E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sesilia Plasari: Rikthimi im në Tiranë, për vejushën Quin

Aktorja rrëfen për rolin e saj në teatër, pas 20 vitesh mungesë në skenën shqiptare

Aktorja që mbahet mend për rolin e Almës në filmin artistik Dhe ashtu dhe kështu rikthehet në skenën shqiptare pas gati 20 vitesh mungesë. Është pikërisht premiera Playboy i trojeve tona, e cila ka rikthyer në skenën shqiptare aktoren Sesilia Plasari. Në këtë vepër ajo vjen si një vejushë që ka pasur në jetë shumë fatkeqësi, në fshatin irlandez ku ndodhin ngjarjet e kësaj pjese, aktores i duhet të luajë femrën me një status prej krimineleje dhe heroine.

Aktualisht ajo jeton në Paris, dhe roli i vejushës në shfaqjen Playboy i trojeve tona, që pritet të shfaqet sonte në Teatrin e Metropolit, do të jetë i pari pas gati dy dekadash mungesë në skenën shqiptare. Sesilia Plasari është e vetmja aktore, që luan një personazh të moshës së saj në këtë pjesë të përkthyer nga vetë ajo, dhe që vihet në skenë nga regjisori Kiço Londo. Stafi i aktorëve përbëhet nga të rinj, pasi vetë Teatri i Metropolit është krijuar për tu dhënë mundësi të rinjve të ngjiten në skenë. Aktorja që prej vitit 1991, kur u largua nuk kishte punuar më asnjëherë në Shqipëri, edhe pse vinte për familjen. Viti 2009 e solli për herë të parë për arsye profesionale, për të përkthyer në shqip me kërkesë të Teatrit të Metropolit veprën Hapësira boshe të regjisorit Piter Brook. Më pas u angazhua si pedagoge për vënien në skenë të një shfaqjeje me studentët e vitit të tretë të degës së teatrit në Akademinë e Arteve. Edhe kësaj here vuri në skenë një vepër që e kishte përkthyer vetë. Në këtë intervistë aktorja na zbulon detaje nga filmi Dhe ashtu dhe kështu, por ndërkohë që ajo rrëfen dhe për rolin vejushës Quin në shfaqjen Playboy i trojeve tona, për të cilin ajo është rikthyer në Tiranë.

-Shfaqja Playboy i trojeve tona, ju kthen pas gati dy dekadash në skenë, si ndiheni?
Në skenë të Shqipërisë jam pas kaq kohësh, pasi në Francë unë kam luajtur dhe them se është e vështirë kur kalon një hapësirë kohe të gjatë pa luajtur. Kisha emocione, sepse gjithmonë unë kur dal në skenë kam emocione njëlloj si herën e parë, që kam dalë në skenë. Bashkëpunimi më Kiçon ka filluar prej shumë kohësh, që do të thotë që bashkëpunimi ka filluar që kur ma propozoi veprën dhe ma dha ta përktheja. Ne kemi shkëmbyer vazhdimisht opinione kemi bërë biseda, kështu që pjesa e punës ka qenë një vazhdim prove, një vazhdim i një dialogu që ka nisur me kohë. Ka qenë një punë interesante unë jam shumë e kënaqur që kam qenë pjesë përbërëse e kësaj trupe prej aktorësh të rinj. I kam përjetuar shumë mirë këto bashkëpunime më të rinjtë, më kanë dhënë shumë freski, më kanë dhuruar shumë emocion, më kanë dhënë shumë dashuri. Për mua është shumë i veçantë ky moment, sepse të shikosh nga afër si zgjohet një aktor i ri dhe si e përjeton marrjen e rolit, afrimin e personazhit, më kujtoi rininë time, më kujtoi periudhën e shkollës. Në fakt ka shumë gjëra që ma kanë rinuar jetën këtë periudhë kohe.

-E ndërkohë që përveçse një përkthyese, ju jeni dhe aktore në këtë vepër. Diçka rreth rolit tuaj?
Unë interpretoj vejushën Quin dhe jam munduar bashkë me regjisorin ta trajtoja ashtu siç e sugjeron edhe autori, si një grua duke qenë se ka vuajtur dhe i ka parë të gjitha gjërat e kësaj jete. Ajo ka pësuar një thyerje brenda vetes dhe e bën që ta shikoj jetën ndryshe nga çfarë mund ta shohin njerëzit e tjerë. Ajo është një njeri që nuk emocionohet dot kollaj, që nuk impresionohet dot kollaj dhe nuk e merr jetën si të tjetër që sot janë në humor të mirë dhe ju duket gjithçka mirë, nesër janë në humor të keq dhe ju duket gjithçka keq, por të ketë një ekuilibër në mënyrën se si e shikon jetën dhe gjërat e tjera. Këtë lloj figure jemi munduar të ndërtojmë, por se sa e kemi realizuar këtë nuk e di, këtë e vendos spektatori. Unë kam luajtur në disa vepra teatrore, por është një rol që e pëlqej shumë edhe për faktin që çdo fjalë të sajën unë e kam vënë me duart e mia në shqip. Më duket sikur e kam jetuar dy herë këtë rol. Dhe mua më duket shumë i rëndësishëm.

