E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria pretendon të fuqizojë misionet konsullore

Brenda 5 vitesh të pavarësisë Kosova ka vendosur vetëm një mision të plotë konsullor duke themeluar Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York. Në 13 vende të tjera ka hapur njësi konsullore, por jo edhe konsullatën e përgjithshme. Këtë legjitimitet qeveria e vendit ka paralajmëruar se do t’ua jap sivjet edhe disa misioneve të tjera konsullore. Megjithatë Artan Behrami, shef i zyrës për media në Ministrinë e Punëve te Jashtme ka përmendur vetëm konsullatën në Gjenevë.

“MPJ ka iniciuar shndërrimin e Konsullatës në Gjenevë në Konsullatë të Përgjithshme. Në Gjenevë përveç se gjenden një numër i konsiderueshëm i qytetarëve kosovarë, kanë selitë e tyre një numër i madh i organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe agjenci të Kombeve të Bashkuara. Kjo e bën këtë qytet të konsiderohet qendër e diplomacisë botërore, dhe pas New York-ut, qendrën më të rëndësishme të bashkëpunimit ndërkombëtar të OKB-së”, ka thënë Behrami për Radio Kosovën.

Behrami ka thënë se tanimë e zyrtarisht konsiderohen të jenë tri konsullata të përgjithshme. Por, deri më tani legjitimiteti i plotë, sipas rregullave të shërbimit konsullor ka ende vetëm konsullatat në New York. Kjo e fundit edhe ne faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme figuron si Konsullata e vetme e Përgjithshme.

“Është funksionalizuar Konsullata e Përgjithshme në Stamboll dhe ajo në Strasburg ku edhe ndodhet selia e Parlamentit Evropian, e Këshillit të Evropës dhe Parlamenti Evropian. Ajo kuptohet do të shërbej për shtetasit e Republikës së Kosovës për shërbimet konsullore”, ka thënë Behrami.

Behrami nuk ka sqaruar nëse do të ketë ndonjë ndryshim në taksat konsullore të cilat vazhdojnë të jenë të njëjtat në të gjitha shtetet.

Kosova aktualisht u ofron shërbime konsullore në Stamboll, Strasburg, Bruksel, Berlin,Frankfurt, Shtutgart, Londër, Bernë,Gjenevë, Cyrih,Vjenë,Paris dhe Romë. Ndërsa ka të hapur edhe një seksion konsullor në Ambasadën e Kosovës në Mbretërinë e Suedisë.
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›