E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Do të ndërhyjmë për drogën në Lazarat

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë për planin e masave antikanabis

“Nuk do t’u lëmë asnjë mundësi trafikantëve dhe kultivuesve të lëndës narkotike në Lazarat. Do të ndërhyjmë sa herë që të jetë nevoja”. Ky ka qenë pohimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për “Shqip”, menjëherë pas takimit me vartësit në Gjirokastër, Vlorë dhe Sarandë. Sipas tij, do të ndërhyhet në Lazarat nëse konstatohen sipërfaqe të mbjella me kanabis sativa, por dhe do të kontrollohen banesat e personave që dyshohet se kanë magazinuar lëndë narkotike. Uniformat blu kësaj here e kanë seriozisht, kur dihet se ky fshat, më problematiku në të gjithë vendin, njihet edhe nga ndërkombëtarët për kultivimin e bimëve narkotike. Policia ka gati planin e veprimit, i cili do të zbatohet menjëherë pas konstatimit të sipërfaqeve të mbjella me kanabis, pasi monitorimi i tyre do të bëhet me ndihmën e satelitit. Kjo zonë, e cila ka qenë tërësisht jashtë kontrollit policor, do të jetë tanimë në fokusin e ndërhyrjeve operacionale. Atje nuk do të shkohet më për sensibilizimin e komunitetit, rinisë, apo dhe nxënësve të shkollave, por për të ndëshkuar kultivuesit dhe trafikantët. Do të jenë të harruara ditët kur policia edhe pse ka pasur persona në kërkim nga Lazarati, nuk ka shkuar atje për të kontrolluar banesat e tyre, për kapjen e personit, procedurë kjo e ligjëruar në këto raste.

Plani

Kjo është hera e dytë që kreu i Policisë së Shtetit viziton Gjirokastrën. Menjëherë pas Konferencës Kombëtare për Parandalimin e Kultivimit të kanabis sativa ai shoqëroi ministrin Basha në takimin me efektivat e policisë së këtij qyteti, më shumë kjo një vizitë sensibilizimi. Në udhëtimin e tij të dytë, drejtori i Përgjithshëm, Burgaj, me tone të forta ka urdhëruar vartësit e qytetit të gurtë se detyrë primare kanë bashkëpunimin me kolegët e Vlorës dhe Sarandës për koordinimin e një plani masash për të mundësuar bllokimin e të gjitha rrugëve automobilistike dhe malore nëpërmjet të cilave kalon droga nga fshati Lazarat. Pjesë e këtij plani është edhe kontrolli i zonës me satelit për të evidentuar të gjitha parcelat që mund të kultivohen me bimë narkotike. Dje, kreu i Policisë u ka kërkuar marrjen e masave dhe zbatimin e planit në mënyrë tepër rigoroze, pasi në të kundërt ndëshkimet do të jenë tepër të rënda. Në takimin e zhvilluar me drejtues të policisë në qytetin e Gjirokastrës, ai ka kërkuar koordinimin e veprimeve të përbashkëta me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, “me qëllim rakordimin e shërbimeve për të bërë të mundur bllokimin e të gjitha rrugëve të trafikut të hashashit nga fshati Lazarat”. Burgaj ka kërkuar nga efektivat e policisë më shumë masa kundër kultivimit të hashashit. “Komuna Lazarat, apo ndonjë komunë a fshat tjetër në çdo cep të Shqipërisë s’do mund të mbajnë peng Shqipërinë për liberalizimin e vizave”, u shpreh Burgaj. Ai ka theksuar se Policia e Shtetit ka mbështetjen e plotë të Kryeministrit dhe të ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në çdo cep të territorit të Republikës së Shqipërisë, qoftë ai Lazarati apo çdo vend tjetër. “Përdorini filmimet e satelitit dhe ndërhyni”, urdhëroi drejtori i Përgjithshëm i Policisë në Gjirokastër ndërsa vuri theksin që të përdoren të gjitha metodat për luftën kundër fenomenit “kanabis” deri në zhdukjen e plotë të tij nga Shqipëria.

Kufiri

Pas Gjirokastrës, Burgaj u ndal edhe në Sarandë, ku kërkoi nga të gjitha forcat policore të vlerësojnë rëndësinë e ruajtjes së kufirit tokësor e detar nga trafiku i paligjshëm i kanabisit. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka kërkuar nga të gjithë drejtuesit e policisë në zonat kufitare që të shtojnë masat kundër trafikut të lëndëve narkotike. Në takimin e zhvilluar dje me drejtuesit e policisë së Sarandës, Burgaj ka theksuar se duhet të përdoren metodat më të ashpra deri në kufijtë maksimalë për luftën ndaj këtyre fenomeneve. Në Sarandë, Burgaj është takuar dhe me drejtues të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë ku është diskutuar dhe për trafikun e qenieve njerëzore. Kreu i Policisë ka kërkuar bashkëpunim me pushtetin vendor për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike në të gjitha ato vende që janë evidentuar vitin e kaluar. Drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë, Ylli Metko, në analizën që i bëri situatës dhe veprave penale të ndodhura këtë tremujor ka theksuar se është rritur forca goditëse e policisë. “Nga 29 kilogramë të sekuestruar në tremujorin e parë të vitit 2009, sasia e kapur në tremujorin e parë të vitit 2010 kap shifrën 2700 kilogramë”, ka thënë ai.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›