Qeveria teknike dhe sulltanati i Sali Sulltanit
Si sot 5 vjet, zhvillova një intervistë me ambasadorin Rajerson, të parin amabsador amerikan në Tiranë pas rilidhjes së mardhënieve diplomatike të Shqipërisë me SHBA-në. Intervista nuk kishte të bënte me festën e Sulltan Novruzit ishte një intervistë me rastin e 15-vjetorit të fitores së parë të PD-së në zgjedhjet parlamentare (http://www.respublica.al/opinion/2011/9/22/rajerson-berisha-e-meriton-pensionin). Në fund të asaj interviste, ambasadori Rajerson i sugjeroi Berishës (para 5 vjetësh) që të dilte në pension. Ai i bërë këtë pyetje vetes në fund të intervistës: A duhet z.Berisha të dalë në pension? Dhe ja si iu përgjigj: Siç e dini, unë jam amerikan dhe duke kërkuar në historinë e vendit tim për shembuj, më bën pershtypje ai i Xhorxh Uashingtonit. Pasi kishte shërbyer si gjeneral në Luftën e Pavarsisë, ai u zgjodh dy herë si President i SHBA-së. Dhe pas herës së dytë, Xhorxh Uashingtoni nuk kandidoi për herë të tretë. Ai kishte bërë shumë për vendin dhe ishte krenar për arritjet e tij, por sidoqoftë, zgjodhi pensionin. Mendoj se z.Berisha është në fakt në një situatë paralele ai ka bërë shumë për vendin e tij, dhe e meriton të dalë në pension. Ky do të ishte një hap i mirë për demokracinë si brënda PD-së ashtu dhe më gjerë në Shqipëri. Kjo, sepse kështu do të hapej rruga për të tjerë që të marrin përsipër përgjegjësitë. Unë personalisht mund të konstatoj se jeta në pension sështë fare e keqe!
Por Berisha nuk e dëgjoi këshillën e ish-mikut të tij. Ai kandidoi për një mandat tjetër në 2009-ën dhe e fitoi ashtu siç e fitoi. Dhe çështë më e keqja, ai duket se ka ndërmend të rikandidojë e fitojë mandate deri sa i Plotfuqishmi ta marrë Atje Lart.
Duke u kthyer tek shembulli i Xhorxh Uashingtonit, atij i atribuohet thënia Nuk luftova kundër një mbreti, për t`u bërë mbret vetë. Këto fjalë janë thënë pas këmbënguljes së këshilltarëve të tij që ai të rikandidonte për një mandat të tretë. Në kontekstin shqiptar, fjalët e Ushingtonit na paralajmërojnë për rrezikun e krijimit të një sulltanati të vogël me në krye Sali Sulltanin (autorësia e këtij termi i përket Aleancës Kuqezi http://www.respublica.al/artikuj/2012/3/22/doni-debatin-politik-te-dites-ja ).
Por si mund të parandalohet ky projekt i Berishës, kur ai duket i vendosur për ti shkuar deri në fund?
Historia e largët dhe e afërt botërore e shqiptare na tregon se një mënyrë për parandalimin e sultanatit të Sali Sulltanit është revolta popullore. Në fakt, kjo ishte mënyra sesi u parandalua një herë ky sulltanat në vitin 1997. Por sot nuk duket se ka mjaftueshëm karburant për një revoltë të re kundër tij dhe, për më tepër, ajo do të përbënte një vonesë tjetër shumë të madhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Brukselit.
