E Diel, 1 Nëntor 2026

“Reforma e pensioneve, kush do paguajë koston”

• Debati duhet të kalojë në nivel politik, në mënyrë që të qartësohen efektet e reformës edhe për elektoralin.Nga ana tjetër, qeveria duhet të tregojë kostot e kësaj reforme. Ky është mendimi i Ilir Beqajt, ish-drejtori i ISSH dhe nënsekretari për programin në PS, përfaqësuesi në tryezën për reformën në pensione. Në një intervistë të dhënë për gazetën ai shpjegon efektet e skemave të reja, që do të përdoren dhe domosdoshmërinë e diskutimit në nivel politik të tyre. Kush do të përjashtohen nga funksioni i shtyllave të reja dhe pse fshatarësia e ka të vështirë të përfshihet në reformë. Çfarë do ndodhë me pensionistët aktualë dhe përfshirja e të punësuarve në skemë. Ndarja e investimeve në kolonën e dytë dhe pamundësia aktuale e menaxhimit të këtyre parave në tregun financiar.Ka tri ditë që flitet për reformën e sistemit të pensioneve. Cili është mendimi juaj për këtë reformë të re?Së pari, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën për intervistë, por sidomos për vendin e gjerë që i jepni çështjes së pensioneve dhe debateve rreth saj në gazetën tuaj. Kam ndjekur ditën e martë titujt kryesorë të gazetave rreth pasqyrimit të aktivitetit të organizuar nga Ministria e Financave dhe misioni i Bankës Botërore dhe me keqardhje konstatoj se, ka pasqyrime nga më të çuditshmit. Madje, dikush shkruante që me këtë sistem pensionesh nuk shkohet në BE. Megjithatë nuk duhet kërkuar e keqja tek media. Eshtë detyrë e të gjithëve njerëzve që e njohin këtë fushë, e politikës dhe politikanëve, e mjediseve universitare dhe padyshim e qeverisë që të furnizojnë me informacion të bollshëm të gjitha problematikat e skemës së pensioneve dhe alternativat e zgjidhjes së tyre. Dhe në të gjithë këtë proces, mendoj se rolin kryesor duhet ta marrë politika, thënë ndryshe për çështjet themelore të zhvillimit të sistemit të pensioneve duhet të diskutohet edhe në Këshillin Kombëtar të PD, edhe në Asamblenë Kombëtare të PS, apo forumet kryesore të partive të tjera politike.Pra, ju mendoni se duhet të ketë debat politik?Në emër të PS, falënderojmë qeverinë për ftesën për të marrë pjesë në workshop, si dhe misionin e Bankës Botërore për nxitjen e zhvillimit të këtij debati dhe për lehtësimin e ardhjes së ekspertëve nga vende të ndryshme. Madje, ka seriozitet nga Ministria e Financave në ngritjen e një komunikimi të qëndrueshëm, pasi është rënë dakord që të funksionojë një grup pune i përhershëm, ku edhe opozita është ftuar të jetë e pranishme. Eshtë mirë që ndodh kështu, pasi çështja që diskutohet është nga më të rëndësishmet që ka çdo vend. Për më tepër, çdo ndërhyrje në të efekton, të paktën, një gjeneratë dhe çdo reformim në të kërkon kohë më shumë se një mandat qeverisës. Kryeministri Berisha ka deklaruar që reforma e pensioneve kërkon edhe angazhimin e opozitës. E falënderojmë për ftesën dhe i konfirmojmë gatishmërinë tonë. Personalisht nuk pajtohem me pjesën e dytë të ftesës, kur kryeministri thotë që edhe opozita ka ekspertë të mirë. Për mua ekspertët janë pjesë e pasurisë intelektuale të vendit dhe është detyra e politikës, dhe për më shumë e çdo qeverie që në çdo reformë të gjenden mundësitë që i gjithë mendimi ekspert i vendit të ketë hapësirë të shprehet. Kryeministrit, ndërkohë, dua t’i bëj të qartë që pranimi i ftesës nuk është heqje dorë nga presioni opozitar për zbatimin e programit qeverisës të miratuar në Kuvend në fushën e pensioneve. Po ashtu, si opozitë, nuk do të rreshtim së kërkuari me forcë nga qeveria zbatimin e ligjeve në fuqi, qoftë për indeksimin e pensioneve, qoftë për skemën suplementare të ushtarakëve, e kështu me radhë.  