ndalohen do të shkojnë në gjykatë për vlerësimin e masës së ndalimit”,-thanë burimet pranë Prokurorisë së Tiranës. Ndërsa për sa i përket deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha se urdhër-arrestet kanë pasur lapsuse në formulim, burimet pranë akuzës së Tiranës pranuan se pesë prej tyre ishin me gabime në artikulim. Ato thanë se policia mund të kishte kryer ekzekutimin e urdhrit për komandantin e Gardës Ndrea Prendi, pasi urdhër-ndalimi për të nuk kishte asnjë gabim apo lapsus në artikulim. Për zbardhjen e ngjarjes së demonstratës së 21 janarit, Prokuroria është duke pyetur dhjetëra persona, ndërkohë që lidhur me ngjarjen janë aktivizuar dhe dy oficerë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ata kanë sekuestruar plot 140 armë të llojeve dhe kalibrave të ndryshme të Gardës së Republikës, me qëllim kryerjen e ekspertizës balistike për të mësuar se cilat nga armët ka qenë “shkaktarja” e vrasjes së tre personave si dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Dy deputetët e PS pritet të paraqiten në prokurori për të dhënë sqarime

Akuza, nis fletë-thirrje për Tom Doshin e Paulin Stërkajn

TIRANE-Prokuroria e Tiranës, pritet të thërrasë për të marrë në pyetje dy deputetë të Partisë Socialiste, pasi dyshohet se ata kanë drejtuar turmën e demonstruesve drejt mureve të godinës së kryeministrisë. Paulin Stërkaj dhe Tom Doshi, janë dy emrat që pritet të paraqiten në akuzën e kryeqytetit, ku para grupit hetimor të ngritur për çështjen e “21 janarit” deputetët e PS-së të japin shpjegime lidhur me organizimin, menaxhimin, drejtimin dhe kontrollimin e turmave të njerëzve që ishin sjellë nga PS para dyerve të godinës së kryeministrisë. Urdhëri për thirrjen e tyre në prokurori është firmosur nga prokurori i kryeqytetit z. Sokol Malaj, i cili pas analizimit të provave të deritanishme ka dalë në konkluzionin se dy deputetët e PS-së duhet të pyeten për të dhënë sqarime lidhur me demonstratën e së premtes. Mësohet se si shkak për nxjerrjen e këtij urdhri janë bërë disa regjistrime filmike të kamerave të instaluara nga policia, ku dy deputetët janë parë mes demonstruesve si dhe në radhën e parë, aty ku policia dhe demonstruesit ndesheshin me njëri-tjetrin me mjete të forta. Po kështu deputeti i Shkodrës është vënë re duke biseduar me një person që sipas kamerave të policisë, ai kishte me vete një armë zjarri të llojit pistoletë. Ai quhet Gjin Ndreu, i arrestuar fillimisht nga policia dhe më pas i liruar nga gjykata, pasi i ndaluari pretendoi se poshtë veshjeve mbante çadrën dhe jo armë zjarri. Ndërsa për sa i përket deputetit Paulin Stërkajt edhe ky i fundit është parë mes turmës së demonstruesve, por nuk dihet ende me saktësi se cili ka qenë roli i tij në këtë demonstratë të dhunshme që solli vdekjen e tre personave dhe plagosjen e disa të tjerëve. Për të gjitha paqartësitë e prokurorisë, ato do japin shpjegime në këtë institucion duke u pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi rrethanat e ngjarjes. Prokuroria në bashkëpunim me Drejtorinë Përgjithshme të Policisë së shtetit ka filluar këqyrjen dhe identifikimin e të gjithë demonstruesve të dhunshëm që duken qartë në pamjet filmike duke goditur policin. Për të gjithë këta personat, sipas prokurorisë, është urdhëruar nga drejtuesi Malaj që të arrestohen dhe të vihen para përgjegjësisë penale për veprimet e tyre. Me urdhër të prokurorisë, policia ka nisur fotografit e personave tashmë të identifikuar në të gjithë komisariatet e vendit për të kryer arrestimin e personave që kryenin veprime të dhunshme ndaj policisë dhe pronës shtetërore e private. Këto veprime do i hapin rrugë një vale të gjatë arrestimesh në rrethet e ndryshme të vendit, nga të cilat erdhën dhe demonstruesit e 21 janarit.

