Kryeministri Berisha inauguron në qarkun e Dibrës, investime publike me vlerë 1 miliardë e 100 milionë lekë
- Investimet në qarkun Dibër : Në këto vite janë ndërtuar 395 km rrugë, 104 sisteme ujësjellësa e kanalizime, 58 shkolla, 75 Ambulanca dhe 5 tregje agro- industriale. Në bujqësi dhe agro- industri, janë investuar 500 milion leke. Me subvencion janë mbjellë mbi 700 ha pemëtore, arrorë e vreshta dhe kanë përfituar 1510 bujq.
Kryeministri Berisha zhvilloi sot një tur në qarkun e Dibrës, ku mori pjesë në inaugurimin e investimeve publike me vlerë 1 miliardë e 100 milionë lekë. Këtë vizitë, Kryeministri e nisi me inaugurimin e rrugës Ura e Qytetit - Zerqan, një investim me vlerë 137 milion lekë, gjatësi 6.5 km dhe gjerësi 4.5 m, nga ndërtimi i të cilës përftojnë 6000 banorë, si dhe të gjitha fshatrat e Komunës Zerqan. Ky segment rrugor fillon nga rruga nacionale Peshkopi – Tiranë dhe përfundon në qendër të komunës Zerqan dhe shërben për transportin e produkteve bujqësore dhe blegtorale drejt tregjeve të zonës, edhe për transportin e materialeve inerte dhe lëndës drusore drejt qytetit të Bulqizës.
Gjatë takimit me banorët e zonës, Kryeministri i përgëzoi ata për rrugën të cilën, siç u shpreh ai, e meritonin plotësisht si dhe theksoi se me përfundimin e rrugës së Arbërit, kjo zonë do të gjallërohet dhe do të arrihet më lehtësisht. Ai i shprehu atyre mirënjohjen për kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin.
Loti i i-rë "Maqellare - Grezhdan" i rrugës Maqellarë - Peshkopi, ishte një tjetër investim i inauguruar nga kryeministri Berisha. Ky aks rrugor, me vlerë 600 milionë lekë, gjatësi 4.3 kilometra dhe gjerësi 9 metra, do të shërbejë për lidhjen e banorëve të rrethit Dibër me rrugën e Arbërit dhe mund të konsiderohet pjesë integrale e kësaj vepre të rëndësishme.
Më pas, Kryeministri Berisha ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e inaugurimit të segmentit Rrugë Nacionale - Kovashicë, një investim me vlerë 18.5 milion lekë. Fshati Kovashicë është fshati i 6-te i kësaj komune, që lidhet me rrugë të asfaltuar me rrugën nacionale. Në komunën Kastriot u inaugurua edhe përfundimi i punimeve për sistemimin e asfaltimit të rrugës së fshatit Kandërr, një investim me vlerë 26 milion leke dhe të rrugës së fshatit Sohodoll me vlerë 23 milion lekë.
Loti i 1-rë si rrugës Peshkopi - Kukës, përkatësisht aksi "Grykë e Gobenit - Përroi Kapsit" ishte vepra e fundit publike e inauguruar sot, nga Kryeministri në këtë qark. Nga ky aks me vlerë 231 milion lekë, gjatësi rreth 10 kilometra dhe gjerësi 7 metra do të përfitojnë rreth 15 mijë banore. Ky aks rrugor është pjesë integrale e korridorit të verilindjes. Asfaltimi i rrugës ka shkurtuar edhe kohën e lëvizjes së banorëve, nga mbi një orë udhëtim që ishte më parë, tani qyteti i Peshkopisë arrihet në rreth 20 minuta. Në total rruga Peshkopi - Kukës, ka një gjatësi rreth 64 kilometra. Kjo rrugë u shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë komunave Kastriot dhe Fushë Çidhen. Në mënyrë indirekte ajo ju shërben fshatrave të komunave Zall Dardhe, Arras, Sllovë dhe Kala e Dodës. Zona që i shërben kjo rruge njihet për nivelin e lartë të prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe frutore. është një zonë që ka shumë fermerë.
- Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha:
Të dashur banorë të komunës Kastriot,
Zotërinj ministra, deputetë, qeveritarë vendorë,
Së pari, ju përshëndes shumë përzemërsisht, shpreh kënaqësinë time që jam sot, këtu tek ju, për të inauguruar rrugë, të cilat lidhin këtu në Kastriot fshatrat e tij, Sohodoll, Kovashicë, Zerqan, rreth 25 mijë banorë me rrugë të standardeve më të mira.
Në këto vite në qarkun e Dibrës, qeveria ka ndërtuar dhe rindërtuar 395 kilometra rrugë, rreth 200 të tjera janë në ndërtim e sipër në të katër anët e këtij qarku, nga Skuraj, Urakaj në Kalanë e Dodës në Kufi në Qafë - Studen. Zotimi ynë solemn para jush është se, aty ku jetoni ju, të keni një infrastrukturë të njëjtë me të qyteteve të vendit, të keni infrastrukturë rrugorë, ujë, drita, njëlloj si fshatrat, që janë në zonat e tjera rurale në Europën e zhvilluar.
