E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra/Simbolika shumëfishe e 22 Marsit të shqiptarëve

22-03-2012 / Nga Admir Nake

Perputhje e admirueshme, 22 marsi e shkronja V, që simbolizon lirinë dhe demokracine me dy gishtat e seciles dore te ngritura lart, te majtës dhe te djathtes, si per te pohuar edhe pluralizmin, por sigurisht me nje promotor te padiskutueshem, Partine Demokratike.
Përputhje e admirueshme në zgrip të një mijëvjeçari dhe fundshekulli njëkohësisht, dhe një kujtesë e vrullit popullor të shqiptareve, pa zgjidhjen e çështjes të së cilëve nuk mund të kapërcente ky fundshekull dhe fund mijevjeçari, duke ofruar zgjidhje edhe për Shqipërinë, dhe pak vite më vonë edhe për shqiptarët e Kosovës, e duke vendosur në vend padrejtësitë e bëra nga historia.
Përputhje e admirueshme, si për të treguar që edhe toka rrotullohej për hir të saj dhe për ditë më të mira, për kombin shqiptar. 22 Marsi përputhet me fillimin e pranverës, pas dimrit më të egër të lënë pas krahëve, dimrit të shkaktuar, jo nga natyra, por dimrit të diktaturës, shkaktuar nga sistemi më i egër komunist, ndryshe nga dimrat natyrorë, që sot me përkujdesjen e shtetit e solidaritetin njerëzor kalojnë pa viktima, dimri i sistemit komunist ishte i destinuar të eliminonte fizikisht pa faj dhe pa shkak, çdo vit dhjetëra e mijëra njerëz eshtrat e të cilëve nuk gjenden ende dhe sot.
Dimri natyror ishte i pritshëm, dhe sillte pranverën, kurse dimri i sistemit komunist ishte i befasishëm në fatkeqësitë e veta, pa stinë dhe pa afat, por që e pati një fund.
Ndaj 22 Marsi konsiderohet sipari i pranverës njerëzore për shqiptarët dhe është një datë brilante, që shkëlqen pa fund në historinë e shtetit shqiptar, krenari e Partisë Demokratike, por që çeli ndryshimin dhe nisi aspiratën për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, duke ndryshuar historinë e topitjes njerëzore dhe duke sjellë ndarjen nga dimri i egër komunist, pa ligjësi ose me sakte me ligjësi anormalitetin, përçudnimin e tjetërsimin njerëzor.
Përputhje e admirueshme e këtij 22 Marsi në këtë 100 vjetor të shtetit modern shqiptar, me një festë fetare, që tek e fundit predikon mirësinë dhe dashurinë, por dhe si një ditë besimplotë se sot më shumë se kurrë më parë shqiptarët janë pranë zotit dhe zoti më pranë shqiptarëve me bekimin e tij. E vështirë ka qenë rruga e një Shqipërie pluraliste, një rrugë e pashkelur me kurthe e rreziqe.
Por, synimet e kohës së sotme janë të ndryshme. Nëse deri dje shqiptarët përpiqeshin për mbijetesë, në luftën e egër mes sunduesve, që donin ta copëtonin, nëse deri dje diktatura komuniste i mbajti shumicën e shqiptarëve në kufijtë e mbijetesës dhe nën frymën e terrorit komunist, sot shqiptarët  përpiqen për prosperitet, përpiqen të kapin kohën e humbur, e natyrisht në këtë përpjekje, gabimet qoftë dhe politike mund të kenë qenë më të mëdha sesa në një ecje normale e të qetë. Por në përpjekjen për të kapur kohën e humbur këto gabime kanë sjellë edhe përvojë edhe një maturi të sistemit politik.
Shqiptarët e kanë votuar klasën politike në përqindje të lartë në të gjitha fushatat  zgjedhore. Pra, shqiptarët u kanë dhënë atyre besim. Klasa politike tashmë konsiderohet e maturuar, ndaj besimi i dhënë ndaj tyre obligon për një politikë të kujdesshme dhe me efekte afatgjata. Mirënjohja për 22 Marsin u shkon gjithë atyre që sakrifikuan për atë ditë. Mirënjohja për 22 Marsin i shkon brezit, e udhëheqësve të atyre ditëve, me lider Sali Berishën, por 22 marsi obligon për ditë më të mira të gjithë shqiptarët.
Partia Demokratike, në një shikim në kohë, me progresin e paimagjinueshëm që i ka sjellë vendit, gjen mijëra arsye të festojë sot optimiste dhe krenare, këtë festë të të gjithë shqiptarëve. 
Përputhje e admirueshme është fakti që Partia Demokratike do të formohej në një ditë dimri, për të ngrohur dhe për t’u ngrohur nga zemrat e studentëve dhe intelektualëve e të gjithë atyre që aspironin, por do kulmonte me fitoren e saj dhe të pluralizmit, në hyrje të pranverës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›