Sidoqoftë duket se ka një frymë bashkëpunimi edhe për këtë reformë?E rëndësishme është që e gjithë klasa politike e pranon që skema ekzistuese ka probleme. Ka probleme, edhe të qëndrueshmërisë financiare, edhe të nivelit të përfitimeve që ofron. Por, është klasa politike ajo që duhet të zhvillojë më fort debate të rëndësishme lidhur me këto çështje. Ka një çështje të parë themelore: Nga do të prevalojë diskutimi për pensionet? Nga do të anojë balanca? Çështja do të shihet më shumë si makroekonomike apo element i mbrojtjes sociale. E gjithë politika e pranon që ky është debat themelor. Nga do të anojë balanca, varet nga krahët e ndryshëm të politikës. P.sh., ftesa që na erdhi nga ministri i Financave ishte iniciuar nga Drejtoria Makroekonomike. Edhe në strategjinë e mbrojtjes sociale të miratuar nga qeveria së fundmi nuk thuhet asgjë se çfarë do të bëhet me pensionet. Nuk po ngutem të bëj konkluzione për vizionin e qeverisë për këtë çështje, por dua të them që për Partinë Socialiste niveli i jetesës së çdo individi është shumë i rëndësishëm. Thelbësore për mua është ajo që duhet nxitur individi të zhvillojë përgjegjësitë e veta për të gjithë jetën e tij (kështu po polemizoj edhe me një të përditshme që shprehej se barra e pensioneve po kalon tek privati – po rithem që përgjegjësitë individuale për pensionin po shtohen). Dhe këtë në radhë të parë duhet ta thotë politika. Në këtë pikë nuk më duket se ka shumë dallime midis krahëve politikë. Të gjithë njerëzit duhet të kenë të qartë se me çfarë prodhojnë nga një ditë pune e tyre duhet të krijojnë vlera me të cilat të mund të jetojnë për 3.3 ditë. Sepse në një jetë mesatare rreth 75 vjet, arrin të punosh rreth 35–40 vjet dhe pjesën tjetër o e merr si fëmijë nga prindërit (kështu që duke punuar për fëmijët e tu i lan “borxhin” jetës), o e merr si pension (në raste të veçanta si asistencë). Deri më sot pensionin ta kanë “paguar” të tjerët. Ka prirje sot në botë që edhe pensionin ta marrësh nga “investime” që ke bërë në kohën që punoje. Për të plotësuar aritmetikën e llogaritjes së mësipërme dua të shpjegoj që edhe në moshë pune, nga 365 ditë që ka viti, ne punojmë vetëm 230 ditë.Cilat janë pikat kryesore të kësaj reforme? Çfarë do të thotë kjo për individët e sotëm?Në thelb, reforma që propozohet kërkon të thotë që një pjesë e pensionit në të ardhmen të financohet nga kursimet dhe investimi  këtyre të fundit, ndërsa sistemi publik të ofrojë një shumë të tillë që të të mbrojë të mos biesh në varfëri. E thënë ndryshe, një pjesë e kontributeve të sotme, nuk do të shkojnë për të paguar pensionistët e sotëm, por do të transferohet në një fond privat të cilin individi e zgjedh vetë. Shteti rregullon funksionin e tregut të fondeve private, ashtu siç bën edhe sot me tregun bankar apo tregun e sigurimeve. Nga çfarë thashë më lart lindin natyrshëm disa pyetje: 1) Sa vite do të të mjaftojnë të investosh në mënyrë që të marrësh një pension që do të të mbulojë një % të caktuar të ardhurat që kishe kur punoje? Eksperienca e vendeve të tjera na tregon që duhen rreth 20 – 25 vjet. Nëse do të pranonim edhe të paktën 2–3 vjet për të filluar reformën, po themi që kush e ka kaluar moshën 38 vjeç do të vazhdojë me skemën ekzistuese, ose kushdo që ka lindur para 1 janarit 1970 do të vazhdojë me skemën ekzistuese. Por, kjo na çon në përfundimin që kjo reformë nuk është as për 430 mijë pensionistët e pleqërisë sot dhe as për rreth 1 milion shqiptarë të gjallë, të lindur para vitit 1970. Këtij fakti politika nuk duhet t’i vidhet, sepse duhet të thotë se çfarë do të bëjë edhe për këta 1,4 milionë shqiptarë. Dhe këtu fillojnë ndryshimet midis partive apo krahëve të politikës.  