Qeveria rrit me 10% pagat e pensionet, tregu rrit me 50% çmimet
Deklarimi i bërë prej kryeministrit Sali Berisha, për rritje tjetër të pagave e pensioneve, nuk mendohet se do të japë efekt uljen e nivelit të varfërisë. Në 18 vite tranzicion, faktet dëshmojnë se kjo politikë sociale e aplikuar, edhe pse ka ngritur nivelin e këtyre pagesave e pensioneve deri në dyfishim, nuk ka ulur numrin e familjeve dhe shtresave të varfra të shoqërisë.
Për rrjedhojë, nuk janë zbutur dot krizat ekonomike që vazhdojnë të sundojnë tavolinën e të ushqyerit dhe trajtesat e domosdoshme të jetesës në shumë familje shqiptare. Në shumë familje shqiptare, madje duhet thënë në afro 50% të tyre, ka jetesë nën kufijtë zyrtarë të varfërisë që është në kuotën 2 dollarë në ditë. Është fakt, se që prej vitit 2005, ka patur tre herë rritje pagash e pensionesh, të ndihmës ekonomike e trajtesave të invalidëve. pos a kanë dhe janë efiçente këto rritje? Kryeministri Berisha, deklaroi se këto rritje, do të vazhdojnë, por përkundër tij, paralel me qeverinë, kundërvepron edhe tregu, duke e kthyer në HIÇ rritjen e pagave e të pensioneve, me imponim çmimesh të larta e abuzive ndaj konsumatorëve.
Tregu zhvlerëson pagat dhe pensionet
Pagat megjithëse janë rritur disa herë, madje deri edhe me deri në 50%, në fakt e kanë humbur efektin e tyre në treg, duke mos patur fuqinë blerëse përballuese, që duhet të ketë një pagë, një pension pleqërie, por edhe një pagë mesatare buxhetore, për të realizuar blerjen e produkteve të domosdoshëm jetikë. Me këtë treg që po vepron në Shqipëri, pagat e pensionet nuk kanë fuqi për të ushqyer një familje, apo individ në kufijtë minimal të jetesës. Kjo pamundësi, shkaktohet prej diversionit të çmimeve në treg. Ditën që qeveria rrit pagat e pensionet me 10%, madje që kur deklaron këtë rritje, tregu rrit çmimet me 50% e më tepër. Këtu nuk bëhet fjalë për tregun e veshjeve, të telefonisë, gazit, karburanteve, energjisë elektrike, ujit, transporteve e shërbimit mjekësor, por vetëm për artikujt që mbushin stomakun e shqiptarëve. Fjala është për çmimet e atyre produkteve që konsumohen në tavolinë, që nga buka e deri tek kripa. Që prej 5 muajsh, rritja e produkteve ushqimore të domosdoshme ka pësuar një rritje tepër të lartë, drastike, shkatërruese për familjet shqiptare që trajtohen me paga e pensione minimale. Në të 4 kategoritë e tregut shqiptar, si tregu monopol, tregu i madh, tregu i shumicës dhe tregu i vogël, kuotat e çmimeve rriten sipas interesave të tregtarëve. Shqetësimi i qytetarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike, me paga minimale e pensione pleqërie, nuk ka lidhje me kostumet apo pushimet nëpër plazhe, as për vakanca fundjavash, por me krizën sociale jetike, të krijuar prej këtij tregu mbytës. Kriza ekonomike e familjeve shqiptare, ka kulmuar deri në atë pikë kritike, sa njerëzit, me pagat dhe pensionet që kanë, gjenden në ekstremin e pamundësisë për të siguruar ushqimin ditor minimal.
Shporta sociale e vitit 1994 dhe çmimet e shfrenuara të vitit 2010
Ekspertët e sektorit social, që 16 vite më parë kanë përcaktuar 25 artikujt bazë të domosdoshëm, për të patur një nivel jetik minimal. Qeveria e atij viti e bëri vendim respektimin e çmimeve të kontrolluara për artikujt e kësaj shporte sociale, vendim që qëndron ende në fuqi. Por ky vendim nuk po zbatohet qysh prej muajit janar të vitit 1998. Sipas vendimit në fjalë, brenda kësaj shporte, 19 janë artikuj ushqimorë dhe 6 veshmbathjeje, shërbime shkollore, shëndetësore, transporti etj. Këto artikuj përbëjnë listën e produkteve të minimumit jetik. Në vitin 1994, kjo shportë konsumi mujor, ishte llogaritur të përballohej me 7140 lekë dhe kjo u përcaktua si kuota financiare e minimumit jetik, që duhej të jepej nga shteti për një të papunë. Realisht, ish-qeveria Meksi e zbatoi kuotën financiare dhe tabelën e çmimeve të caktuara të artikujve të kësaj shporte, duke kontroluar çmimet në treg. Nëpërmjet mekanizmave institucional që hodhi në veprim, ndali rritjen e çmimeve në mënyrë fiktive dhe fiksoi deri në 9500 lekë pagën minimale, 6000 lekë pensionin minimal dhe 20 mijë lekë pagën mesatare në sektorin buxhetor. A duhet bërë kjo ndërhyrje aktualisht? Patjetër. Sepse dueli midis pagave e pensioneve dhe çmimeve në treg është shumë i ashpër dhe shkatërrues për konsumatorin. Ndaj duhet futja në zbatim e shportës e 25-30 artikujve bazë jetikë, për të cilët qeveria nuk duhet të lejojë në asnjë mënyrë rritje të pakontrolluar e arbitrare çmimesh. Është absurd fakti, që 1 kilogram qepë e thatë të shitet me 120 lekë, që 1 kilogram qepë e njomë shitet me 200 lekë, që 0.5 kilogram makarona të shitet me 100 lekë, që 1 kilogram gjizë shitet me 200 lekë e që 1 kilogram pras, të shitet me 120 lekë! Pa llogaritur këtu produktet e tjerë, çmimet e të cilëve kanë shkuar në qiell.