Përplasje për vrasjen në trotuar

Manipulimi i provave,

tension polici-akuzë

TIRANE- Përplasjet mes policisë dhe Prokurorisë nuk janë shfaqur vetëm për mos ekzekutimin e 6 urdhër-arresteve të drejtuesve të Gardës së Republikës, por edhe për ekspertimin e skemës se si janë vrarë tre demonstruesit Hekuran Deda, Zyber Veizi dhe Faik Myrto. Tre vrasjet e ndodhura në demonstratën e PS, janë bërë objekt i një debati të ashpër mes Prokurorisë dhe ekspertëve të Policisë së Shtetit. Gjatë ekzaminimeve këta të fundit kanë dalë në konkluzionin se shtetasi Hekuran Deda, është qëlluar nga prapa dhe se qitja e armës është kryer nga zona e Piramidës dhe jo e Kryeministrisë. Ndërsa kanë lënë të hapur për diskutim edhe vrasjen e shtetasit nga Gjirokastra Zyber Veizi, i cili u qëllua me një plumb në gjoks përpara derës së Kryeministrisë. Sipas ekspertëve të policisë, vrasja e Veizit mund të jetë kryer nga një person që fshihet prapa shpinës së dy demonstruesve të tjerë, pozicioni i të cilëve pritet të sqarohet në ditët në vazhdim. Ndërkohë që ajo që ka ndezur më shumë gjakrat është se Prokuroria ka akuzuar në heshtje Policinë e Shtetit, se kërkon të manipulojë provat për vrasjen e shtetasit Hekuran Deda. Akt-ekspertiza e nxjerrë nga specialistët e policisë del në konkluzionin se vrasja e Dedës nuk ka ardhur si pasojë e të shtënave nga brenda Kryeministrisë, por ajo është kryer nga zona e Piramidës. Këtë pretendim ekspertët e bazojnë, në faktin se plumbi i ka hyrë viktimës prapa veshit duke i dalë në pjesën e përparme të ballit. Nga ana tjetër Prokuroria ka kundërshtuar këtë akt-ekspertim duke pohuar se ai nuk përputhet me dëshmitë e personave që kanë qenë të pranishëm në vendin e krimit. Gazetari Fatos Mahmutaj është dëshmitari kryesor i kësaj vrasjeje, pasi ai në ngjarje ka mbetur i plagosur. Prokuroria shprehet se ekzistojnë dëshmi që tregojnë dhe gardistin që ka qëlluar në drejtim të turmës, ku pas shkrepjes së armës është plagosur gazetari Fatos Mahmutaj dhe vrarë shtetasi Hekuran Deda. Pritet që përplasja mes dy institucioneve të hetimit në vend të marrë përmasa akoma dhe më të mëdha, pasi Prokuroria dhe policia nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët për të zbardhur ngjarjen.

Masa e Fiqiri Xibrit kryhet në ambientet e Spitalit Ushtarak

Masat e 116 personave, mbeten në

burg 27 demonstrues, lirohet Ndreu

TIRANE- Gjykata e Tiranës ka dhënë masat e sigurisë për 113 të arrestuarit e demonstratës së 21 janarit. Prokuroria ka kërkuar për secilin prej tyre masa me arrest në burg, arrest me 20 ditë burgim, si dhe detyrim paraqitjeje. Nga 113 personat, togat e zeza kanë lënë në qeli 27 demonstrues, ndërkohë që pjesa tjetër është liruar me masën e detyrimit për paraqitje. Gjykata vendosi për të arrestuarin Gjin Ndreu masën detyrim paraqitjeje duke hedhur poshtë pretendimin e policisë se ka qenë i armatosur gjatë demonstratës. Po kështu i lirë është lënë dhe Kryetari i Sindikatës së Minatorëve Fiqiri X., masa e të cilit është dhënë në Spitalin Ushtarak, pasi ai nuk mund të paraqitej në gjykatë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Për zhvillimin e masës së sigurisë, gjykata e Tiranës ka vënë në dispozicion të gjitha ambientet e saj duke pezulluar çdo gjyq tjetër përveç atij të “Gërdecit”. Në çdo sallë gjyqi janë shpërndarë deputetët e Partisë Socialiste që ndiqnin dhënien e masave të sigurisë. Ndërkohë korridoret e gjykatës janë mbushur si asnjëherë më parë me të afërm të të arrestuarve dhe përfaqësues të politikës. Ndërkohë për herë të parë pas disa muajsh zvarritja e seancës së Gërdecit nuk është shtyrë, por ka nisur me pyetjet e dëshmitarëve të mbetur.

