Sekuestrohen e-mailet e Alibeajt për Gërdecin
TIRANË- Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecitsekuestron letër-këmbimet e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, me këshilltarin e Mediut, Plarent Ruka. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës , të cilët shtuan se me publikimin e këtyre e-maileve në media, hetuesit e dosjes “Gërdeci” kanë zbarkuar në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryeministrisë, ku kanë sekuestruar të gjitha shkresat dhe korrespodencat e mbajtura mes këtyre dy institucioneve nga dhjetori 2006 deri në fillim të marsit 2007. Gjithashtu, është thirrur dhe është marrë në pyetje ish-këshilltari i FatmirMediut, shtetasi Plarent Ruko, të cilit gjatë kohës që po merrej në pyetje i është komunikuar urdhri për sekuestrimin e letërkëmbimit me Alibeajn. Ish-këshilltari Ruko ka dhënë shpjegime edhe në lidhje me takimet e bëra mes tij dhe ish-drejtuesit të auditit në kryeministri, Alibeaj.
“Takimet janë zhvilluar brenda në kryeministri, në ministri të Drejtësisë dhe në lokalet e qendrës së kryeqytetit, ndërsa sa i përket letër-këmbimeve, ato kanë filluar nga dhjetori i vitit 2006 dhe janë shpeshtuar jashtëzakonisht në muajt e parë të vitit 2007”,-thuhet nga prokuroria. Sipas akuzës, këto e-maile të cilat tashmë janë sekuestruar dhe administruar në dosjen voluminoze të çështjes së Gërdecit, ku rezulton se Alibeaj me detyrën e drejtuesit të auditit të kryeministrisë, ofronte asistencë juridike dhe zgjidhje të problemit se çfarë duhej bërë me armët, teknikën dhe pajisjet që dilnin nga përdorimi dhe që ishin pronë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Këto biseda, mësohet se janë kryer në kohën kur kompania amerikane “Southern Ammunition Company” (SAC) kishte hyrë në negociata dhe kërkonte kryerjen e demontimit të municioneve të lehta, ku Ministria e Mbrojtjes ishte gati t’i ofronte këtë punë me prokurim të drejtpërdrejtë.
Mungesa e bazës ligjore për të kryer këtë punë të kërkuar nga SAC-i, bëri që Ministria e Mbrojtjes të kërkojë asistencë apo ndihmë juridike nga drejtuesi i auditit në kryeministri, Enkelejd Alibeaj. Sipas prokurorisë, në letër-këmbimet mes tyre bëhet fjalë për mënyrën se si Ministria e Mbrojtjes si pjesë e qeverisë shqiptare, duhej të lejonte nisjen e aktivitetit të SAC-it për demontim, që më pas do të niste bashkëpunimin me kompaninë shqiptare “Albademil” e drejtuar nga Mihal Delijorgji, biznesmeni tashmë i pandehur për tragjedinë e Gërdecit. Sipas referimit të Alibeajt, dërguar ish-këshilltarit juridik të Ministrisë së Mbrojtjes, Ruko, që më pas rezultoi në pikën tre të Vendimit të Këshillit të Ministrave me nr. 138 të datës 14 mars 2007, ku autorizohej Ministria e Mbrojtjes që “të nxjerrë udhëzimin e hollësishëm përkatës, për kriteret teknike dhe procedurat e asgjësimit ose çmontimit a tjetërsimit të armëve e të teknikës së Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”, që realisht nga ish-ministri Mediu nuk u nxorën udhëzimet e hollësishme dhe të detajuara në lidhje me llojin e municioneve që duhej të çmontoheshin.
Organi i akuzës pritet të marrë në pyetje Alibeajn, Bumçin dhe Ridvan Boden
“Gërdeci”, tre ministrat që do të merren në pyetje
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, prej disa ditësh po mbledh prova materiale për të sqaruar veprimet dhe mos veprimet e ish-drejtuesit të Auditit, aktualisht ministër i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ish-Ministrit të Drejtësisë në kohën e përpilimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 14 mars 2007, Aldo Bumçi dhe Ministrit të Financave Ridvan Bode, që ishte i vetmi që kundërshtoi miratimin e projektligjit “Për trajtimin e armëve, të teknikës, pajisjeve dhe municioneve të Forcave të Armatosura, të hequra nga armatimi dhe përdorimi”. Sipas këtyre burimeve, mësohet se shumë shpejt pritet të merren në pyetje dy ministrat e kabinetit “Berisha” dhe ish-ministër, të cilët do të japin shpjegime në lidhje me dijeninë që ata kanë për fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec, shpërthimi i të cilës solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve që mbetën të plagosur. Mësohet se marrja në pyetje e tre zyrtarëve me imunitet, Enkelejd Alibeaj, Ridvan Bode dhe Aldo Bumçi, do të bëhet me dëshirën e tyre, pasi t’u dërgohet nga një ftesë zyrtare për të dhënë shpjegime për dijeninë që ata kanë në lidhje me procedurat e projektligjit për demontimin, që u pasuan me vendimin e Këshillit të Ministrave me nr. 138 të datës 14 mars 2007.Prokuroria e Përgjithshme vendosi të mos kërkojë më negociata, pas ndryshimit të pesë neneve
Drafti “Alibeaj”, tërhiqet Prokuroria
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme tërhiqet nga kundërshtimi i projektligjit të Alibeajt, edhe pse pak nene kanë ndryshuar nga drafti fillestar. Sipas burimeve nga organi i akuzës mësohet se pas deklarimit të dy ditëve më parë të ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, se nuk do të ketë tërheqje mbrapa, sa i përket imunitetit të prokurorëve, edhe përfaqësuesit e prokurorisë kanë rënë dakord. Pas kësaj deklarate zyrtare, organi i akuzës konfirmoi se nuk do të kërkohen më negociata dhe diskutime shtesë mbi nenet për imunitetin dhe të drejtën e ministrit për të bërë kontrolle në funksione të raportimit çdo 6 muaj në Parlament të punës së prokurorisë. Sipas përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve, është vlerësuar konsensusi i arritur deri më tani për heqjen dhe ndryshimin e pesë dispozitave që ndodheshin në versionin e parë të draftit ligjor që u hodh në qarkullim në shtator 2008 nga Ministria e Drejtësisë. Sipas këtyre burimeve, konfirmohet se gjatë diskutimeve dhe debateve mes përfaqësueseve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe kërkesës së Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve është arritur heqja e nenit ku parashikohej shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm në rast të fillimit të procedimit penal ndaj tij nga Prokuroria e Rretheve, pas ndonjë kallëzimi. Gjithashtu nga burimet e rezervuara është bërë e ditur se është rënë dakord, që pezullimi i prokurorit nga detyra nuk mund të bëhet vetëm me një kallëzim penal, por prokurori do të pezullohet nga puna kur ndaj tij është kryer regjistrimi i procedimit penal, kështu, me miratimin e këtij neni është rrëzuar kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë, që prokurori të pezullohet sapo të bëhet një kallëzim penal ndaj tij. Po ashtu, këto burime saktësuan se nuk është pranuar kërkesa e Shoqatës Kombëtare të Prokurorisë në lidhje me zgjerimin e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë si dhe heqja e parashikimit për detyrimin e replikës nga Prokurori i Përgjithshëm pas raportimit të Ministritë të Drejtësisë në Kuvend për punën e organit të akuzës.