E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria shqiptare nuk kreditohet me 250 milionë euro, bankat e huaja nuk kanë besim



Ervin Koçi

Qeveria shqiptare ka dështuar dje për të dytën herë në përpjekjen e saj për të marrë një borxh prej 250 milionë eurosh nga bankat e huaja private. Pikërisht dje, më 30 janar 2009, ishte dhe data e fundit e afatit të shtyrë një herë të aplikimit ndërkombëtar që qeveria shqiptare kishte bërë nëpërmjet Ministrisë së Financave për të përfituar fondin gjigant. Hapja e ofertave e parashikuar të kryhej pikërisht dje, më 30 janar, nga Ministria e Financave, e cila ka bërë dhe aplikimin për tenderin ndërkombëtar, mësohet se nuk ka mundur të realizohet. Shkak ka qenë mungesa e bankave të huaja, të cilat nuk i janë përgjigjur në kohë kërkesës së qeverisë shqiptare për kredi tregtare, duke mos i kredituar asaj asnjë qindarkë. Burime konfidenciale në Ministrinë e Financave kanë deklaruar dje për gazetën “Albania” se, “tenderi ndërkombëtar është shtyrë për një afat të papërcaktuar dhe se ministria është në pritje të shumës për ofertën që do të jepet”. Po sipas të njëjtave burime mësohet se, “qeveria ka lënë të hapur dhe mundësinë e marrjes së disa ofertave nga banka të ndryshme që mund të japin shuma më të vogla nga ajo e kërkuar, por me kusht që të plotësohet sasia e nevojitur sipas tenderit”. Burimet konfirmuan më tej se, “deri në orën 14:00 të ditës së premte, 30 janar 2009, në faqen që ishte përgatitur posaçërisht për sjelljen e ofertave kishin sjellë ofertën vetëm 4 banka, ndër të cilat ‘Deutche Bank’ dhe “Raiffeisen Bank”, por vetëm ditën e hënë, më 2 shkurt 2009, do të shikohen ofertat me shumat e ofruara dhe do t’u lihet dy javë kohë shqyrtimit të tyre”.

Shtyrja e tenderit

Ndryshe nga sa ishte planifikuar, kredia prej 200-250 milionë eurosh do të merrej nga bankat e huaja jashtë vendit dhe jo nga bankat private që operojnë në vendin tonë. Kjo për dy arsye. E para, sepse bankat private në vendin tonë nuk kishin mundur të akumulonin një sasi të mjaftueshme valute sa ajo që ka kërkuar në kërkesën ndërkombëtare qeveria shqiptare, kjo edhe si pasojë e mungesës së likuiditetit të mjaftueshëm. Shkaku i dytë ishte edhe fakti që qeveria nuk kishte pranuar që të merrte një shumë të tillë (200-250 milion euro) nga sistemi bankar privat vendas, pasi, sipas kalkulimeve, kjo mund të shkaktonte ndonjë kolaps në këtë sistem pasi do të bllokonte të gjitha likuiditetet e për pasojë do të shkaktonte panik te klientët e bankave, të cilëve do t’u vonoheshin transaksionet. Këtë fakt e ka deklaruar disa kohë më parë edhe zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu: “Kredia duhet të garantojë një mbështetje më të madhe buxhetore dhe nuk duhet të përdoret e gjitha për fushatën elektorale. Por ajo do të merret nga bankat e huaja me qëllim që tregut bankar në vend të mos i krijohen boshllëqe likuiditeti”. Ky borxh ose kredi tregtare qeverisë i nevojitej për të përmbyllur investimet para fushatës zgjedhore. Fondi që do të përdoret për fushatë konsiderohet i mjaftueshëm për të hapur rrugë të reja dhe për të përfunduar në kohë rekord, para datës së zgjedhjeve, objektet që kanë nisur në vitet 2007-2008. I gjithë buxheti për investimet do të jetë rreth 1 miliard dollarë, diçka më pak se viti 2008, por që nuk "tkurr" planin e rritjes së shpenzimeve në ato objekte ku qeveria ka interes.

Aplikimi për kredinë

Informacioni zyrtar “kërkesë-ofertë” për marrjen e kredisë tregtare prej 250 milionë eurosh është publikuar zyrtarisht në gjuhën angleze në ueb-sajtin (faqen elektronike) zyrtare të Ministrisë së Financave të Shqipërisë që në fillim të muajit dhjetor 2008. Ministria e Financave është caktuar dhe si aplikuesja zyrtare e ngarkuar nga qeveria për këtë kredi. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, në informacionin e publikuar lidhur me këtë ofertë zyrtare, shprehimisht thuhet: “Qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, është duke kërkuar një ofertë për financimin për nevojat e saj të shpenzimeve kapitale për vitin 2009. Procedurat e kredisë do të përdoren në mbështetje me prioritetet e përcaktuara në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin dhe Integrimin. Në këtë drejtim, ne jemi të lutur të ftojmë institucionet kryesore financiare të konsiderojnë këtë kërkesë për propozim financimi dhe të marrim oferta me shkrim, jo më vonë se 15 janari i vitit 2009. Procedurat e kredisë janë që të disbursohen tërësisht gjatë vitit 2009. Këtu përfshihen si më poshtë: 1- Prezantimi i ofertës së plotë për 200-250 milionë euro. 2- Prezantimi i eksperiencave të financimeve të ngjashme që janë bërë më parë”. Po në këtë ofertë janë përcaktuar qartë edhe pikat e kontaktit të caktuara nga ministria për ofruesit. Ato janë: “Personi i kontaktit në Ministrinë e Financave është z. Xhentil Demiraj, drejtor i Përgjithshëm i Menaxhimit të Borxhit në Ministrinë e Financave të Shqipërisë”.

31 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›