Berluskoni: “Ronaldo, mos na tradhto!”
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, zbuloi faktin se ai është shumë i lidhur me yllin brazilian Ronaldo dhe pohoi se do t’i ofrojë atij një kontratë të re me klubin kuqezi. “Fenomeni” po përballet aktualisht me një fazë të gjatë rehabilitimi pas dëmtimit të tendinës në gjurin e tij disa javë më parë, gjatë ndeshjes me Livornon në Serinë A. 31-vjeçari do të jetë jashtë fushave për të paktën nëntë muaj dhe shumë njerëz mendojnë se ai do të jetë me fat nëse do të riluajë përsëri.
Kontrata e Ronaldos me Milanin përfundon në fund të këtij sezoni, por Berluskoni tha se ka shumë mundësi që atij t’i ofrohet një kontratë e re, pasi bosi kuqezi beson se sulmuesi mund të bëjë një rikthim të suksesshëm. “Unë mendoj se Ronaldo do të qëndrojë me ne dhe nëse dëshiron, ai mund të jetë një lojtar kyç”, - tha ish-kryeministri italian për “Sky Italia”.
“Ai ka pasur një dëmtim në gju si ky i tanishmi dhe u tregua i aftë për t’u rikthyer në fushë. Nëse ai dëshiron, mund ta bëjë këtë. Ai është shumë i ri, 31 vjeç. Ne kemi (Paolo) Maldinin, i cili do të mbushë së shpejti 40 vjeç dhe është një shembull për ne. Kështu që unë mendoj dhe shpresoj se ai dëshiron të rikthehet dhe nëse ai do ta bëjë, Milani do të ishte shumë i lumtur ta kemi atë sërish”. Milani u eliminua të martën në mbrëmje nga Arsenali në Ligën e Kampioneve.
Mesi “terrorizohet”, 6 javë pushim
Lionel Mesi do të qëndrojë jashtë fushave për të paktën gjashtë javë pas tërheqjes të një muskuli në kofshën e tij gjatë ndeshjes kundër Sëlltikut, në fitoren 1-0 të Barcelonës, në ndeshjen e kthimit të Ligës së Kampioneve, ku skuadra katalanase kaloi në çerekfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klubet. Mesi është lojtari më në formë i ekipit të Frenk Rajkardit dhe mungesa e tij do të ndihet shumë në klubin e presidentit Laporta. Barcelona ndodhet në vendin e dytë në Primera Division, pas Realit të Madridit.
Sportistët kërcënojnë: “Plotësoni kushtet, ose nuk shkojmë në Pekin”
Sportistët elitarë shqiptarë ngritën bashkërisht zërin kundër trajtimit të shtetit, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për t’i mbështetur, duke vënë në pikëpyetje përfaqësimin me flamurin kuqezi në të ardhmen. Në podiumin e konferencës së shtypit të organizuar dje ishin sportistët më të njohur shqiptarë të niveleve europiane dhe botërore, si Klodiana Shala (atlete rekordmene), Said Prizreni (mundës), Gert Trasha (peshëngritës), Erkand Qerimaj (peshëngritje) dhe Romela Begaj po nga shtanga. Sportistët patën vërejtje në lidhje me ligjin aktual të sportit, pasi nuk trajtohen me sigurime shoqërore. “Ne nuk jemi njerëz të thjeshtë, por sportistë dhe nuk duhet të endemi rrugëve”, - tha Shala, e cila pak kohë më parë kërcënoi se mund të garonte në “Pekin 2008” në flamurin e Greqisë. “Ne nuk kemi siguracione dhe nuk ekziston infrastruktura. Unë përfaqësoj të gjithë sportistët. Ne jemi të një mendimi, që nëse Drejtoria e Sporteve (në MTKRS) nuk merr vendime, ne do të vazhdojmë edhe më tej dhe shpresoj të mos shkojmë te vendimi i fundit, për të mos shkuar në Pekin”. Sportistët pohuan se edhe trajtimet e tyre financiare, që mbulohen nga shteti, janë qesharake. Në rastet e dëmtimeve të tyre gjatë stërvitjeve apo garave, edhe pse është shteti që duhet të përgjigjet, përsëri ata i gjejnë dyert e mbyllura, duke u riaftësuar me paratë e tyre dhe të familjeve të tyre. Në të njëjtën linjë ishte edhe mundësi Said Prizreni: “Kemi kërkuar trajtim, por kjo nuk ka ndodhur as nga Ministria dhe as nga Federata e Mundjes”. Sportistët trajtohen në të zezë, “njëlloj si ndërtim, ku firma fantazmë punësojnë punëtorët”, - u shpreh njëri nga sportistët e pranishëm. Gerti Trasha, një emër i njohur i peshëngritjes, shtoi: “Po stërvitemi duke shpenzuar nga xhepi ynë. Me këto praktika askush nuk duhet të presë rezultate të larta në botë”. Prej një viti ka përfunduar kampionati botëror i peshëngritjes, por medalistët ende nuk kanë marrë shpërblimin nga shteti.
