Qeveria takson verën e huaj, tarifë zero për uiski e xhin
Publikohen akcizat e reja për mallrat doganore të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 janar 2009. Hiqet dogana për të gjitha birrat e huaja. Taksohet vera e huaj, por ka tarifa zero për uiskin e xhinin.
TIRANE- Prodhimet e detit nga Shqipëria ende nuk mund të shohin “dritën e diellit” në tregjet e Bashkimit Evropian. Sidomos kur është fjala për midhjet, guackat e krustacet, të gjykuara ende të papërshtatshme për tryezat e qytetarëve të 27-shes. Por, në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara tashmë me Brukselin, që parashikojnë afrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian, në kuadër të Asociim-Stabilizimit, si dhe në përputhje me marrëveshjet e anëtarësimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, vendi ynë u ka hapur dyert të gjitha llojeve të peshqve, karkalecave, molusqeve; me pak fjalë, të gjitha produkteve të gjalla të detit e të ujërave të ëmbla, pa tarifa doganore.
Kështu, sipas Vendimit më të ri të Këshillit të Ministrave për nomenklaturën e mallrave, nuk do t’i nënshtrohen regjimit tarifor në hyrje në vendin tonë mallra të tilla si peshku i gjallë, peshku i freskët ose i ngrirë, i përshtatshëm për ushqim, peshku i përpunuar i të gjitha llojeve (konserva, i tharë, i kripur, i tymosur), si dhe molusqet e krustacet. Mund të pranohen në vend pa tarifë doganore edhe koralet, mjaft që t’i kenë lejuar të tjerët të largohen nga vendi i tyre.
Ndryshe është vepruar për mishin, i cili nuk i ka shpëtuar tarifimit doganor, madje mishrat e përpunuara (sallami) kanë një barrë fiskale, që mund të arrijë deri në 15 për qind për disa kafshë të konsideruara “luksi”.
Disa nga artikujt më të përdorshëm në jetën e përditshme, gama e përgjithshme e karburanteve, si dhe gazi i lëngshëm që përdoret për ngrohje, gjithashtu, nuk parashikohet t’i nënshtrohen regjimit tarifor. Kjo parashikohet të krijojë një balancim të konkurrencës midis produktit vendas dhe atij të importuar, duke qenë se Shqipëria është një vend prodhues nafte e gazi, ndonëse në sasi më të vogla sesa nevojat e saj për konsum.
Nga ana tjetër, në fushën e pijeve alkoolike vihet re një qëndrim i ndryshëm për produkte të ndryshme. Kështu, vera e të gjitha llojeve do të taksohet me 15 për qind, në një kohë kur birra e importuar nuk do t’i nënshtrohet më tarifimit nga doganat shqiptare. Në rast se kjo do të konsiderohej masë për mbrojtjen e produktit vendas (aspak cilësore deri tani!), birra nga importi, sipas këtij Vendimi, do të lirohet nga tarifat doganore. Kjo i jep fund debatit të gjatë midis prodhuesve të shumtë shqiptarë të birrës dhe autoriteteve, që deklarojnë se një gjë të tillë e supozon angazhimi i Shqipërisë në marrëveshjet e MSA-së dhe OBT-së. Por, në të njëjtën kohë, Shqipëria do të lejojë hyrjen pa tarifa doganore të alkoolit etilik, që përdoret për prodhimin e pijeve të ndryshme me ngjyra, ndërkohë që nuk do të kërkojë tarifa edhe për pije të tilla, si xhin, uiski, grapa, raki dardhe, verë molle, konjak, rum, uzo e pije të tjera të tilla.
Ndërkohë veprat e artit, si dhe antikat më të vjetra se 100-vjeçare mund të hyjnë në vendin tonë pa tarifë. Të njëjtin privilegj mund ta gëzojnë edhe të gjitha vaksinat, ilaçet e hormonet, si dhe metale të ndryshme me ngjyra, që mund të prodhohen edhe në Shqipëri.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)