E Diel, 1 Nëntor 2026

Roma shkatërron “Shtëpinë e Bardhë”

Liga e Kampioneve njohu edhe të tjerë të kualifikuar fatlumë, ku më e gëzuara, pa dyshim, ishte Roma e Luçiano Spaletit, që arriti të eliminojë në “Santiago Bernbeu” gjigantin spanjoll, Realin e Madridit

Real Madrid-Roma 1-2
Roma arriti një kualifikim madhështor në “Santiago Bernabeu” pas fitores së dytë, po 2-1 me Realin. Skuadra italiane kishte fituar në Romë takimin e parë 2-1. Golin për Romën e shënoi Tadei në minutën e 73-të, vetëm pak minuta pasi Reali i Madridit mbeti me dhjetë lojtarë, pas ndëshkimit të Pepes me karton të kuq në të 71’ (pas dy të verdhash). Skuadra e Bernd Shusterit reagoi menjëherë dhe Raul realizoi pas dy minutash golin e barazimit duke mposhtur portierin e Romës, Doni. Ky ishte goli i 61-të i Raul Gonzalesit në Ligën e Kampioneve. Golin e fitores së madhe për skuadrën e Luçiano Spaletit e shënoi Mirko Vuçiniç në minutën e 92-të, duke shkatërruar plotësisht ëndrrat e presidentit të Realit, Ramon Kalderon, për të fituar trofeun prestigjioz. Nga Spanja në lojë është vetëm Barcelona, pas eliminimit tragjik të Seviljes.

Çelsi-Olimpiakos 3-0
Çelsi i miliarderit rus Roman Abramoviç, zuri një vend mes tetë më të mirave të Europës, kur mposhti me rezultat të pastër 3-0 kampionët e Greqisë, Olimpiakos.
Mesfushori gjerman, Mikael Balak, shënoi golin e parë në të 5’ për Çelsin, që ishte njëherësh edhe goli i tij i parë në Ligën e Kampioneve për këtë sezon. Ish-lojtari i Bajernit goditi në mënyrë madhështore me kokë afër portës pas krosimit nga e majta të Frenk Lampard.
Pas njëzet minutash i erdhi radha Lampardit për të dyfishuar rezultatin, duke mposhtur për herë të dytë portierin e Olimpiakosit, Antonios Nikopolidis, i cili nuk arriti ta ndalonte plotësisht gjuajtjen e Balak brenda zonës. Për Lampard ky ishte goli i tij i 12-të në Ligën e Kampioneve, por i pari i tij në këtë sezon të Ligës. Me rezultatin 2-0 brenda 25 minutash, Çelsi ishte shumë pranë kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.
Dominimi i skuadrës së Avram Grant ishte absolut, kur pas vetëm tre minutash pas fillimit të pjesës së dytë, Salomon Kalu shënoi golin e tretë në minutën e 48-të. Ky ishte edhe goli i parë i lojtarit nga Bregu i Fildishtë në Ligën e Kampioneve.

Të kualifikuar
Arsenali, Mançester Junaitid, Barcelona, Fenerbahçe, Çelsi, Roma.
Më 11 mars do të luhet takimi Inter-Liverpul, për të zgjidhur edhe enigmën e emrit të tetë të çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve.

Kaladze: “U mundëm nga një ekip i madh”

Mbrojtësi i Milanit, Kaka Kaladze, pranoi se në fund ekipi më i mirë kaloi për në raundin tjetër dhe ky ishte Arsenali, që mundi 2-0 Milanin në “San Siro”, për t’u bërë pjesë e çerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Kaladze vlerësoi “Topçinjtë” për performacën e tyre në të dyja ndeshjet kundër kuqezinjve në “Emirates Stadium” në Londër dhe në “San Siro” në Milano. “Ne humbëm kundër një ekipi të madh”, - pranoi mbrojtësi i Milanit. “Arsenali luajti një ndeshje të madhe. Ata e meritonin të kalonin. Milani duhet të mendojë tani për të zënë vendin e katërt në Serinë A për të qenë pjesë e Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm”.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›