2) Meqë një pjesë e kontributeve nuk do të shkojnë për të paguar pensionet e sotme, buxhetit të ISSH-së do t’i shtohet një vështirësi e re financiare. Si do të përballohet kjo? I takon qeverisë (pra politikës) të gjejë zgjidhje. Zgjidhjet mund të jenë të ndryshme. Mund t’i ngarkohen brezit aktual, por mund t’i përcillen brezave të ardhshëm. Edhe ky është një element ku përgjithësisht ndahen krahët e ndryshëm të politikës. Eksperienca që sollën ekspertët e huaj në ëorkshop, tregoi që përgjithësisht barra është transferuar në brezat e ardhshëm. 3) A ka një mjedis të përshtatshëm (kryesisht ligjor, financiar dhe administrativ) në Shqipëri për t’u zhvilluar kjo reformë? Përgjithësisht, pranohet që akoma nuk ka. Eshtë detyrë e politikës të vërë në lëvizje të gjithë mekanizmat që të zhvillohen prerekuizitat e reformës. Dhe sipas përparësive, rrugëve të ndryshme dallojnë krahët e politikës. Që të zhvillohen fondet private të pensioneve duhet të ekzistojë mjedisi i përshtatshëm financiar. Në vendin tonë, tregu financiar është në një stad do ta quaja foshnjarak. Paratë e grumbulluara nga kontributet, për momentin, mundet vetëm të depozitohen në banka apo në instrumente financiare qeveritare. Ne nuk kemi bursë, nuk kemi mundësi financimi në aksione të emetuara nga kompani të ndryshme. Nga ana tjetër, vetë fillimi i funksionimit të fondeve private të pensioneve do të nxiste zhvillimin e tregut financiar. Duket si një rreth vicioz. Ndërkohë në vendet që sollën eksperiencën e tyre në workshop, tregu financiar është zhvilluar   më parë se fondet e pensioneve.4) Çfarë do të bëhet me paratë e grumbulluara në fondet private të pensioneve, ku do të investohen ato, a do të lejohet të investohen jashtë vendit? Edhe këtyre pyetjeve duhet t’i japë përgjigje politika. Përgjigjet mund të jenë të ndryshme, sipas krahëve të politikës. Më sipër rendita disa çështje të rëndësishme, për të cilat është detyrë e politikës të flasë. Prandaj mendoj se debatin duhet ta drejtojë ajo. Dikush mund të thotë që edhe në mungesë të tregut financiar mund të investohet drejtpërdrejt. Eksperienca e vendeve të tjera rekomandon që, për të shmangur konflikte interesi, paratë investohen në tregun financiar dhe është ky i fundit që kujdeset se ku investohen drejtpërdrejt.Ka një element të rëndësishëm që deri tani ka mbetur jashtë debatit. Janë pensionet e fshatit. Pra, pensionet e atyre njerëzve që kanë lindur pas 1 janarit 1970 dhe do të vazhdojnë të jetojnë në fermën e tyre duke u vetëpunësuar në aktivitet bujqësor apo blegtoral. Reforma nuk thotë asgjë konkrete për ta. Eshtë detyrë e politikës që të mos i vidhet as këtij debati.Folët shumë për reformën e ardhshme, por midis të tjerash shpjeguat që të gjithë shqiptarët e gjallë, që kanë lindur para 1 janarit 1970 (gjithmonë sipas një supozimi), nuk do të jenë pjesë e kësaj reforme. Por ç’do të bëhet me ta? Edhe në ëorkshop u shtruan tri çështje për diskutim : 1) A ka defekte në formulën aktuale të llogaritjes së pensionit? 2) A duhet të pranojmë privilegje për grupe të caktuara? 