E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan një program të ri bashkëpunimi katër vjeçar

Qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan sot, në mjediset e Këshillit të Ministrave, një program të ri bashkëpunimi për periudhën 2012-2016. Për qeverinë shqiptare nënshkroi ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimin z. Genc Pollo dhe në emër të Kombeve të Bashkuara nënshkroi koordinatorja e përhershme e tyre në Shqipëri znj. Zineb Toumi- Benjelloun.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi bashkëpunimin me Kombet e Bashkuara dhe falënderoi donatorët, të cilët kanë bërë të mundur financimin dhe suksesin e qindra projekteve të realizuara nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri.

“Programi i këtyre katër viteve që vijnë, - u shpreh Kryeministri -  do të jetë i përqendruar në tërësi për të ndihmuar Shqipërinë në promovimin modelit të zhvillimit të qëndrueshëm”.

Programi, i cili nënshkruhet në ditën botërore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara,  mbështet Shqipërinë në axhendën e saj të integrimit dhe, gjithashtu, në sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal e politikave sociale gjithëpërfshirëse.

Më gjerësisht në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh:

Është një rast i veçantë për mua që sot, në 66 vjetorin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë përfaqësuesit, ekipet, stafet e kësaj organizate dhe nën-organizatave të saj në Shqipëri për ndihmën e çmuar që i kanë dhënë e i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën e tyre të zhvillimit. Ne kremtojmë këtë 66 vjetor me një histori të vërtetë bashkëpunimi të suksesshëm. Qindra burra e gra, ekspertë dhe punonjës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara këto njëzet vite i kanë dhënë Shqipërisë ndihmën, mbështetjen, ekspertizën më të çmuar e të gjithanshme. Ata me kontributin e tyre janë pjesë e rëndësishme e suksesit të këtij vendi. Por ky është një rast i veçantë për të falënderuar shumë përzemërsisht donatorët bujarë, të cilët kanë bërë të mundur financimin dhe suksesin e qindra projekteve të realizuara nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Historia e suksesit të këtij bashkëpunimi qëndron në themel të përzgjedhjes së Shqipërisë si vend pilot për të aplikuar projektin e reformës së thellë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara “Një OKB”. Ky projekt po konsolidohet gjithnjë e më shumë në sajë të punës, përkushtimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, drejtimit të tyre nga zonja Toumi- Benjelloun, drejtuese e PNUD-it në vendin tonë.

Unë kam kënaqësi që sot, së bashku me drejtuesit e organizatave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rezidente në Tiranë znj. Zineb Toumi- Benjelloun, ne kremtojnë 66 vjetorin e OKB-së duke nënshkruar një marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi për katër vitet që vijnë. Bashkëpunimi ynë me organizatat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara është i gjerë dhe i suksesshëm. Përfshin fusha nga më të rëndësishmet, nga teknologjia e informacionit tek vdekshmëria foshnjore, migracioni, trafiqet, dhuna në familje, echo - turizmit, trashëgimia kulturore, etj. Pra janë të panumërta fushat në të cilat bashkëpunojmë.

Programi i këtyre katër viteve që vijnë do të jetë i përqendruar në tërësi për të ndihmuar Shqipërinë në promovimin modelit të zhvillimit të qëndrueshëm. ‘Shqipëria vend i zhvilluar’ është qëllimi më madhor, ëndrra më e bukur e çdo shqiptari. Por kjo ëndërr gjen realizimin më të bukur të saj në projektin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ne kemi të gjitha potencialet të ndjekim këtë rrugë, në interesin më të mirë të shqiptarëve. Në këtë kontekst qeveria është e vendosur të bëjë gjithçka për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi energjetike të vogël rajonale të energjisë së rinovueshme. Qeveria është e vendosur të bëjë përpjekjet më të mëdha për një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të pastër. Studime të besueshme, më seriozet, kanë faktuar se 40 përqind e vdekjes së njeriut përcaktohet nga mjedisi. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për një mjedis sa më të shëndetshëm, zhvillimin dhe ruajtjen e tij. Do të jetë e afërt dita kur ujërat tona të jenë ujërat më të pastra të rajonit. Ne po punojmë për një strategji solide të mbrojtjes dhe zhvillimit të mjedisit. Ne po punojmë, gjithashtu, për një pyllëzim të paprecedent të këtij vendi. Unë isha në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një nga diskutantët lavdëroi, me të drejtë, nismën e Sekretarit të Përgjithshëm z. Ban Ki Moon për mbjelljen e  një miliardë drurëve në vitin 2007. Kënaqësia ime ishte e madhe kur unë njoha audiencën me projektin e qeverisë shqiptare për të mbjellë në tetë vite 250 milionë rrënjë ullinj, arra, gështenja, lajthi, bajame dhe shegë. Organizata e Kombeve të Bashkuara është promotori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm në planetin tonë. Ndaj dhe unë jam i bindur që me mbështetjen e saj, me mbështetjen me organizatave rezidenciale të OKB-së në Tiranë, ne do të zhvillojmë këtë vend në mënyrën më të qëndrueshme, më jeshile. Ky është interesi i të gjithë qytetarëve të këtij vendi.

Edhe një herë ju falënderoj ju, znj. Zineb Toumi- Benjelloun, të gjithë drejtuesit e organizatave të Organizatës së Kombeve të Bashkuara rezidente në Tiranë, të gjithë donatorët që me bujari kanë mbështetur projektin “Një OKB” dhe dhjetëra projekteve të tjera. Një udhëtim jeshil është gjithnjë udhëtim i bukur, le ta vazhdojmë këtë.

Faleminderit!”


24/10/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›