E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku në Çad, pa dëshminë e deputetit, asnjë hetim

Burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme bënë të ditur dje, se pa një dëshmi zyrtare e jopolitike të deputetit Pirro Lutaj, nuk mund të fillojë hetimi

TIRANË - Trafiku i dyshuar i armëve mes Shqipërisë dhe Republikës Afrikane të Çadit do të vazhdojë të ngelet në kuadrin e deklaratave, pasi Prokuroria e Përgjithshme nuk ka asnjë provë konkrete për nisjen e një hetimi rreth kësaj çështjeje. Ky fakt u konfirmua dje për “Korrierin” nga burime zyrtare pranë organit qendror të akuzës, të cilat thanë se, në rastin e deklaratës së deputetit Pirro Lutaj, që ka informacione se Shqipëria ka çuar armë në Çad, ky institucion nuk mund të bëjë asgjë tjetër, veçse të vihet në rolin e dëgjuesit. Burimet gjithashtu shpjeguan edhe pozicionin dhe hapësirat ligjore që ka ky organ hetimor në rastet e deklaratave të ndryshme, kryesisht nga njerëzit e politikës. “Prokuroria nuk mund të nisë asnjë hetim pa pasur në dorë një të dhënë apo fakt konkret rreth kësaj çështjeje. Kushdo që ka të dhëna të tilla, mund t’i sjellë në organin e akuzës”, - tha për “Korrierin” një zyrtar i lartë i Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, burime të tjera zyrtare thanë se, në rast se nuk ka asnjë kallëzim penal, organi i akuzës duhet të ketë në dorë një provë të fort, që të krijojë bindjen për nisjen e hetimit kryesisht. Këto janë të vetmet rrugë që organet hetimore të nisin një hetim rreth trafikut të dyshuar të armëve mes Shqipërisë dhe një vendi në luftë civile, si Republika e Çadit. Duke iu referuar çështjes në fjalë, rezulton se nga deklaratat e deputetit Lutaj nuk plotësohet asnjë prej kushteve që Prokuroria të nisë një hetim, çka do të thotë se, edhe pse denoncohen publikisht afera të ndryshme, prokuroria nuk ka kompetencë për të hetuar. I vetmi institucion që mund të investigojë rreth kësaj çështjeje, sipas juristëve është Shërbimi Informativ Shtetëror, i cili për disa muaj bën një punë gjurmuese, pa mbajtur asnjë të dhënë në mënyrë zyrtare. Nëse pas këtij hapi dalin fakte apo të dhëna të vlefshme për hetim të mëtejshëm, çështja i referohet prokurorisë, e cila regjistron edhe procedimin penal përkatës. Por tashmë që kanë kaluar më shumë se tri javë nga deklarata e deputetit Pirro Lutaj, i cili hodhi dyshime për shitje në mënyrë të jashtëligjshme të armëve nga Shqipëria në një vend në luftë civile si Çadi, asnjë institucion investigues nuk merr përsipër të thotë se do të hetohet për këtë çështje. “Unë kam indikacione që kanë çuar armë. Çfarë aktiviteti tjetër ka ushtruar shteti ynë me Çadin? Ata vazhdojnë të bëjnë demagogji edhe pas Gërdecit”, - i tha Lutaj “Korrierit” pak ditë më parë, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Sigurisë Kombëtare, ku u diskutua edhe për dërgimin e 60 forcave paqeruajtëse në republikën afrikane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›