Qeveria, si zyrë e punësimit

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka një kryeministër dhe 6 zëvendëskryeministra, përderisa Shqipëria e ka vetëm një zëvendëskryeministër, Maqedonia i ka katër dhe Mali i Zi i ka dy zëvendëskryeministra.
Qeveria e Republikës së Kosovës i ka gjithsej 19 ministri të ndryshme, me po aq ministra, por me 38 zëvendësministra. Në këtë pikë, hiq më mirë nuk qëndron as Shqipëria, e cila ka 37 zëvendësministra, përderisa në ueb-faqet zyrtare të qeverisë së Maqedonisë dhe të Malit të Zi nuk kemi hasur në të dhëna të tilla për zëvendësministrat.
Mbi të gjitha, ajo çka është më shqetësuese për Republikën e Kosovës është fakti se një pjesë e madhe e ministrave në kabinetit qeveritar “Thaçi 2”, profesioni i tyre nuk u përgjigjet postit që ata mbajnë.
Kështu, shtatë prej ministrave që shkollimi i të cilëve nuk u përgjigjet vendit të punës, apo postit ministror që ata udhëheqin janë: ministri i Administratës Publike (MAP), Mahir Yagcilar, i cili është Inxhinier i komunikacionit rrugor; ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Slobodan Petroviç, i cili me profesion është jurist; ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Blerand Stavileci, i cili me profesion është magjistër i shkencave për menaxhment dhe informatikë, pastaj vjen ministrja për Integrime Evropiane (IE), e cila ka përfunduar MA për gazetari; më tej vjen ministri i Infrastrukturës (MI), Fehmi Mujota, i cili ka përfunduar Fakultetin Filozofik, dega filozofi-Sociologji dhe MA i shkencave juridike, drejtimi Administrativ-Politik; ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, i cili është specialist i kirurgjisë së përgjithshme, dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Nenad Rashiq, i cili është ekonomist i diplomuar.
Ndërsa, ministrat shkollimi i të cilëve u përgjigjet posteve ministrore që ata kanë janë: ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Ramë Buja (skademik – profesor asistent); ministri i Drejtësisë (MD), Hajredin Kuçi (shkollimi i tij në fushën e Drejtësisë); ministri i Financave (MF), Bedri Hamza (Fakulteti Ekonomik); ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE); Besim Beqaj (i shkolluar në fushën e ekonomisë); ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Agim Çeku (Akademinë Ushtarake); ministri i Shëndetësisë (MSh), Ferid Agani (Neuropsikiatër); ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj (Histori dhe Politikë); ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila (MA për biznes); ndërsa ministrat që nuk kanë të dhëna për biografinë e tyre në ueb-faqet zyrtare janë: ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli; ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi; ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit, Memli Krasniqi.
Ministritë që kanë më në shumti zëvendësministra janë Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë nga 3 zëvendësministra, ndërkaq me nga 2 zëvendësministra janë Ministria e Administratës Publike, Ministria e Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Diasporës, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Integrimeve Evropiane, Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Kulturës, duke i lënë pas: Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Tregtisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, të cilat kanë vetëm nga një zëvendësministër.
Kur jemi të zëvendësministrat, një pjesë e madhe e tyre, sikurse edhe shumë ministra, shkollimi i tyre nuk u përgjigjet postit që ata mbajnë në ministritë përkatëse.
Nga kjo del se kabineti më i pakompletuar në aspektin profesional është Ministria e Bujqësisë, pasi që ministri është MA për Menaxhment dhe Informatikë, dhe po ashtu njëri prej zëvendësministrave e ka të përfunduar Fakultetin Filozofik, ndërsa tjetri atë juridik, më pas vjen Ministria e Integrimeve Evropiane, ku ministrja ka përfunduar MA për gazetari, ndërsa zëvendësministrat, njëri e ka të përfunduar MA për Administrim Biznesi, ndërsa tjetri është mjek, më tej është Ministria e Infrastrukturës, ku ministri ka të kryer fakultetin Filozofik, dega Filozofo-Sociologji si dhe Mr. i Shkencave Juridike, pastaj Ministria e Punëve të Brendshme, ku ministri është Specialist i Kirurgjisë së Përgjithshme, ndërsa zëvendësministri ka të përfunduar për histori, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ku ministri është ekonomist i diplomuar, ndërsa zëvendësministri është Magjistër për Politikë Ndërkombëtare dhe Diplomaci, si dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, ku ministri e ka të përfunduar Edukatën Fizike, ndërsa zëvendësministri e ka Shkollën e Lartë Ekonomike.
Ndërsa Ministritë të cilat e kanë kabinetin më të kompletuar profesionalisht janë Ministria e Financave, ku ministri së bashku me zëvendësministrin e kanë të përfunduar Fakultetin Ekonomik, dhe Ministria e Punëve të Jashtme, ku ministri ka të përfunduar për Histori dhe Politikë, ndërsa zëvendësministri ka kualifikim në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndërkaq, ministritë të cilat nuk kanë fare të dhëna për biografi as për ministrin e as për zëvendësministrat janë Ministria e Diasporës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, kurse ministritë të cilat kanë të dhëna të pjesshme janë ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Kulturës.
Për dallim nga vendet e rajonit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka avancuar në trajtimin e komuniteteve të tjera, ku në ueb-faqet zyrtare të saj, pos gjuhës shqipe dhe angleze e ka edhe gjuhën serbe, gjë e cila mungon në ueb-faqet zyrtare të vendeve të rajonit. Kështu që, në Maqedoni edhe pse shqiptarët atje janë komuniteti i dytë në vend, ueb-faqja zyrtare e qeverisë së Maqedonisë nuk është edhe në gjuhën shqipe. Një gjë e ngjashme është edhe në Mal të Zi, e cila po ashtu nuk e ka ueb-faqen e qeverisë edhe në gjuhën shqipe./kosovapress/