Plagoset biznesmeni, shpërtheu kabina
TIRANË – Shpërthimi në një kabinë elektrike shkaktoi plagosjen e rëndë të një personi nga Tirana. Sipas policisë, shtetasi Fatos Rexha, 29 vjeç, pronar i një biznesi, ka hyrë në kabinën elektrike për riparimin e një defekti të ndodhur në linjën e furnizimit me energji elektrike. Si pasojë e ndërhyrjes në rrjet nga Rexha, kabina ka shkaktuar qark të shkurtër dhe për pasojë ka ndodhur shpërthimi. Policia bën me dije se 29-vjeçari është dërguar në Spitalin Ushtarak në kryeqytet ku po mbahet nën kujdesin e mjekëve. Burimet spitalore pohojnë se i lënduari është jashtë rrezikut për jetën.
Mbytet në det një tjetër turist nga Kosova
DURRËS – Edhe një tjetër turist nga Kosova gjen vdekjen në plazhin e Durrësit. Policia bëri të ditur se pasditen e së martës, në Lagjen 13, në sektorin “Iliria”, pranë vendit të quajtur “Pista e Vogël”, është mbytur në det shtetasi Zaim Sallaj, 70 vjeç, banues në Prizren të Kosovës. “Nga kryerja e veprimeve të para hetimore rezulton se ky shtetas është mbytur aksidentalisht gjatë kohës kur po lahej ne det”, - thonë burimet zyrtare. Dyshohet se i moshuari mund të ketë pësuar atak kardiak në momentin që është futur në ujë. Materialet procedurale iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.
Shpallet në kërkim, rrahu në port shtetasin italian
DURRËS – Një 25-vjeçar është shpallur në kërkim pasi është denoncuar nga një shtetas italian për keqtrajtim. Policia e qarkut Durrës bëri të ditur se dje nisi procedimin penal në mungesë për 25-vjeçarin Bledar Datja, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë, me detyrë shef teknik pranë firmës F&...... “Mbrëmjen e së martës, rreth orës 22:30, në Portin e Durrësit, Datja është konfliktuar me shtetasin italian E. S. dhe, në konflikt e sipër e ka goditur me forcë derën e krahut të majtë të kabinës së kamionit ku ndodhej shtetasi italian, duke i shkaktuar dëmtime në dorën e majtë këtij të fundit, si dhe duke thyer xhamin e derës”, - thonë burimet zyrtare të policisë. Sipas tyre, Datja është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia njofton se janë kryer veprimet hetimore dhe po punohet për kapjen e tij.
1 Korrik 2010