E Shtunë, 31 Tetor 2026

Falen interesat e kredive të këqija

Përfitues 13 mijë kreditorë të sektorit të bujqësisë

Këshilli i Ministrave ka marrë vendimin për faljen e interesave të kredive të marra nga bujqit për blerjen e makinave bujqësore. Në portofolin e Agjencisë së Trajtimit të Kredive janë 13.408 dosje kredie, të cilat janë ende të papaguara. Pikërisht nisur nga kjo situatë, nga vendimi i qeverisë do të përfitojnë faljen e interesave, të kamatëvonesave dhe të gjobave debitorët, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat shumën e principalit e kanë pasur deri në 3 (tre) milionë lekë, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë vetëm principalin e transferuar nga bankat apo shumën e mbetur të principalit. Për kreditë e transferuara në valutë, konvertimi bëhet me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë, në çastin e transferimit. Po ashtu, faljen e interesave të kamatëvonesave dhe gjobave e përfitojnë të gjithë debitorëve që kanë marrë kredi për mekanikë bujqësore (autokombajna, traktorë, makineri e agregate bujqësore), prodhim dhe përpunim të produkteve bujqësore e blegtorale, linjë prodhimi dhe përpunimi të produkteve, bujqësore dhe blegtorale dhe mjete të transportit, pavarësisht nga shuma e principalit të transferuar nga bankat, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë vetëm principalin e transferuar apo pjesën e mbetur prej tij. Sakaq, vendimi parashikon faljen në masën 90 për qind të interesave, kamatëvonesave, gjobave të gjithë debitorëve, të cilët në datën e transferimit të kredisë nga bankat, shumën e principalit e kanë pasur mbi 3 (tre) milionë lekë, duke u kërkuar të likuidojnë menjëherë të paktën 40 për qind të principalit të transferuar apo të shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të jetë më e gjatë se 3 (tre) vjet. Për kreditë e dhëna në valutë, konvertimi bëhet me kursin fiks të Bankës së Shqipërisë, në çastin e transferimit. Llogaritja e detyrimit të ri, nëse do të mbetet, do të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind, për kreditë në lekë, dhe 5 për qind për kreditë në valutë. Kurse debitorëve, që kanë marrë kredi për banesa ose për përmirësimin e kushteve të banimit, me vendndodhje në rrethet e kategorisë së dytë dhe të tretë. Interesat, kamatëvonesat dhe gjobat u falen në masën 100 për qind dhe huamarrësve, me vendndodhje në rrethet e kategorisë së parë u falen në masën 80 për qind. Falja bëhet me kusht që të shlyhet menjëherë, të paktën 40 për qind e principalit të transferuar apo e shumës së mbetur prej tij, si dhe duke vendosur kushtet për shlyerjen e pjesës tjetër. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet. Llogaritja e detyrimit të ri, nëse do të mbetet, do të bëhet duke zbatuar normën e interesit 10 për qind në vit, me përjashtim të kredive, që, në marrëveshjen ekzistuese të huasë, normën e interesit e kanë më të ulët. Për debitorët që kanë vdekur, u kërkohet trashëgimtarëve të tyre të likuidojnë vetëm shumën e principalit të mbetur. Periudha e pagesës së shumës së mbetur të kredisë nuk mund të zgjatet më shumë se 3 vjet, në varësi të llojit të kredisë që trashëgohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›