3) A duhet një ndarje e plotë dhe e qartë midis pensionit dhe ndihmës ekonomike? Janë çështje që janë edhe në vëmendjen e Partisë Socialiste. Opinioni publik është njohur se në muajin janar të këtij viti kryetari i PS në turin “Dialog me Shqipërinë” diskutoi për çështjet sociale. Pyetjet e mësipërme u diskutuan edhe në Dialogun më Shqipërinë. Nuk do të ngutem të paraqes çfarë do të ketë në programin e ri të PS, por po parashtroj disa ide. Në formulën e llogaritjes së pensioneve ne gjykojmë që nuk ka të meta. Formula ka një balancë të mirë midis solidaritetit e rishpërndarjes dhe kontribuimit individual. Por konstatojmë që kjo formulë i vlen pensionistit vetëm në vitin e parë të pensionit. Në vitet e tjerë (mesatarisht rreth 15 vite) ndodhin ndryshime me akte ligjore që e largojnë pensionin nga parimet me të cilët është llogaritur. Për këtë pjesë ne kemi propozime të qarta dhe konkrete që janë në linjë me ato përmirësime të vazhdueshme që kanë ndodhur në skemën e pensioneve kur PS ka qenë në pushtet. Lidhur me privilegjet mendoj se, problemi duhet ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë janë privilegje që vijnë nga grupe të veçanta bazuar kryesisht në të kaluarën e tyre dhe që nuk janë më aktivë në tregun e punës. Eshtë detyrë e politikës të njohë këtë realitet dhe të marrë përsipër zgjidhjen e tyre. Krahët e ndryshëm do të dallohen nga mënyra se si do ta shpërndajnë koston e zgjidhjes. Pjesa e dytë janë privilegje që kërkohen nga profesione të vështira në tregun e sotëm të punës. Duhet zhvilluar një debat i gjerë mbi interesin publik të produkteve që vijnë nga kjo pune e vështirë. Si individë ne pranojmë që Shqipëria ka potenciale zhvillimi edhe nga pasuritë nëntokësore. Që nga ky moment produkti i punës së minatorit të Bulqizës, pra puna e tij, nuk është më vetëm një zgjedhje e tij (apo një fat i tij i keq – edhe sot vdiq një minator në Martanesh), por edhe një e mirë publike nga e cila përfitoj edhe unë që jetoj në Tiranë. Nëse unë mendoj se nuk është e drejtë që të kontribuoj për atë (meqë ai kërkon të dalë më shpejt në pension), duhet të pranoj që nuk është e drejtë që ai të kontribuojë sa e si unë dhe ta gëzoj pensionin gjysmën e kohës që e gëzoj unë (nëse është e vërtetë që jetëgjatësia e tyre është disa vite më e vogël se e imja që jetoj në Tiranë). Dhe këtë debat duhet ta zhvillojë e gjithë shoqëria e ta drejtojë politika. Në programin e ri të PS dhe kjo çështje do të ketë vendin e vet. Ndër këta, të themi, 1,4 milionë njerëz rreth gjysma janë fshatarë. Po me ta ç’do të bëhet. Deri më tani skema e pensioneve të fshatit funksionon e shkëputur nga skema e pensioneve të qytetit. Pensionet e fshatit vazhdojnë të jenë të ulëta, pjesëmarrja në skemë vazhdon të jetë e ulët dhe buxheti i shtetit vazhdon të subvencionojë ndjeshëm kontributet e fermerit. Eshtë detyrim i yni që në programin e ri të PS të ofrojmë zgjidhje konkrete edhe për këtë çështje. Tri shtyllatShtylla e parë, përmes së cilës kryesisht garantohet mbrojtja e të moshuarve nga varfëria. Kjo shtyllë duhet të jetë e detyrueshme dhe nën administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit;Shtylla e dytë, e cila mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të tij. Kjo shtyllë mund të jetë private ose publike dhe bazohet mbi kapitalizimin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga shtylla e parë;Shtylla e tretë, e cila është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizimin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve.“Defektet e sistemit aktual të pensioneve”Sistemi aktual i pensioneve është drejt dështimit, jo eficient për nxitjen e punësimit dhe i vështirë për t’u administruar.Fabiola Çela Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Camille  Naumah, në një intervistë për “Panorama” tregon defektet e sistemit aktual dhe efektet e reformës së re të pensioneve me tri shtylla. Kush janë pikat e dobëta të sistemit dhe kur parashikohet të fillojë aktiviteti i ri.