Qeveria reagon për çështjen “Berisha”, Kumbaro: Respektojmë pushtetin e pavarur të drejtësisë

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, gjatë prezantimit të vendimeve të qeverisë sot është përgjigjur edhe mbi çështjen që SPAK-u ka ngritur ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Pas mbledhjes së qeverisë, Kumbaro u shpreh se anëtarët e kabinetit nuk i komentojnë vendimmarrjet nga instancat e drejtësisë.
“Respektojmë ndarjen e pushtetit dhe e respektojmë jo thjesht se e kërkon Kushtetuta, por kjo qeveri, kjo mazhorancë politike ka themeluar, ka punuar që ky sistem i drejtësisë, Gjykata e Posaçme dhe Prokuroria e Posaçme, të funksionojnë në kushtet më të mira të mundshme,” tha ministrja.
Për znj. Kumbaro as për rastin Berisha “nuk duhet të bëjmë komente apo një përjashtim”.
“Ne kemi besuar fort që këto institucione të funksionojnë në mënyrë të pavarur nga çdo lloj presioni që mund t’i bëhen nga mazhoranca,” përfundoi deklaratën e saj Kumbaro.
/rtsh.al