E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Do të shpronësojmë 'Tajvanin'

Bashkia: Qeveria po thellon konfliktin midis pushtetit vendor dhe atij qendror


Qendra e kryeqytetit është shndërruar në një burim konfliktesh mes bashkisë dhe qeverisë.


Ne nje perpjekje per te ushtruar presion ne kushtet e krizes politike, qeveria ka bere mollw sherri këtë herë parkun "Rinia". Gjatë mbledhjes së djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha deklaroi se kjo tokë është shitur nga Bashkia në mënyrë të paligjshme dhe me një vlerë simbolike prej 95 euro metri katror, ndërkohë që çmimi real për një metër katror tokë në këtë zonë shkon në 2 mijë euro. Kryeministri bëri të ditur se javën që vjen qeveria do të anulojë vendimin për shitjen e një pjese trualli në parkun Rinia në Kryeqytet.


Sipas kryeministrit Sali Berisha, Bashkia e Tiranës e ka shitur këtë tokë në kundërshtim me ligjin për shitblerjen e trojeve nr. 7980, datë 27.7.1995, i cili përcakton se shitja e trojeve shtetërore bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave për arsye madhore ose për ndërtimin e një kategorie të caktuar banesash.


Për këtë, ai i kërkoi Ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, të depozitojë me urgjencë në qeveri vendimin për të anuluar dhunimin flagrant të ligjit mbi shitblerjen e trojeve në Republikën e Shqipërisë. "Dhunim, i cili konsiston në përvetësimin në kundërshtim me ligjin e vendit të 1350 metrave tokë publike nga kryebashkiaku i Tiranës dhe besniku i tij, në zemër të qytetit", - u shpreh Berisha.


Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Bashkisë së Tiranës në lidhje më këtë deklaratë të kreut të qeverisë.


Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë, Dritan Agolli, gjatë një konference për shtyp, paraqiti dokumente, të cilat tregojnë se vendimi për legalizimin e kësaj ndërtese është marrë nga Këshilli Bashkiak.


Sipas Agollit, shitblerja e trojeve në bazë të ligjit kërkon shumicën e cilësuar dhe ky vendim është miratuar me 71 % të votave, duke marrë votat pro edhe të një pjese të konsiderueshme të anëtarëve të koalicionit të Partisë Demokratike.


Argumenti i dytë që paraqiti Agolli ishte pika 11, neni 2 i ligjit nr. 9209, në të cilën thuhet se në rastin e trojeve publike, për efekt legalizimi, toka shitet nga Këshilli Bashkiak apo i Komunës. "Për sqarim, po për efekt legalizimesh, sot qeveria po shet toka anembanë Shqipërisë", - theksoi Agolli.


Ndërsa, për sa i përket diferencës së madhe mes çmimit, me të cilin është shitur trualli (95 euro) dhe çmimit real që pretendon Kryeministri (2 mijë euro), Agolli paraqiti relacionin e administratës, të përcjellë nga Kryetari i Bashkisë, Këshillit Bashkiak, ku i propozohet që çmimi të përzgjidhet në një nga dy mënyrat; sipas përcaktimit të ligjit, apo me ngritjen e një komisioni nga Këshilli, për përcaktimin e çmimit të tregut. "Këshilli, vendosi që përcaktimi i çmimit të bëhej sipas ligjit.


Nga ana tjetër, vlera e paguar për legalizimin, sikur të ishte bërë me ligjin që zbaton sot qeveria, do të bënte që subjekti të paguante 5 herë më pak, nga çka është derdhur në arkën e Bashkisë në vitin 2005-së", - tha administratori Agolli.


Bashkia e Tiranës deklaroi se agresioni verbal ndaj saj, thellon më tej konfliktin midis pushtetit vendor dhe atij qendror, si dhe e konsideron të papranueshëm dhe në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Kartës së Autonomisë Vendore, sulmin për denigrimin dhe dëmtimin e imazhit të pushtetit vendor nga ana e qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë.


Bashkia e Tiranës i kërkon komunitetit ndërkombëtar, që ka investuar miliona euro për çështjen e autonomisë vendore të ndërhyjë, pasi qeveria është duke shpërdoruar fondet publike të dhuruara nga donatorët, me uzurpimin e kompetencave dhe ushtrimin e trysnisë ndaj pushtetit vendor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›