E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 vjet me Berishën

Share

Nga Mero Baze

Sali Berisha u shfaq me nipin e tij të vogël në tribunën e një mitingu politik, që përkujton fitoren e parë të Partisë Demokratike në Shqipëri. Në patetizmin e tij mediokër, ai tentoi ti drejtohej një brezi të ri që ka lindur thuajse 20 vjet më parë, si një brez që nuk e ka njohur komunizmin.

Për 20 vitet që ata kanë jetuar në këtë vend, prej vitit 1992, besoj se katër vitet e para të jetës për arsye biologjike ata nuk mbajnë mend asgjë. Dikujt prej tyre ndoshta mund tu kujtohet viti 1996, nëse prindërit e tyre demokratë i kanë marrë me vete në ditën e votimeve më 26 maj dhe mund të kenë pasur fatin të kenë hedhë ndonjë votë në kuti, pasi atë ditë ka qenë e lejuar të bëhej gjithçka me vota. Nuk u është dukur ndonjë lojë e ndaluar atë ditë dhe me siguri janë kënaqur si nipi i Sali Berishës që ngatërrohej në këmbët e gjyshërve në tribunën e festës së tyre.

E para gjë që mund tu jetë fiksuar në mendje atyre që kanë qenë fëmijë në vitin 1992 duhet të jetë viti 1997. Ata me siguri i kanë mbajtur prindërit të shtrirë në dysheme kur dëgjoheshin krisma nga pallati përballë, apo në rrugë. Me siguri u ka mbetur në mendje si një vit i frikshëm ku prindërit nuk të lejonin të luaje jashtë pallatit, dhe kur në bisedat e tyre në shtëpi dëgjonin pareshtur emrin e Sali Berishës.

Pastaj ata janë rritur dhe pas dy vjetësh kanë shkuar në shkollë fillore. Kur kanë qenë duke e mbaruar atë aty rreth klasës së katërt dhe të pestë, mësuesit kanë filluar tu flasin për një kryeministër që quhej Ilir Meta. Ai zihej vazhdimisht me një xhaxhi tjetër qe quhej Fatos Nano dhe herë pas here dilnin e shanin nga nëna njëri- tjetrin duke treguar se kush kish vjedhur më shumë. Kështu u rrit ky brez derisa arriti të mbaronte tetëvjeçaren. Pastaj kur ishin gati për të shkuar në gjimnaz, u shfaq para tyre sërish Sali Berisha. Ata ishin të paqartë kush ishte ky xhaxhi dhe dikush prej tyre që mbante mend fillimin e fëmijërisë me plumba në dritare, çuditej që ky xhaxhi nuk ishte vrarë. Ata mbajnë mend se ky u premtoi që do merrte fund vjedhja, që askush nuk do guxonte më të vriste në rrugë dhe Shqipëria do hynte në Evropë. Kur ata ishin në vit të tretë apo të katërt në gjimnaz, një të shtunë u tronditën thellë nga një shpërthim i madh afër Tiranës. Ekranet u mbushën me fytyra të përgjakura. Dikush dëgjoi në lagje se plasi fabrika e Shkëlzenit, dikush tjetër dëgjoi se u vra baxhanaku i Saliut tek puna e djalit, por kurrë nuk e morën vesh pse duhej vrarë për të vjedhur. Pastaj për vite të tëra panë gjyqe pa fund dhe asnjë të dënuar. Xhaxhi Saliu e humbi toruan dhe prej atij viti nuk u mor më me premtimet e veta, por me gjykatësit, prokurorët, Presidentin, shtypin dhe gjithkënd që fliste për të. Vendi u nda në njerëz që persekutohen dhe njerëz që privilegjohen. Për të bërë karrierë në pushtet nuk vlejnë notat që ata marrin në shkollë, por një deklaratë pro djalit apo vajzës së kryeministrit. Për tu persekutuar, e kundërta. Tani ata janë rritur dhe janë 20 vjeçarë. Shumë prej tyre janë të qartë. Tani ata kanë një ide më të qartë se çfarë ka qenë komunizmi se e kanë mësuar në shkolla. E kanë të qartë se ka qenë një regjim barbar me luftë klasash, me mungesë të lirisë së shprehjes, pa zgjedhje të lira, dhe pa mundësi për të bërë karrierë nëse nuk e kishe mirë me pushtetin. Ata kanë filluar ta kuptojnë shumë mirë komunizmin për një arsye të thjeshtë, se kanë 20 vite që jetojnë dhe rriten me Sali Berishën. Kur nuk e kuptojnë çdo të thotë të mos ketë zgjedhje, ua ilustrojnë me ato zgjedhjet e 96 kur kanë futur dhe ata fletë votimi në kuti, kur nuk e kuptojnë çdo të thotë juntë ushtarake, u kujtojnë 97, kur nuk e kuptojnë çdo të thotë mungesë e lirisë së shprehjes kujtojnë reprezaljet e Berishës mbi gazetarët kritikë, kur nuk kuptojnë çdo të thotë grup armiqësor, kujtojnë betejat e Berishës me president, gjykatës prokurorë e gazetarë, kur nuk kujtojnë çdo të thoshte rrethim imperalisto- revizionist kujtojnë raportet e Berishës me Brukselin, Uashingtonin dhe Azerbajxhanin….

Këta 20 vjeçarë janë rritur me Sali Berishën para syve për 20 vite. Bashkëmoshatarët e tyre në Perëndim për këto 20 vite janë rritur me shumë presidentë dhe kryeministra, ndryshuar me zgjedhje të lira. Fatkeqët 20 vjeçarë të Shqipërisë këto 20 vite kanë pas punë vetëm me një njeri që ka ndërtuar jetën e tyre dhe ai është Sali Berisha. Nuk e kanë njohur komunizmin, por nuk kanë humbur asgjë të rëndësishme. Kanë njohur Sali Berishën. Nëse dhe 20 vitet e tjera të tyre ia besojnë këtij njeriu, atëherë do të jenë brezi i dytë i komunizmit shqiptar. Ndaj është mirë ta mbajnë mend fytyrën e nipit që Berisha u nxori në tribunë. Mund tua lërë pasardhës nëse e falin këtë njeri.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›