E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita: Iniciativa e PDK-së për seancë të jashtëzakonshme, absurde

Të gjitha partitë opozitare janë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ku do të debatohej për çështjen e veriut, por nuk e përkrahin iniciativën e Partisë Demokratike të Kosovës për të thirrur këtë seancë. Madje, ata këtë e kanë quajtur absurde thirrjen e seancës së jashtëzakonshme nga ana e PDK-së, kur një gjë të tillë mund ta bënte vetë kryeministri Hashim Thaçi.

Iniciativa e Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme ka mbledhur vetëm 20 nënshkrime të deputetëve javën e kaluar, duke mos arritur numrin 40. Por PDK-ja ka arritur që të mbledh 45 nënshkrime, por që nuk ka marrë edhe nënshkrimet e deputetëve të opozitës.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress se 45 nënshkrime janë të gatshme dhe janë të përfunduara të gjitha procedurat që janë parapara me rregullore. Mirëpo, sipas tij, me qëllim të krijimit të një unitetit të përgjithshëm dhe për shkak të pamundësisë për t’u konsultuar me të gjitha grupet parlamentare dhe me marrë mendimin e tyre, kërkesa nuk është dorëzuar ende për seancë të jashtëzakonshme.

Madje, Grabovci ka thënë se është munduar të bie në kontakt me Ismet Beqirin, shefin e grupit parlamentar të LDK-së, për të pasur një unitet. Ndërsa ka shtuar se me shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka biseduar, por që nuk ka marrë përgjigje definitive.

Madje Grabovci ka thënë se ka edhe deputetë të AAK-së që kanë nënshkruar si dhe deputetë të tjerë pa përjashtim kanë nënshkruar.

I pyetur pse e ka marrë këtë iniciativë PDK-ja, pasi që kjo iniciativë ka qenë e Vetëvendosjes, Grabovci ka thënë se nuk është me rëndësi kush merr iniciativë, e rëndësishme është të diskutohet për atë pjesë të vendit.

“Po shiko nuk është me rëndësi ne apo opozita. Nëse diçka vlerësohet pozitive, atëherë duhet të përkrahet. Edhe iniciativën e Vetëvendosjes ne e kemi përkrahur, kemi treguar gatishmëri dhe mbështetjen vetëm kemi kërkuar të respektojmë procedurat ligjore, mos tentojmë të imponojmë askujt përkundër vullnetit të ndonjë deputeti apo grupi parlamentar aq më pak. Por kemi kërkuar që në seancën ku do të debatohet për veriun të Mitrovicës dhe çështje tepër të rëndësishme siç është gjendja sigurisë në vend duhet patjetër të jetë prezent edhe kryeministri i vendit”, ka thënë Grabovci.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë nëpërmjet telefonit për Kosovapress, se deputetët e kësaj partie as që do të përkrahin këtë iniciativë të PDK-së.

“Jo nuk e kemi nënshkruar dhe as që e nënshkruajmë. Ne e kemi thënë si Lidhje Demokratike e Kosovës të kemi seancë të jashtëzakonshme kur të jetë kryeministri i Kosovës dhe e din edhe opinioni ne kishim ndërmend që këtë javë të ulemi me partitë opozitare tjera dhe të thërrasim një seancë se nuk do të kishim këtë problem. Mirëpo PDK-ja e ka shfrytëzuar edhe të drejtën e vet si Grup Parlamentar dhe e ka parë që padyshim edhe opozita e bën këtë dhe sa kemi informacion mbledhjen e nënshkrimeve”, ka thënë Beqiri.

Beqiri këtë e quan një lojë të PDK-së, që sipas tij, do të mundohen të shfajësojnë qeverinë nga përgjegjësiaqë e ka për në veri të vendit.

“Këtë punë ka mundur të bëjë kryeministri, sepse është e drejtë kushtetuese e tij. Por, edhe kjo, për mendimin tim, është një lloj blofi, një lloj loje e tyre. Mund të ketë gjatë seancës, por ne nuk do të jemi pjesë e shfajësimit të kësaj qeverie për përgjegjësitë që i ka”, ka theksuar Beqiri.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se me këtë iniciativë deputetët e PDK-së do të mundohen të mbulojnë paaftësinë e ekzekutivit të vendit.

“Kjo kërkesë e PDK-së për seancë është absurde meqenëse ata janë koalicioni qeverisës që e kanë qeverinë, kryeministri është i po të njëjtës parti dhe me deshtë kryeministri do të thirrte një seancë në vete. Dhe kjo cytje e deputetëve të PDK-së për të thirre seancë të jashtëzakonshme tregon se ata janë më shumë të mbulojnë paaftësinë dhe mosveprimin e qeverisë sesa që janë vërtet të brengosur se çka po ndodhë në vëri”, ka deklaruar Ymeri.

Madje, ai ka thënë se kjo seancë e PDK-së nuk e ka elementin e urgjencës dhe si e tillë më shumë është përçmim i situatës dhe realitet atje se sa që është brengë e tyre se sa çka po ndodh vërtet.

Ymeri ka thënë se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes do të jetë pjesë e debatit, pasi që Qeveria duhet të japë përgjegjësi për ngjarjet që kanë ndodhur javët e fundit atje.

Gjatë seancës së fundit, deputeti Visar Ymeri së bashku me deputetin Glauk Konjufca kanë mbajtur një pankartë me mbishkrimin e emrave të vrarëve Selver Haradinaj dhe Enver Zymberi, duke bërë kryesuesin Jakup Krasniqi të ndërpres për disa herë seancën.

I pyetur se a mund të ndodh një aktivitet tjetër i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Ymeri nuk ka dashur të flet për këtë, duke thënë se ende nuk është planifikuar një gjë e tillë.

“Nuk mundem me fol për kurrfarë aktiviteti për shkak se nuk kemi të planifikuar asgjë. Ne mendojmë që kjo seancë është e domosdoshme për të diskutuar dhe debatuar të bëhej seancë ashtu siç duhej jo kështu qysh po e thërret Grupi Parlamentar i PDK-së”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, deputeti i AAK-së, Burim Ramadani ka thënë se aleanca e përkrah konceptin e mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme, por nuk e përkrah asnjë lojë politike që tenton të bëjë PDK-ja.

“Ndërkaq iniciativën e këtillë në këtë formë të fshehtë nga PDK-ja e shohim qartë si lojë politike për të munduar me heq përgjegjësinë reale që e kanë për situatën në veri. Ndërkaq duhet të themi tepër qartë se përgjegjëse për situatën në veri është vetëm qeveria e Kosovës sidomos prej aksionit të 25 korrikut të vitit të kaluar që ka qenë aksion totalisht i dështuar i paorganizuar dhe i paplanifikuar mirë dhe situata po del prej kontrollit dita e ditës”, ka deklaruar Ramadani.

Nesër pritet të mbahet edhe mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të caktohet edhe mbajtja e seancës së jashtëzakonshme për debat në veri të Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›