Cana me “verdhëz”, mungon kundër Zenit
Kapiteni shqiptar i Olimpikut të Marsejës, Lorik Cana, do të mungojë në ndeshjen e parë të një të tetave të finaleve të Kupës UEFA. Skuadra franceze do të përballet me rusët e Zenit St.Petërsburgut, të enjtën në mbrëmje, në stadiumin “Velodrom” të Marsejës. Cana, një nga lojtarët më të rëndësishëm të Erik Gerets, mungon për shkak të plotësimit të kartonëve të verdhë.
Pështyn Lalën, 15 mijë euro gjobë
Gjiganti çek, Jan Koler, protagonist i një zënke me mesfushorin shqiptar të Hanover 96, Altin Lala, u pezullua me një ndeshje ndërsa duhet të derdhë në arkën e Federatës Gjermane edhe një shumë prej 15 mijë eurosh. E gjitha kjo për shkak të një pështyme që sulmuesi i Nurembergut ka hedhur në drejtim të Lalës. Lajmi është bëri i ditur nga faqja zyrtare e Federatës Gjermane, dfb.de.
Në fakt gjyqtari i ndeshjes Nuremberg-Hanover nuk e pa incidentin, por Federata Gjermane e analizoi takimin duke dalë edhe në përfundimin e saj për pezullimin me një ndeshje dhe gjobën jo të vogël për një sportist të formatit të Kolerit. “Pasi analizuam rrethanat, ne dolëm në mendimin se pështyma e Jan Kolerit nuk ishte drejtuar me qëllim drejt lojtarit të Hanover 96”, - thuhej në deklaratën e Federatës Gjermane të Futbollit, DFB.
Sipas mediave gjermane, ende nuk dihen arsyet se përse 34-vjeçari e bëri atë, por ai u shpreh se ndihej i stresuar dhe do të tërhiqej nga futbolli në rast se do të shpallej fajtor që kishte pështyrë kundërshtarin. Me sa duket kjo deklaratë e Kolerit ka ndikuar edhe një vendim të butë të Federatës Gjermane.
“Ishte shumë e vështirë, ne ishim duke humbur, emocionet po na mbysnin. Unë isha duke iu drejtuar atij (Lalës) dhe e kisha gojën plot me pështymë, kur ajo doli jashtë papritur”, - tha Koler. Nurembergu i tij është aktualisht në vendin e gjashtëmbëdhjetë në Bundesligë dhe i ka thënë lamtumirë Europës, pasi humbi edhe në 1/32 të Kupës UEFA.
Formula 1, lëvizjet
Dhjetë ditë nga startimi i Kampionatit Botëror të Formula 1 në “Albert Park, në pistën e Melburnit në Australi (16 mars), janë ndezur edhe më shumë debatet dhe opinionet e ekspertëve jo vetëm për pretendentët për fitimin e titullit kampion, por edhe të ................. që priten të japin tetë pilotët e rinj debutues. Nuk mungojnë edhe sfidat e pilotëve të transferuar nga një skuderi në tjetrën, ku në sy bie rikthimi i dy-herë kampionit të botës, spanjolli Fernando Alonso nga skuderia anglo-gjermane Meklaren-Mercedes te francezët e Reno-s. Ja dhe të gjitha lëvizjet në Formula 1, sipas asaj që paraqet agjencia franceze e lajmeve, AFP.
Transferimet
Fernando Alonso: nga MekLaren te Reno
Heiki Kovalainen: nga Reno te MekLaren
Xhankarlo Fizikela: nga Reno te Forca India
Largimet:
Ralf Shumacher
Aleskandër Vurc
Vitantonio Liuci
Skot Spid
Kristijan Albers
Debutuesit
Pike Junior te Reno
Nakajima te Uiliams
Glok te Tojota
Burde te Toro Rosso
Vetel te Toro Rosso
6 Mars 2008