Qeveria refuzon Bashkinë

Dy ditë më parë zoti Rama i dërgoi një letër kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm të cilëve u kërkoi shkarkimin e prefektit Kruja pasi sipas tij ai po shkel Kushtetutën duke cënuar autonominë vendore.
Por qeveria nuk duket ta ketë marrë parasysh kërkesën e kreut të Bashkisë dhe përmes deputetit Gent Strazimiri ka këmbëngulur në qendrimin e prefektit Kruja.
“Bashkia e kryeqytetit nuk mund të qeveriset me çorape në kokë. Shqiptarët nuk kanë para tepër për të humbur në xhepat, qoket, borxhet dhe hallet e asnjë individi. Shqiptarët duan dhe e meritojnë transparencën për paratë e tyre, e drejtë që u buron nga ligjet e vendit para të cilave të gjithë janë të barabartë dhe në të cilat vjedhja dënohet. Duke e konsideruar këtë qëndrim të Edvinit si një akt banditesk, në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, në emër të deputetëve të Qarkut të Tiranës kërkoj transparencën deri në qindrakën e fundit të parave të taksapaguesëve shqiptarë të akorduara Bashkisë së Tiranës”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputeti i PD-së, Gent Strazimiri.
Rama në letrën e tij deklaroi se do të padiste penalisht Prefektin e Tiranës. Ndërsa situata më e fundit tashmë e zhvendosur në qeverisjen vendore pritet të ndezë më tej konfliktin mes paleve që tashme prej 1 viti po përplasen për çështjen e transparencës së zgjedhjeve të 28 qershorit.