Çfarë përfaqëson sistemi i tri shtyllave? Sistemi shumë-shtyllash ka aktualisht katër shtylla. Shtylla zero është për të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo, në disa vende vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i saj është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit. Shtylla e parë është sistemi i pensioneve me kontribut, që aktualisht ekziston në Shqipëri, një sistem publik i bazuar në solidaritet, por ku pensioni varet nga vitet dhe niveli i kontributit. Shtylla e dytë ka hyrë në disa vende si një sistem kursimesh, ku punonjësve dhe punëdhënësve u kërkohet të vendosin një përqindje të pagës në llogari të specializuara kursimesh, të cilat pastaj investohet. Pasi del në pension punonjësi përfiton kontributin dhe interesat e krijuara nga ky sistem. Kjo shtyllë mund të menaxhohet në mënyrë publike apo private dhe nuk mbështetet në sistemin e solidaritetit. Së fundi, shtylla e tretë është e ngjashme me shtyllën e dytë, por punonjësit dhe punëdhënësit mund të bëjnë vullnetarisht kontribute shtesë, në mënyrë që të rrisin nivelin e pensionit të tyre të ardhshëm. Pse është nevoja e këtij ndryshimi në sistemin e pensioneve? Sistemi aktual i pensioneve fokusohet kryesisht në reduktimin e varfërisë dhe ka një strukturë të ngjeshur të përfitimeve të pensionit në krahasim me gamën e gjerë të kontributeve të paguara në sistem. Si rezultat, është e nevojshme të forcohen iniciativat për pjesëmarrjen në një sistem të tillë solidariteti. Veç kësaj, shumë njerëz gjejnë mënyra për të kontribuar vetëm mbi bazën e pagës minimale, pavarësisht të ardhurave të tyre më të larta. Sistemi i pensioneve është gjithashtu shumë kompleks, me shumë privilegje të ndryshme speciale dhe për këtë arsye i vështirë për t’u administruar. Administrimi i vështirë e bën atë veçanërisht të lehtë për abuzime. Si përfundim, sistemi aktual kërkon nivele kontributi më të larta se shumë vende të Evropës Perëndimore dhe vende me të cilat Shqipëria konkurron në tregun e punës. Kur mund të implementohet skema e re në Shqipëri? Seminari i mbajtur ditët e fundit, shënon hapjen e një dialogu të gjerë politikash me partnerët socialë, përfshirë partitë në opozitë. Eksperienca nga vende të tjera, të cilat kanë modernizuar dhe përshtatur me sukses programet e tyre të pensioneve, ku ekonomia e tregut po mëkëmbet, kanë treguar se është shumë e rëndësishme arritja e një konsensusi të gjerë për të kryer këtë proces. Kjo është veçanërisht e vërtetë, pasi përcaktohet drejtimi i reformës dhe fillon procesi gradual i përshtatjes së sistemit të pensioneve. Se sa shpejt do të arrihet konsensusi mbi drejtimin dhe hapat e reformës, kjo varet nga opinionet e aktorëve të ndryshëm dhe axhenda politike. Sa i rrezikuar është sistemi aktual i pensioneve? Aktualisht nuk ka ndonjë rrezik për sistemin e pensioneve, me përjashtim të ndoshta të abuzimeve dhe evazionit. Një reformë e mirë pensionesh ndërmerret përpara se rreziqet të shfaqen. Siç e thamë, në Shqipëri sistemi duhet të forcohet për t’u siguruar që do të ketë volum të mjaftueshëm kontribuesish në periudhën afatmesme dhe afatgjatë për të mbuluar nevojat e popullsisë që plaket. Megjithatë, çdo përpjekje për të forcuar sistemin duhet të jetë e qëndrueshme nga pikëpamja fiskale dhe financiare, pa dekurajuar ndërkohë rritjen në sektorin formal të punësimit dhe pa pakësuar aftësitë e Shqipërisë në tregun e punës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›