E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria rrit kufirin minimal të sigurimit të depozitave

Qeveria vendos të rrisë deri në 25 mijë euro kufirin minimal të sigurimit të depozitave. Sipas kryeministrit Berisha, ky vendim siguron plotësisht rreth 80 për qind të depozitave në sistemin bankar, duke qenë një skemë tërheqëse edhe për emigrantët. 

TIRANE- Qeveria miraton rritjen e kufirit minimal të sigurimit të depozitave deri në 25 mijë euro, e thënë ndryshe të gjitha kursimet e qytetarëve të depozituara në banka deri në këtë vlerë janë të siguruara në masën 100 për qind. Vendimi i marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave është konsideruar nga kryeministri Berisha si shumë i rëndësishëm edhe për emigrantët, të cilët kanë më shumë siguri për ti depozituar paratë e tyre në bankat që operojnë në Shqipëri.

“Qeveria merr përsipër të garantojë mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare të qytetarëve. Vendim ky që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare. Është gjithashtu i domosdoshëm për të garantuar kursimet e emigracionit shqiptarë”, u shpreh kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së sotshme të qeverisë.

Qeveria ka vendosur në mbledhjen e radhës që të plotësojë edhe kërkesat e paraplegjikëve, të cilët u futën në një grevë urie disa ditore. Kryeministri Berisha ka deklaruar se paraplegjikëve do tu jepet naftë falas, si dhe do tu rritet me 80 për qind vlera e paketës hijeno-sanitare.

Ndër të tjera Berisha shtori se “lidhur me naftën, kjo qeveri ju akordon atyre gratis sasinë e naftës që ju akordon deputetëve të Kuvendit, pra rreth 80 litra naftë në muaj. Gjithashtu qeveria akordon për paketën hijeno-sanitare të tyre shumën prej 120 mijë lekësh kundrejt 90 mijë lekëve që akordonte qeveria e mëparshme, me vendimin e sotëm ne e rrisim atë në shumën e 160 mijë lekëve”- tha Berisha.

Gjatë mbledhjes së qeverisë është miratuar edhe dhënia me konçension e 9 hidrocentraleve të tjerë. Kryeministri Berisha ka deklaruar se kontratat me investitorët privatë në sektorin e energjisë do të vazhdojnë.
Kreu i qeverisë ka sulmuar opozitën, e cila sipas tij ka deklaruar se do të anullojë këto kontrata nëse vjen në pushtet.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›