Sa lekë i duhen 1 personi, për jetesë mujore minimale
Duke parë vetëm çmimet e produkteve ushqimore, që ndihma ekonomike harxhohet në treg për 4 ditë, që pensioni minimal harxhohet për 10 ditë, që paga minimale harxhohet për 15 ditë, me të drejtë shtrohet pyetja: Sa lekë i duhen minimalisht në muaj një shqiptari, për të jetuar në nivelin e varfërisë? Sipas kuotës zyrtare të nivelit të varfërisë, të shpallur nga qeveria, çdo shqiptar jeton me 2 dollarë në ditë, ose me 60 dollarë në muaj. Në fakt, ndihma ekonomike për një person është vetëm 1250 lekë në muaj, ose 42 lekë në ditë! Përgjigjen e plotë e jep kuota financiare e minimumit jetik financiar që duhet të jepet për çdo individ, apo familje shqiptare, kur nuk kanë asnjë të ardhur financiare. Minimum jetik (qeveria e di), do të thotë: sasia e lekëve që i duhen një personi për të përballuar minimalisht jetesën mujore, pra me ushqim, veshje, arsimim dhe shërbim shëndetësor. Ky minimum në Shqipëri nuk është vendosur edhe pse ka qenë detyrim për tu realizuar që prej 16 vitesh. Kuota e minimumit jetik financiar, llogaritet çdo për çdo vit, në raport me tregun. Cila është kuota financiare mujore e minimit jetik sot? Sipas specialistëve të Qendrës së Studimeve Sociale, një personi në Shqipëri i nevojiten mesatarisht 27 mijë e 500 lekë në muaj, për të përballuar jetesën minimale me produktet, artikujt dhe shërbimet e domosdoshme. Kaq lekë i duhen një shqiptari, për të hedhur muajin në varfëri. Aktualisht, paga minimale zyrtare është vetëm 18 mijë e 400 lekë, ndërkohë që pensioni minimal është 10 mijë lekë, ndërsa ndihma ekonomike është 1250 lekë në muaj. Ballafaqimi është i qartë dhe këtu, rëndesën më të madhe e jep tregu i shfrenuar. Kujtojmë, që në vitin 1998, sindikatat shqiptare i kërkuan qeverisë shpalljen dhe miratimin zyrtar të minimumit jetik, duke i paraqitur një studim konkret, por ai nuk u përfshi asnjëherë në tematikën e ligjvënies.
Qeveria të menaxhojë çmimet, të ndal tregun abuziv
Realiteti i tregut të shfrenuar e abuzues, kërkon që shporta produktesh jetike, gjersa qëndron ende në fuqi si vendim qeverie, duhet të jetë edhe në veprim. Këtë duhet ta realizojë qeveria. Familjet shqiptare dhe grupet shoqërore me pak të ardhura, ose me ndihmë ekonomike, ndihen të goditur rëndë financiarisht prej këtij tregu me çmime super të larta, aq sa një pension mujor prej 10 mijë lekësh e konsumon brenda 10 ditësh me një tavolinë ushqimesh të varfra, pa planifikuar as veshjet dhe as shërbimet e tjera jetike. Ndërkohë, që ndihmën ekonomike mujore 2400 lekë që i jepet një familjeje me 2 persona, ky treg e gëlltit për katër ditë për ushqim minimal. Tregu abuziv, që po mban në varfëri ekstreme familjet shqiptare, imponon në mënyrë të pashmangshme qeverinë, që të ndërhyjë për ta bllokuar. Kjo ndërhyrje nuk është anti-ligjore dhe nuk mund të interpretohet si e tillë. Pse? Sepse tregu është pjesë e ekonomisë dhe aspektit social të zhvillimeve në vend e natyrisht, që edhe mbi të duhet të ushtrohet kontroll. Kështu veprohet në të gjithë botën. Vetëm 0.1% rriten çmimet në tregun grek, italian, apo gjerman dhe qeveria I ndalon, duke vepruar me dorë të hekurt. Liberalizimi i tabelës së çmimev