Deklarata e Arben Nasufit

Kryekomisari: Nga filmimet duket

edhe një person tjetër i armatosur

TIRANË- Një tjetër demonstrues është filmuar me armë në brez. Këtë e ka bërë të ditur dje kryekomisar Arben Nasufi, i cili në një komunikim me mediat u shpreh se “Në vijim të komunikimeve të dhëna nga ana jonë, mbi demonstratën e datës 21 janar 2011, ju bëjmë me dije se, Strukturat e Hetimit të Krimit, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, nga analiza që vazhdojnë t`i bëjnë ngjarjeve të ndodhura, informacioneve të grumbulluara dhe pamjeve filmike në këtë demonstratë, kanë bërë të mundur identifikimin e një shtetasi, i cili gjatë zhvillimit të protestës, ka qenë i armatosur me armë zjarri të tipit pistoletë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë. Nga ana e Strukturave të Policisë, po punohet për identifikimin, dokumentimin ligjor dhe kapjen e këtij shtetasi. Pamjet filmike nëpërmjet video-projektorit e tregojnë këtë më së miri”. Ndërkaq, policia e Tiranës ka ndaluar shtetasit Ani Byku, 26 vjeç, dhe Ymer Murati, 47 vjeç. Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë për këta shtetas ka lëshuar urdhrin e ndalimit të datës 23.01.2011, pasi akuzohen se më datë 21.01.2011, nga ora 14.00 -19.00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë.

Berisha përgëzon Gardën

Kryeministri përgëzoi dje forcat e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës për ndërhyrjen më 21 janar. Berisha tha se “Më 21 janar, forcat e policisë, në mënyrën më të pamerituar, u përballën me një sulm barbar të rreth 200-300 personave të paguar dhe të droguar, që synonin të realizonin një skenar puçi, skenar që dështoi në mënyrën më të turpshme".

Kryeministri kritikon SHIK-un

Kryeministri Sali Berisha bëri përgjegjës edhe SHIK-un për mosdërgimin e informacioneve rreth pjesëmarrësve në demonstratë. Sipas tij, më datën 20 janar ky shërbim nuk ka dërguar të dhëna pranë Policisë së Shtetit rreth pjesëmarrësve në demonstratë dhe faktit nëse ishin të armatosur apo planet për puçin.

Kryeprokurorja diskuton situatën me Arvizun

Tensioni prokurori-qeveri, Rama

takim me ambasadorin e SHBA-së

TIRANE- Pas akuzave të drejtpërdrejta nga Kryeministri i vendit se Kryeprokurorja Ina Rama ka qenë pjesë e puçit të shtetit, kjo e fundit paraditen e djeshme ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-së, Aleksandër Arvizu. Burime pranë Prokurorisë skanë pranuar të japin asnjë koment lidhur me këtë takim, duke u përgjigjur se skishin dijeni për një takim mes Kryeprokurores dhe ambasadorit amerikan. Takimi mes Ramës dhe Arvizut është konfirmuar nga burime jo zyrtare pranë Prokurorisë, të cilat thanë se Kryeprokurorja është paraqitur dje në ambasadën amerikane, ku ka diskutuar me ambasadorin situatën aktuale që ndodhet Prokuroria e Përgjithshme, si dhe impenjimin maksimal që është ndërmarrë për zbardhjen e tre vrasjeve të ndodhura në demonstratën e 21 janarit. Mësohet se të dyja palët kanë rënë dakord për hetimin pa asnjë anshmëri të zhvillimeve të fundit në vend, si dhe vënien para drejtësisë të personave që ekzekutuan tre demonstruesit. Rama dhe Arvizu duket se kanë bashkëbiseduar edhe për sulmin e hapur që i bëri mazhoranca Prokurorisë, e cila e akuzoi atë si bashkëpunëtore në puçin e shtetit të ideuar nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›