E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Është koha për veprime konkrete për “Kosovën e Re”

Prishtinë, 9 gusht - Kryeministri i Qeverisë të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar të hënën në mbledhjen e kabinetit të tij qeveritar, se pas një debati të gjatë dhe shterues është koha kur duhet të kalohet në veprime konkrete për realizimin e projektit për termocentralin “Kosova e Re”.
Sipas kryeministrit Thaçi, projekti për termocentralin “Kosova e Re” është një projekt që do të sigurojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, do të gjenerojë vende të reja pune dhe do të stimulojë investitorët në Kosovë.
Kryeministri Thaçi në këtë mbledhje, siç raporton KosovaLive, vlerësoi se Kosova gjithnjë e më shumë është duke u bërë atraktive dhe me klimë të volitshme për investimet e huaja.
Ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula-Shiroka, ka njohur kabinetin qeveritar me marrëveshjet që do të ofrohen për realizimin e projektit, ka njoftuar Zyra e kryeministrit me një komunikatë për media.
Sipas ministres Pula-Shiroka, në vijim do të diskutohet edhe pjesëmarrja e Qeverisë së Kosovës në këtë projekt. Ajo ka theksuar se pjesëmarrja e Qeverisë së Kosovës në komponentin e prodhimit të energjisë është propozuar që të jetë nga 25 deri në 30 për qind, ndërsa në komponentin e eksploatimit të linjitit deri në 49 për qind.
Në mbledhjen e saj të rregullt, e 138 me radhë, Qeveria e Kosovës ka miratuar Propozim-vendimin për aprovimin e rekomandimeve të Komitetit drejtues për projektin e termocentralit “Kosova e Re” për projekt-kërkesën dhe projekt-kontratat përcjellëse për realizimin e këtij projekti.
Projekt-kontratat përcjellëse të projektit për TC “Kosova e Re” do të iu dërgohen investitorëve për komente, u tha në këtë mbledhje të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›