Ne ndërtojmë rrugët me bindjen më të thellë se, rruga, pas shkollave dhe energjisë, është faktori më kryeso i zhvillimit, të çdo fshati, të çdo qyteti, të çdo zone, të çdo qarku në Shqipëri. Ne ndërtojmë rrugët, sepse ato hapin potenciale të mëdha zhvillimi të reja dhe të pa imagjinuara më parë.
Po vij nga Zerqani, gjeja e parë që të shkon ndër mend në Zerqan, në Maqellarë, në Kastriot dhe kudo që ndodheni, është potenciali i madh turistik. Nga Tirana, për të ardhur në Peshkopi njerëzit sot e mendojnë se kjo është mundim, por, pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, kjo do të jetë kënaqësi dhe çlodhje. Pas ndërtimit të rrugës së Arbërit, përfundimit të rrugës Kukës-Peshkopi, Peshkopi-Qafë Studen, Peshkopia shndërrohet në një qendër të fuqishme të zhvillimit rajonal në të gjithë Shqipërinë veri-lindore.
Infrastruktura jonë moderne, për të cilën ne jemi zotuar në takimet e mëparshme, hap Peshkopinë drejt Kosovës, drejt Tiranës, drejt Dibrës së Madhe, drejt Shkupit. Unë ju njoh mirë ju. Ndër shqiptarët, më punëtorë se ju nuk ka, ndaj dhe ju ftoj që mbi bazën e asaj që keni ndërtuar me mund, me djersë, me sakrifica të mëdha, - sepse tani ju jeni në një kohë tjetër, - të mendojmë ato që nuk kemi menduar më parë, të mendojmë të shtojmë të ardhurat tona në çdo familje, në Kastriot, në Sllovë, në Kala të Dodës, në Zerqan dhe kudo që jetojmë.
Potencialet tuaja janë të mëdha, qarku juaj ka potenciale të jashtëzakonshme turistike. Sapo të ndahem nga ju, do të kem një ndalesë të shkurtër në Peshkopi dhe do të shkoj drejt Kalasë së Dodës. Miqtë e mi më ftuan për një drekë, por ju thashë se para drekës dhe pamjes së Korabit, unë po zgjedh këtë të dytën. Do të bëjmë gjithçka që malet e Dibrës t'i njohin mbarë shqiptarët, t'i njohë e mbarë Europa. Bazuar në potencialet e tyre të jashtëzakonshme turistike, do të bëjmë gjithçka që ujërat e Dibrës, ujërat e këtij qarku, të shndërrohen të gjitha në energji elektrike dhe të mos derdhen të fjetura në det. Do të bëjmë gjithçka që toka pjellore e mrekullueshme e këtij vendit të bëjë që qarku juaj të shndërrohet në prodhuesin kryesorë të frutave në Shqipëri.
Qeveritarët e Dibrës më informuan se është tejkaluar në rrënjë molle prodhimi dhe mbjellja e dikurshme, e pashë këtë dhe më krijuan përshtypjen se kishin ndaluar tek ato numra, por jo, ne duhet ti trefishojmë. Unë e di që keni disa vështirësi për tregun, por unë ju jap fjalën se secilit që do të aplikojë për ndërtim frigoriferësh dhe impiantesh për konservimin e frutave, ne do ta financojmë me kredi të buta. Ndaj dhe ftoj biznesmenët e Peshkopisë të ndërtojnë këtu në Peshkopi, të njëjtin sistem ftohje që është ndërtuar në Korçë dhe që ka bërë, që të mos mbetet as edhe një kilogram mollë pa u shitur.
Potencialet tuaja janë të mëdha. Ju jeni një zonë ideale për arrën, lajthinë , gështenjat në disa zona, ndaj dhe ne le të mendojmë sëbashku atë që nuk kemi menduar deri dje, të krijojmë këtu në Peshkopi dhe kudo, pyjet me arra, me lajthi, me dru frutorë. Qeveria do të financojë rrënjë për rrënjë çdo gjë që ju do të mbillni, por jam i bindur se nëse ju vendosni , brenda një kohe shumë të shkurtër, do të gjeni të gjithë mundësinë për të shumëfishuar bahçet tuaja, drurët frutorë në tokat tuaja. Le të përshtatemi ne me ritmet e zhvillimit. Sot Peshkopia ka universitet, i cili do të vijë gjithnjë në rritje. Peshkopia së shpejti do të ketë një nga infrastrukturat më modernë në vend. Ju garantoj se ujërat minerale të Korabit, të Stopanikës, do të vijnë në çdo vatër familjarë këtu në Kastriot dhe në të gjithë rrethin tuaj. Ne do të ndërtojmë sistemin rrugor, ujësjellësat, kanalizimet, sistemin e vaditjes , shkollat e standardeve më të mira. Këtu në Kastriot, në Kala të Dodës në çdo vend, në çdo komunë të këtij vendi.
