E Diel, 1 Nëntor 2026

“Expresi i Nënës”, treni kushtuar Nënë Terezës

Kalkuta, 9 gusht - Ministria e Hekurudhave në Indi ka vendosur t’i dedikojë një tren bamirëses së madhe shqiptare Nënës Terezë, me rastin e 100 vjetorit të saj të lindjes.

Lajmi është konfirmuar nga agjencia e lajmeve PTI, e cila citon vetë titullaren e dikasterit. Sipas saj, treni do të pagëzohet “Expresi i Nënës” dhe do të inaugurohet pikërisht më 26 gusht, ditën në të cilën festohet 100 vjetori i lindjes së Nënë Terezës, me dhjetëra aktivitete në Indi, transmeton TVNews24.

Vagonët e trenit do të lyhen me ngjyrë qielli dhe vija të bardha, ashtu si uniforma e misionarëve të bamirësisë, urdhrit të themeluar nga murgesha shqiptare, e cila ndërroi jetë në vitin 1997.

Me rastin e 100 vjetorit të Nënë Terezës, qeveria indiane ka parashikuar gjithashtu edhe nxjerrjen e një monedhe në nder të saj, si dhe mbajtjen e një simpoziumi në Nju Delhi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›