Qeveria shkrin 21 inspektorate, mbeten 12
Qeveria vendos një stad të ri në riorganizimin e brendshëm të inspektorateve, duke ndërmarrë një reformë të thellë në këtë drejtim. Kryeministri Berisha mblodhi Task-Forcën për reformën e inspektorateve, e cila, në përmbyllje të një periudhe diskutimesh e analizash, arriti në përfundimin për thjeshtimin e sistemit të inspektorateve në vend nga 33 aktuale në 12 dhe riorganizimin e brendshëm të tyre. Z. Berisha, duke e vlerësuar reformën e sistemit të inspektorateve të një rëndësie themelore, shprehu bindjen se modeli i përzgjedhur do të jetë një model suksesi. Ne, - tha Kryeministri, - duhet të veprojmë me shpejtësi, sepse vetë situata aktuale e inspektorateve është çmobilizuese për to. Duhet që sa më shpejt inspektoratet të ristrukturohen, sa më shpejt të miratojmë ligjin horizontal të funksionimit të tyre, skemën e organizimit të brendshëm të tyre, por edhe pagat e shpërblimet. Kryeministri Berisha konsideroi se një dimension i rëndësishëm i kësaj reforme, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, është vendosja e sistemit të e-inspektorat. Vetëm duke vendosur këtë sistem, - tha Kryeministri, - ne do të imponojmë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve tona. Kryeministri kërkoi që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor. Sipas tij, përcaktuese janë dhe do të jenë raportet me inspektoratin qendror. Skema që propozon grupi i ekspertëve, mendoj se është e drejtë dhe e ndershme. Ne, - shtoi Berisha, - duhet ti aplikojmë plotësisht kompetencat që sugjerohen për inspektoratin qendror, të cilat nuk janë më të mëdha. Grupi i Bankës ka përzgjedhur një inspektorat qendror që do ta quaja të vogël dhe unë jam dakord, ka përcaktuar kthjelltë e qartë misionin e kompetencat e tij. Por reforma ka një dimension, pa të cilin nuk do të mund të ketë sukses, nëse ne nuk vendosim tërësisht sistemin e-inspektorat. Vetëm duke vendosur këtë sistem, ne do të imponojmë një shkallë të lartë transparence të inspektorateve tona, - theksoi Kryeministri. Ndaj, - vijoi Berisha, - ne kërkojmë ndihmën e Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit, të Bankës, që, krahas të gjithë hapave, të ndërtojmë sistemin dixhital, si një kusht për transparencë për luftën kundër korrupsionit, arbitraritetit, por edhe si një tjetër kusht përcaktues që inspektorati të përmbushë misionin e tij. Vetë fakti, - tha Berisha, - që inspektori do të jetë i detyruar të kryejë të gjitha veprimet në platformë dixhitale, përbën një frenim për arbitraritetin e tij, ndaj mendoj që brenda muajit prill të fillojë hartimi i ligjit horizontal dhe projektligji të dorëzohet në qershor. Po ashtu, siç kemi rënë dakord, të fillojë menjëherë konsolidimi i inspektorateve në ministri. Afatet për miratimin e ligjit horizontal duhet të afrohen nga dhjetori, minimumi në tetor, sepse një agoni e zgjatur kërcënon inspektoratet, - u shpreh Kryeministri.