Një rrugë tjetër do të ishte një votë masive kundër Sali Sulltanit, në një magnitudë të tillë që do ta bënte të pamundur manipulimin e rezultatit në zgjedhjet e 2013-ës. Konkretisht, kjo votë masive do të duhej të ishte e një magnitude të ngjashme me votën plebishitare që solli PD-në në pushtet në vitin 1992. Por historia e zgjedhjeve në 12 vjetët e fundit na tregon se të gjitha partitë e majta së bashku (duke përfshirë këtu edhe LSI-në) nuk kanë marrë asnjëherë më shumë se 51% të votës popullore. Dhe të mos harrojmë se, në gjysmën e kësaj periudhe, ato kanë qenë në pushtet. Thënë shkurt, me raportin aktual të forcave, nuk ka garanci që zgjedhjet të mos manipulohen aq sa të nxjerrin përsëri Berishën fitues me fotofinish.
Po një rrugë të tretë a ka? Ka dhe quhet realpolitikë (autorësia e këtij termi i atribuohet Henry Kissinger-it, Sekretarit të Shtetit të SHBA-së në fillim të viteve 1970).
Një aludim për një realpolitikë shqitare bëhet në një nga fejtonet e rubrikës Antena të gazetës Tema (http://www.gazetatema.net/ëeb/2012/03/17/sandri-debat-me-doktorin-per-intervisten-e-withers/) Aty aludohet se ekziston një projekt-ide në Uashington për rrëzimin e qeverisë Berisha dhe krijimin në vjeshtë të një qeverie teknike, me Bamir Topin në krye. Në fejton, personazhi me emrin Doktori thotë: Shiko, ata duan të bëjnë qeveri teknike e me bë Bamir Topin kryeministër, por unë gjallë nuk i toleroj. Jo, e di unë, duan ta bëjnë ata. Nejse, një gjë duhet ba, d.m.th, se kështu, që të duken ata në bllok kundër meje, nuk duhet lënë. Por ta dish që e kam të sigurt, duan të bëjnë qeveri teknike me Bamirin kryeministër në vjeshtë. Jo, këtë nuk e lë.
Kuptohet që aludimet e bëra në fejtonet e Antenës nuk mund të merren si të bazuara në informacione të verifikuara në rastin më të mirë ato mund të merren si të bazuara në fjalë që qarkullojnë nëpër kafenetë mediatike të Tiranës. Por sidoqoftë, është një aludim që bazohet në logjikën arithmetike të numrave në Kuvendin e Shqipërisë. Për rrëzimin e qeverisë Berisha dhe krijimin e një qeverie teknike në vjeshtë, duhen 71 vota në Kuvend. Nga këto, 67 mund të quhen pothuaj të sigurta që sot. Dhe për të arritur tek shifra magjike 71 do të duhen edhe 4 votat e florinjta të LSI-së.
Duke e lënë mënjanë analizën se sa është probabiliteti që LSI-ja ti bashkojë votat me PS-në për rrëzimin Berishës, pyetja kryesore rreth një projekti të tillë është morale. A ia vlen që, për hir të rrëzimit të Sali Sulltanit, të bëhet aleancë me Baba Liken? (Këtë termin e fundit, të përdorur për Ilir Metën, e kam hasur në një fejton në gzetën Sot). Henry Kissinger, në kuadër të realpolitikës, ka thënë dikur për një diktator të djathtë latinoamerikan se, për SHBA-në, ai ishte më i mirë se sa një diktator i majtë si Fidel Kastro. E di që është një bir bushtre, thuhet të ketë thënë ai për të por është biri ynë i bushtrës, jo i rusëve
Është fakt historik që, pavarësisht dritëhijeve morale, realpolitika amerikane i ndaloi carët rusë në rrugën e tyre për sundimin e botës. Nuk e di nëse realpolitika do të kapërdihej dot në Shqipëri nga ata që shohin tek Ilir Meta shkakun e rikthimit dhe ndejtjes së Berishës deri më sot në pushtet, por unë mendoj se, në kushtet e Shqipërisë, ndejtja në pushtet më shumë se 8 vjet e dikujt, kushdoqoftë ai, përbën një rrezik po aq të madh për shqiptarët sa çpërbënte për amerikanët fuqizimi i perandorisë ruse në vitet 1970.
*respublica.al
