Kreditë tregtare “kredhin” shtetin shqiptar në borxhe me bankat e huaja
Qeveria shqiptare mori gjatë vitit 2008 një sasi prej rreth 300 milionë eurosh në formën e kredisë nga bankat tregtare (para borxh), ku pjesën më të madhe të parave (rreth 230 milionë euro), ajo e investoi vetëm për rrugën super të kushtueshme “Durrës-Kukës” dhe këto vetëm për segmentin “Rrëshen-Kalimash”. Por qeveria shqiptare po kërkon sërish para borxh edhe për këtë vit, duke “porositur” nga bankat private po atë sasi parash si një vit më parë. Nëpërmjet Ministrisë së Financave, qeveria shqiptare ka lëshuar tashmë ofertën ndërkombëtare për kredinë që varion nga 200 deri 250 milionë euro dhe që u është drejtuar institucioneve financiare ndërkombëtare. Ndërkohë kujtojmë se nga sasia e parave të marra si kredi gjatë vitit 2008, përveç investimit për rrugën “Durrës-Kukës”, edhe pjesën tjetër që mbeti nga sasia prej rreth 300 milionë eurosh, qeveria e investoi po në infrastrukturën rrugore, për akse të mbetura përgjysmë ose të panisura ende në jug dhe veri të vendit. Sasia e parave që do të merret gjatë këtij viti do ta fusë vendin në një borxh të jashtëzakonshëm, për të cilin shqiptarëve do t’u duhet të paguajnë për breza me radhë përqindjen dhe interesat e tij.
31 Janar 2009