Ne do të bëjmë gjithçka që investimet në zonat malorë te shumëfishohen. 8 vjet pa taksa secili prej atij që vendos të investojë në zonat malorë të Peshkopisë dhe të mbarë Shqipërisë.
Vëllezër dhe motra,
Rruga që keni përshkruar , nuk ka qenë e lehtë, ka qenë një rrugë me mundime, por ka qenë një rrugë plotë dinjitet, ka qenë një rrugë e lirë, ka qenë një rrugë në të cilën ne kemi realizuar në 20 vjet më shumë se në të gjitha kohërat. Ka qenë një rrugë, në të cilën ne sot bëmë vendin anëtare të NATO-s, rrugë në të cilën ne dyfishuam pensionet në fshatrat, rrugë në të cilën ne kemi ndërtuar mbi 9 mijë kilometra rrugë në mbarë vendin. Rrugë në të cilën ne kemi hequr vizat dhe lëvizim të lirë në mbarë Europën. Rrugë në të cilën ne po ndërtojmë korridoret e mëdha që transformojnë Shqipërinë. Mbështetja juaj, puna juaj djersa juaj ka qenë vendimtare. Në këto rrugë kemi pasur pengesa të kuptueshme , vështirësi për atë që kemi trashëguar, por gjithnjë të dashur banorë të Kastriotit dhe Peshkopisë, nuk mund të harrojmë kurrë se atë që i kemi bërë në vetes nuk na e kanë bërë të tjerët. Se më shumë i kemi bërë ne keq vetes sesa na kanë bërë të tjerët, se atë që bëri diktatura nuk na e ka bërë asnjë pushtim.
Kam qenë këtu në vitin 1986, nuk harroj kurrë dhe nuk kam për ti harruar ato muaj që kalova këtu me njerëz të mrekullueshme të Dibrës, njerëz të cilët diktatura i kishte vendosur në varfërinë me ekstreme, njerëzit më punëtorë ndër shqiptarët, ishin katandisur në mjerimin më të thellë dhe këtë nuk na e bënë pushtuesit e tjerë, këtë na e bënë shqiptarët dhe po të hyjmë në histori, sërish tani, na dalin dhe nuk votojnë, 3/5 dhe pengohet statusi. Po vëllezër, dy gjëra duhet tu them këtu. Lavdi Zotit për dy arsye, së pari sot jemi vend anëtarë i NATO-s dhe liritë tona i kemi të garantuara njëherë e përgjithmonë. Liria tek rregulli është ligji kombëtar dhe ndërkombëtarë i Aleancës së Atlantikut të Veriut , së dyti sot vërtet mund të pengojnë statusin, sepse nuk japin votën, por unë ju shtroj pyetjen të gjithë socialistëve të Peshkopisë, të Kukësit, të Tiranës të mbarë Shqipërisë , votuat ju për ta, që ata të mos votojnë në parlament statusin për fëmijët tuaj, për familjet tuaja për Shqipërinë në Bashkimin Evropian? Thash lavdi Zotit për dy arsye, arsyeja e dytë është se shumica e gjërave janë në dorën tuaj, të dashur qytetarë dhe qytetare, janë në dorën e shumicës që vendos në parlament, sepse ju e patë betejën e turpshme don kishoteske që bënë kundër rrugës së Kombit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës së Arbërit, ju e patë betejën që bënë kundër rrugës Tiranë-Elbasan, votën e tyre kundër pensioneve, kundër rritjes së rrogave, kundër shtrirjes së internetit në Shkolla.
Të gjitha këto dëshmojnë se zhvillimin asgjë nuk mund ta ndalojë në këtë vend, nuk mund ta ndalojë në radhë të parë se ai bazohet në mundin, djersën, sakrificën, shpirtin tuaj punëtorë. Nuk mund ta ndalojnë, sepse ai bazohet në një seri reformash. Të tjera reforma, kanë si synim të ndryshojmë gjithnjë me shumë për mirë jetën tuaj, t’ju bëjmë ju më të sigurtë, t’ju bëjë ju më të begatë më të lirë. Ndaj dhe le të vazhdojmë sëbashku dhe unë ju garantoj se për komunën Kastriot për rrethin e Peshkopisë dhe për çdo komunë të këtij rrethi, gjatë viteve që vijnë investimet do të shumëfishohen dhe qeveria do të mbështesë çdo projekt që synon lehtësimin, përmirësimin e jetës suaj. Ju ftoj ta shndërrojmë Peshkopinë në shndërruesin kryesor të frutave në Shqipëri, ta bëjmë atë të njohur për bukurinë, prodhimet, njerëzit e saj të mrekullueshëm.
Faleminderit
23/10/2011