E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat: Si do ndahet fondi 300 milionë për të pastrehët

 

Fabiola Çela

Këtë vit qeveria ka akorduar një fond prej 300 milionë lekësh për familjet e pastreha. Bëhet fjalë për ato familje që përfitojnë nga statusi i të pastrehëve. Në një prononcim për mediat zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu, ka sqaruar mënyrën e ndarjes së këtij fondi. Secili nga të 5000 personat në listën e përfituesve të kredive për strehim, mund të aplikojnë pranë zyrave rajonale të entit të banesave për marrjen e kredisë me normë interesi zero. Udhëzimi i ditëve të fundit i qeverisë eliminon koston e kredisë për të pastrehët, e parashikuar fillimisht në nivelin 3 për qind. “Masa e përfitimit varet sipas përbërjes familjare, p.sh Tirana e ka nga 2.7 milionë, deri në 5.2 milionë, shumën e përfitimit që e marrin të pastrehët”, shprehet zëvendësministri.  
Tenderimet
Duke nisur nga dita e djeshme, qeveria nuk do të kryejë më tenderime publike. Në një prononcim për mediat zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu sqaron se tenderat për projekte të veçanta do të kryhen vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. “Duke filluar nga data 3 gusht, qeveria ka marrë vendim tashmë që nuk do të lejojë vazhdimin apo çeljen normale të tenderave. Por në varësi të rëndësisë dhe të garancisë që institucionet do të japin për të shpenzuar paratë pa krijuar presione për shpenzime në ditët e fundit të vitit, qeveria do të lejojë tenderimin. Në këtë masë nuk parashikohet ndonjë kursim në buxhet, por thjesht synohet që të bëhet shpenzimi i barabartë i shpërndarë në kohë, gjatë gjithë vitit, përsa i përket investimeve publike”, u shpreh ai.
Buxheti
Ekspertët e Ministrisë së Financave kanë hartuar tashmë pikat kryesore të projekt/buxhetit 2010. Në projekt/buxhet janë parashikuar edhe fonde rezervë të mjaftueshme për të përballuar çdo rrezik, përfshi këtu edhe efektet e krizës globale. Në projekt/buxhetin 2010 parashikohen më pak investime për infrastrukturën rrugore, krahasuar me buxhetin e këtij viti. Kjo pasi nuk do të ndërtohet ndonjë vepër madhore si rruga Durrës-Kukës, punimet e së cilës, sipas Ministrisë së Financave do të mbyllen plotësisht brenda muajit shtator.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›