E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria serbe refuzon projektin radikal kundër BE

• Qeveria serbe ka refuzuar projektrezolutën mbi mbrojtjen e tërësisë tokësore të Serbisë në marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare, në veçanti me Bashkimin Evropian, të propozuar nga Partia Radikale Serbe. Çështja e anëtarësimit në BE e ka përçarë edhe më shumë koalicionin qeverisës serb, në të cilin Kryeministri Koshtunica dhe Presidenti Tadiç ndodhen në skaje të largëta. Presidenti Tadiç ka theksuar se do ta nënshkruante menjëherë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE, po t'i ofrohej. Ndërsa Koshtunica ka bërë thirrje që një marrëveshje e tillë të mos nënshkruhet derisa BE të sigurojë që Kosova është pjesë e Serbisë. 15 ministra nga radhët e Partisë Demokratike të Presidentit Tadiç dhe të Partisë "G17 plus", e kanë refuzuar projektrezolutën. Ndërsa mendim pozitiv kanë dhënë shtatë ministra nga koalicioni i Partisë Demokratike të Serbisë, të kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe Partisë "Nova Srbija". Arsyetimin e vlerësimit negativ të kësaj rezolute e ka dhënë Ministria e Jashtme e Serbisë, ndërsa atë pozitiv, Ministria për Kosovën. Rezoluta e radikalëve serbë, në mbledhjen Kuvendit të mërkurën u mbështet nga koalicioni i partive në pushtet të drejtuara nga Kryeministri Koshtunica, si dhe Partia Socialiste, të cilat e arritën shumicën e re parlamentare. Edhe në Kuvend ata që u prononcuan kundër projektrezolutës ishin Partia e Presidentit Tadiç, "G 17 plus", Partia Liberal Demokratike (LDP), Socialdemokratët e Vojvodinës dhe partitë e pakicave, të cilat këtë dokument e quajtën anti-evropian dhe të dëmshëm për interesat e qytetarëve të Serbisë. Edhe pse rezoluta u radhit si pikë e parë e rendit të ditës në Kuvend, debati për të nuk u hap sepse kryetari i Kuvendit, Oliver Duliç tha se për këtë çështje nuk mund të debatohet pa mendimin e Qeverisë, duke evituar kështu miratimin e këtij dokumenti. Përmbajtja  Në rezolutën prej gjashtë pikash, i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që ta konfirmojë qartë tërësinë tokësore të Serbisë, si kusht për vazhdimin e negociatave mbi Stabilizim-Asociimin me BE; dënohet vendimi i BE për dërgimin e Misionit EULEX në Kosovë dhe propozohet tërheqja e këtij vendimi; si dhe, u bëhet thirrje shteteve anëtare të BE të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta anulojnë këtë vendim. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka deklaruar se do ta nënshkruante menjëherë Marrëveshjen mbi Stabilizim Asociimin me Bashkimin Evropian sikur kjo do t'i ofrohej që sot Serbisë. "Për këtë kam të drejtë. Një kontratë e tillë do t'i mbronte interesat e Serbisë dhe identitetin tonë në Evropë, sigurinë dhe integritetin e vendit", tha Tadiç në një konferencë për gazetarë në Beograd. Kreu serb ka vlerësuar se nëse Serbia nuk shkon drejt BE-së, gjatë viteve që po vijnë me siguri do t'i privohet edhe integriteti.Njohje të reja Sllovenia dhe Islanda njohën zyrtarisht dje shtetin e pavarur të Kosovës. Sllovenia është vendi i parë i dalë nga ish-Jugosllavia që njohu Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Tashmë Sllovenia ka Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, dhe u radhit e 26-ta nga vendet që kanë njohur shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës. Ministri i Jashtëm slloven, Dimitrij Rupel tha se vendimi për njohjen e Kosovës së pavarur është marrë në pajtim me politikën ndërkombëtare. Edhe Islanda e njohu pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi, ka marrë një letër nga ministri i Punëve të Jashtme të Islandës, Ingibjorg Solrun Gisladottir, përmes të cilës konfirmohet njohja e Republikës së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran. Rajs: Kosova, rast i veçantë "Ne kemi qenë shumë të qartë se Kosova është një rast i veçantë për shkak të rrethanave speciale, nga të cilat u bë shpërbërja e ish-Jugosllavisë", tha sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, duke komentuar mbi supozimin se Osetia Jugore mund të fitojë mbështetjen ndërkombëtare për pavarësi. "Kjo nuk do të ndodhë", tha Rice. Rajoni pro-rus në Kaukaz, Osetia Jugore, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që ta njohë pavarësinë e saj nga Gjeorgjia, me arsyetimin se Perëndimi ka njohur edhe pavarësinë e Kosovës. Scheffer: Situata në Kosovë, inkurajuese Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hop Scheffer komentoi në takimin e ministrave të Aleancës Veri-Atlantike se megjithëse gjendja në Kosovë është e brishtë, të inkurajon fakti që pas shpalljes së pavarësisë nuk ka dhunë ndëretnike, nuk ka largim masiv të refugjatëve, dhe nuk ka as sulme të organizuara në objektet e trashëgimisë historike. "Kjo është mirë dhe KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e vet, duke mbrojtur shumicën dhe pakicën në tërë Kosovën, në pajtim me mandatin që ka marrë nga Kombet e Bashkuara", tha Scheffer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›