-Në filmin Dhe ashtu dhe kështu, ju erdhët me rolin e Almës dhe goditët tek publiku. Si u mundësua interpretimi juaj në atë rol?
Ishte krejt një rastësi dhe unë në atë kohë sapo kisha mbaruar Akademinë Arteve. Isha pedagoge e re dhe në atë kohë ka pasur një rregull, ku studentët e rinj në vit të parë dhe në vit të dytë të akademisë nuk kishin të drejtë që të luanin nëpër filma, sepse mendohej që kjo mund ti deformonte aftësitë, pra atëherë mendohej se kjo mund u bënte më shumë keq se sa mirë si aktore. Bujar Kapexhiu kishte ardhur për të kërkuar në shkollë një vajzë, që ishte në vit të parë apo të dytë që të luante atë rol. Në ato momente po bënte debat me shefin e katedrës që insistonte që ajo vajza nuk e kish të drejtën për ta luajtur këtë rol dhe ishte një (jo) e prerë. Ndërkohë isha në zyrën e shefit dhe flisja në telefon, Bujari më pa pasi dhe në skena të filmit kishte telefon dhe i tha shefit mirë ska gjë. Më nxori jashtë dhe më tha do të ma luash ti atë rol? Çfarë roli e pyeta? Dhe më tregoi rreth rolit. E gjithë kjo ishte një rastësi.

-Ai film ka dhe skena të cilat janë censuruar, çfarë kujtoni nga ato?
Po ka qenë një skenë me puthje me Frederik Ndocin. Ajo ishte skenë e vërtetë, sepse një është gjoja aty tek pianoja në Akademinë e Arteve, por ajo nuk ishte e vërtetë. Skena e vërtetë e puthjeve u realizua në Kopshtin Botanik. Kjo skenë është hequr nga filmi. Ne kemi bërë shumë dublua dhe mua më lyenin buzët herë pas here, aq sa Frederiku qeshte dhe thoshte, me aq grasë sa i lyeni ju buzët asnjëherë nuk do arrij tamam tek puthja (qesh).

 -Keni interpretimin dhe përkrah aktorit Zhan Pol Belmondo në Francë, si u mundësua kjo?
Kam qenë asistente regjisore me të në shfaqje edhe isha gjatë gjithë procesit të përgatitjes së shfaqjes. Në momentin e fundit përcaktohej e gjithë kasta e aktorëve, pasi ishin përcaktuar të gjithë rolet kryesore, por ishin dhe ca role të vogla të papërcaktuara. Zakonisht ne asistentët shkonim për agjenci të ndryshme dhe zgjidhnim aktorët dhe ia prezantonim regjisorit. Në fakt kisha shkuar dhe gjeta disa propozime për rolin që mora unë dhe ai tha që kjo sbën, kjo sbën dhe unë e pyeta po si duhet ky personazh, ai më tha ja është si ty, pse mos ta bësh ti këtë rol. Ishte një rastësi dhe ftesë në momentin e fundit dhe unë e vlerësoj shumë për këtë.

 -Riktheheni pas 20 vitesh në skenë, por si e shikoni sot teatrin shqiptar?
Kam përshtypjen se ka gjëra që duhet të lëvizin sidomos rrotull Teatrit Kombëtar, i cili më duket sikur ka mbetur përsëri pak në gjurmët jo dhe të një tradite, sepse nuk vazhdohet po ajo traditë me një repertor me shfaqje të rregullta, por më duket pak sporadike përpjekja që bëhet në Teatrin Kombëtar, ndërsa jashtë atij p.sh në Teatrin e Metropolit po bëhen gjëra shumë internate. Kjo që po bëhet në Teatrin e Metropolit, ku po aktivizohen shumë aktorë të rinj është jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse është i vetmi vend që u jep mundësi aktorëve të rinj të rrahin skenën dhe të perfeksionohen. Të mos rrinë, sepse aktori humbet shumë me papunësi kur mbaron shkollën, nëse nuk vazhdon të luajë ai është si puna e sportistit që humbet aftësitë e veta. Kështu që i vetmi vend që ia jep mundësinë aktorëve të luajnë është ky teatër. Përgjithësisht them që ajo çfarë mungon sot në Shqipëri është kultura. Kultura në teatër pasqyrohet edhe në mënyrën si interpretohet, në mënyrën sesi shfaqet dhe pa bërë një punë përzgjedhëse. Një regjisor që është gjatë gjithë kohës në kontakt me veprat që lexon, e di se pse e vë këtë vepër dhe pse nuk e vë në skenë. Ndërsa në Shqipëri veprat zgjidhen sapo të bien në duar pa ndonjë afeksion të veçantë për këtë vepër.

-Do të jetë Sesilia për shumë kohë në Tiranë?
Mua më pëlqen jashtëzakonisht të jetoj në Shqipëri, por nuk mund të jetoj dot në Shqipëri. P

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›