E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Dol fushatë për PD-në. Foli si të ishte vëlla i kryeministrit

27/06/2010 Kreu i PS-së këmbëngul se ka një marrëveshje në Strasburg

“Ditët në vijim do të jenë ditë të vendimmarrjes së përbashkët në grupin parlamentar për mënyrën se si do të procedojmë”

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka këmbëngulur sërish dje se ekziston një marrëveshje e propozuar në Strasburg nga ndërkombëtarët. Deklarata e tij erdhi vetëm një ditë pas deklaratave të përsëritura të kryetarit të grupit parlamentar të PPE-së në Parlamentin Evropian Zhozef Dol, i cili u shpreh se nuk ka pasur asnjë marrëveshje të këtij lloji. Por për Ramën kjo nuk është gjë tjetër veçse një deklaratë në favor të PD-së dhe kryeministrit Berisha. “Zoti Dol, siç e tha dhe vetë, erdhi në një vizitë të planifikuar katër muaj më parë. Bëri atë që do të kishte bërë edhe katër muaj më parë, pra bëri fushatë për PD-në, si një parti simotër, dhe për kryeministrin, si një partner-sivëlla”, - tha Rama, duke shtuar se u mbetet besnik atyre që ka shkruar në letrën drejtuar dy personaliteteve të PE-së: Dol dhe Shulc. “Unë u mbetem besnikërisht atyre që kam thënë dhe gjithçkaje që kam shkruar në letrën e adresuar zotit Dol dhe zotit Shulc, që shpresoj që në kthim zoti Dol ta marrë.” Këto deklarata Rama i bëri gjatë takimit të përjavshëm me gazetarët, ku u shpreh se aksioni i opozitës do të vazhdojë dhe se në ditët në vazhdim do të vazhdojë bashkëbisedimi me grupin parlamentar të PS-së, ku do të vendoset se cilët do të jenë hapat që do të hidhen në të ardhmen nga ana e opozitës në lidhje me zgjidhjen e ngërçit politik të krijuar nga kërkesa e saj për hapjen e kutive të votimit të 28 qershorit, por nga ana tjetër, duke besuar dhe në ndërgjegjësimin e mazhorancës. Nga ana tjetër, Rama kërcënoi sërish me protesta, në rast se nuk gjendet rruga e zgjidhjes. “E në rast se rezultati nuk do të vijë në këtë stacion, ne do të rimarrim rrugën e protestës sonë, rrugën e përshkallëzimit të saj, që tanimë shqiptarët dhe mbarë ajo pjesë e vogël e botës së madhe demokratike që na ndjek e di se jemi në gjendje ta bëjmë, për ta gjetur zgjidhjen në stacionin e ardhshëm”, - tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›